Certifikatat anti-Covid/ BE, e hapur për të gjitha vaksinat dhe vendet joanëtare
Certifikatat dixhitale, të cilat do bëhen funksionale në BE nga fillimi i verës, do të lëshohen për të gjitha vaksinat kundër Covid 19 dhe me to do të pajisen edhe qytetarët e vendeve jashtë BE-së.
Komisioneri Evropian për Drejtësinë, z. Didier Reynders, tha para Komitetit të Lirive dhe Drejtësisë në Parlamentin Evropian, se qëllimi kryesor i certifikatave dixhitale është lehtësimi i lëvizjes së lirë në BE.
"Komisioni Evropian ka propozuar që certifikatat dixhitale të shtrihen për shtetasit e vendeve të treta që banojnë ose udhëtojnë ligjërisht në BE”, citohet nga B92 Reynders, i cili shton se duhet një harmonizim i sistemit, në mënyrë që edhe e anasjellta të jetë e vlefshme, pra pranimi nga BE-ja i certifikatave të lëshuara nga vendet e treta.
Për më tepër, sipas Reynders, certifikatat do të lëshohen për të gjitha vaksinat, pavarësisht nëse ato janë miratuar apo jo nga EMA.
"Shteteve anëtare do të kërkohet të pranojnë vaksinat që janë miratuar në nivelin e BE dhe do të jenë të lirë të pranojnë të gjitha vaksinat e tjera," tha Reynders.
Certifikatat në fjalë nuk janë pasaporta vaksinimi. Ato janë tre lloj dokumentesh, në variantin dixhital apo në letër, që dëshmojnë se mbajtësi është vaksinuar kundër Covid 19, është negative në testin për Covid apo ka antitrupa.
Ato do të lëshohen falas dhe vlefshmëria e tyre përfondon në momentin që OBSH deklaron fundin e pandemisë.
Add new comment