Ish-këshilltari i Trump: Covid-19, një fabrikim për të zhvendosur vëmendjen nga zgjedhjet e 2020-s
Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn, beson se pandemia e Covid-19 është një fabrikim për të zhvendosur vëmendjen nga zgjedhjet e vitit 2020. Në një intervistë të dhënë të premten, Flynn, një nga figurat e njohura të teorisë së konspiracionit QAnon, tha se virusi u krijua para 3 nëntorit "për të fituar kontrollin" e shoqërisë.
"Kur shikon nëpër botë, të lind pyetja pse të gjitha këto vende nuk i kanë problemet që ne vazhdojmë t’i kemi në këtë vend kur bëhet fjalë për Covid? Pse? Sepse gjithçka, gjithçka dhe kjo është e vërteta ime, ajo që unë besoj, gjithçka është një shpërqendrim nga ajo që ndodhi më 3 nëntor", vazhdoi ai. "Gjithçka që ne dëgjojmë për Covid, dhe si Covid filloi para 3 nëntorit, e gjitha ka për qëllim të kontrollojë, e gjitha ka për qëllim të fitojë kontrollin e një shoqërie, që të imponojë vendimet e shoqërisë, në vend që t’i lejojë njerëzit t’i marrin vetë ato", citohet ai nga "The Independent".
Flynn është aktualisht gjeneral-lejtnant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në pension.
Ai ka mbajtur detyrën e këshilltarit të sigurimit kombëtar të Trump në janar dhe shkurt 2017 para se të jepte dorëheqjen për shkak të raportimeve se kishte gënjyer për kontaktin e tij me një zyrtar rus.
Ai më vonë u deklarua fajtor për fshehje të së vërtetës FBI-së në lidhje me komunikimet e tij me ambasadorin e Rusisë në SHBA në atë kohë. Në fund të mandatit të Trump, ai ishte njëri nga njerëzit e falur nga presidenti.
Add new comment