SHBA përdori shërbimet sekrete daneze për të përgjuar liderët e Europës
Shërbimet sekrete të Danimarkës ndihmuan Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve të spiunonte zyrtarët evropianë, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel. Skandali u zbulua në vitin 2013, kur Shtëpinë e Bardhë e drejtonte Barack Obama. Në atë kohë ishte Edward Snowden ai që zbuloi për herë të parë detaje të këtij përgjimi. Por një hetim i ri i publikuar të dielën zbulon detaje të mbështetjes që mund t’i ketë dhënë NSA-së Shërbimi i Inteligjencës së Mbrojtjes (FE) në Danimarkë, fqinji verior i Gjermanisë.
Duke cituar burime të shumta që dëshiron të mbeten anonime, transmetuesi publik danez DR dhe organizata të tjera të lajmeve në Gjermani, Francë, Norvegji dhe Suedi raportuan se një analizë konfidenciale e inteligjencës daneze rishikoi marrëdhëniet e NSA-së me FE nga 2012 në 2014. Raporti zbulon se NSA arriti të përdorte sisteme daneze përgjimesh në kabllot e internetit nën det, me dijeninë dhe dakordësinë e Danimarkës.
DR raporton se një bazë të dhënash ishte ndërtuar madje për atë qëllim në një strukturë daneze të inteligjencës në ishullin Amager, në jug të Kopenhagës.
Kancelarja gjermane ishte midis objektivave, njësoj si dy nga rivalët e saj të mëparshëm për kancelarinë, socialdemokratët Peer Steinbrück dhe Frank-Walter Steinmeier, aktualisht presidenti gjerman. DR gjithashtu raporton se zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë ishin mbajtur nën mbikëqyrje nga Franca, Norvegjia dhe Suedia, por nuk jep emra.
Investigimi u krye në bashkëpunim me gazetën franceze “Le Monde”, gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, transmetuesit gjermanë NDR dhe WDR dhe transmetuesit publikë nga Suedia (SVT) dhe Norvegjia (NRK).
Në vitin 2013, pasi Snowden bëri denoncimet e para në media, Obama u zotua të ndalojë spiunimin ndaj aleatëve. “Le Monde” shkruan se është e paqartë në këtë pikë nëse spiunimi përmes sistemeve daneze ndodhi para apo pas këtij premtimi.
Add new comment