PE i heq imunitetin eurodeputetit grek të ekstremit të djathtë
Parlamenti Evropian i ka hequr imunitetin deputetit të dënuar të Agimit të Artë, Ioannis Lagos.
Votimi u mbajt të të hënën, por rezultatet u bënë të ditura sot. 658 eurodeputetë votuan pro heqjes së imunitetit, 25 kundër dhe 10 abstenuan, raporton "Ekathimerini".
Vendimi i PE i hap rrugë arrestimit të tij nga autoritetet belge dhe ekstradimit në Greqi për të vuajtur dënimin.
Lagos ishte pjesë e lidershipit të Agimit të Artë, që më 14 tetor 2020 u dënuan me 13 vjet burg nga gjykata e Athinës, e cila e shpalli grupin organizatë terroriste.
Një tjetër anëtar drejtues i ish-partisë, Christos Pappas, mbetet ende në arrati.
Agimi i Artë u themelua si grup neo-nazist në vitet ’80. Ai gjeti terren për t’u fuqizuar gjatë krizës financiare të vendit në periudhën 2010-2018.
Duke kandiduar me një platformë nacionaliste, populiste, Agimi i Artë arriti të futej në Parlamentin grek dhe u bë partia e tretë më e madhe politike në vend.
Me një qasje të deklaruar kundër emigrantëve, Agimi i Artë është përfshirë shpesh në sulme brutale në rrugë ndaj tyre, por edhe ndaj aktivistëve të majtë.
Add new comment