Orban përplaset sërish me BE-në
Marrëdhëniet mes BE-së dhe Hungarisë tensionohen sërish në prag të samitit europian të Brukselit. Shkak është bërë një ligj që Hungaria miratoi për homoseksualitetin. Nga njëra anë janë 17 krerë shtetesh që në një deklaratë të përbashkët dënojnë çdo formë diskriminimi me bazë seksualitetin, ndërsa nga ana tjetër Viktor Orban, i cili sapo ka mbërritur në Bruksel ngul këmbë se nuk ka ndërmend ta tërheqë ligjin, të cilin e konsideron aspak diskriminues.
Sipas tij, ligji nuk është kundër homoseksualëve, por “një ligj që mbron prindërit dhe fëmijët”.
Ligji ndalon shpërndarjen e çdo përmbajtjeje (libra, filma, programe televizive) për të mitur që përmban ndonjë mesazh joheteroseksual. Ligji u kritikua ashpër nga BE përmes një deklarate zyrtare të Presidentes Ursula Von der Leyen. Në prag të takimit të sotëm dhe duke kujtuar "parimet e mosdiskriminimit", BE rikujton aderimin e vendeve në "vlerat themelore të përfshira në Nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian".
Ndërsa nuk bën referencë të qartë për atë që Hungaria ka vendosur, deklarata e cituar nga Corriere della Sera thotë se "ne duhet të vazhdojmë të luftojmë kundër diskriminimit ndaj komunitetit LGBT. Respekti dhe toleranca janë në zemër të projektit evropian ... ne do të përpiqemi të sigurojmë që brezat e ardhshëm evropianë të rriten në një atmosferë barazie dhe respekti.
Kritikave të BE-së iu shtuan edhe ato të Kombeve të Bashkauar. Përmes një deklarate, sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, theksoi se "asnjë diskriminim nuk mund të pranohet në asnjë rrethanë dhe çdo lloj diskriminimi kundër LGBT + është i papranueshëm në shoqëritë tona moderne".
Add new comment