Lufta më e hershme, një konflikt i përsëritur në Sudanin jugor 13 400 vjet më parë
Një ekzaminim i mbetjeve në një varrezë në bregun lindor të lumit Nil në Sudanin verior hedh dritë mbi realitetin e 13 400 viteve më parë. Varreza Jebel Sahaba, ndër më të vjetrat në botë, e gërmuar në vitet 1960, jep të dhëna mbi luftërat e përgjakshme parahistorike. Nga mbetjet skeletore të 61 burrave, grave dhe fëmijëve, të paktën 41 kishin shenja të paktën dëmtimi, kryesisht nga shigjetat. Disa prej tyre kishin plagë të shëruara, gjë që tregon se i kishin mbijetuar një lufte për të vdekur në një tjetër. Të dhënat tregojnë një shkallë të lartë dhune, subjekt i të cilës janë bërë burrat, gratë dhe fëmijët. Paleoantropologia Isabelle Crevecoeur e Qendrës Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore në Universitetin e Bordeaux, autore kryesore e studimit të botuar në revistën “Scientific Reports”, thotë se te mbetjet janë gjetur gjurmë të luftimit trup me trup.
Banorët e luginës së Nilit në atë kohë jetonin me gjueti, ndërkohë që bujqësia do të vinte më vonë. Ata gjuanin gjitarë si antilopa, kapnin peshq dhe mblidhnin bimë e rrënjë dhe jetonin në grupe me jo më shumë se njëqind veta. Edhe pse nuk mund të përcaktohet me saktësi, lufta mund të ketë ndodhur gjatë një kohe të ndryshimit të klimës në rajon, ku një periudhë thatësirash dhe më pas përmbytjesh shkaktoi konkurrencë midis klaneve rivale për burimet dhe territorin.
"Ndryshe nga një betejë specifike ose një luftë e shkurtër, dhuna duket se për fat të keq ka qenë një dukuri që ka vijuar në kohë dhe pjesë e jetës së tyre", citohet nga Reuters bashkëautori i studimit Daniel Antoine. Crevecoeur thotë se provat arkeologjike tregojnë "përplasje të përsëritura, në shkallë të vogël, ndoshta në formën e bastisjeve, përleshjeve, sulmeve në prita midis grupeve gjuetarëve, në vend të një konflikti të vetëm".
Sajti aktualisht ndodhet nën liqenin artificial Nasser, është më i hershëm i varrezave në Luginën e Nilit. Eshtrat njerëzore janë ruajtur në Muzeun Britanik.
Gjetjet tregojnë qartë se aktet e dhunës, të regjistruara që prej qindra mijëra vjetësh, nuk janë të kufizuara thjesht te speciet tona - për shembull, por kanë qenë edhe te Neandertalët.
Add new comment