Një drejtori dhe dy gjykata injorojnë Gjykatën Kushtetuese
Në Fletoren Zyrtare është botuar së fundmi një vendim i Gjykatës Kushtetuese i datës 4 mars 2021 që është disi atipik nisur nga lloji i vëmendjes që i kushtohet në media kësaj gjykate. Ankues është një subjekt juridik, shoqëria “Top-AlB Konfeksion” që ka kërkuar në objektin e ankimit shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë.
Çështja ka rëndësi për disa aspekte: së pari sepse provon – me vendim Gjykate realitetin e marrëdhënieve mes subjekteve private dhe atyre shtetërore. Dhe së dyti se aty shohim sesi vendimet e Gjykatës Kushtetuese injorohen edhe nga vetë gjykatat. Ankesa lidhet me akte të Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tiranës, e cila është thirrur në proces si palë e interesuar dhe ngjan se të paktën në një rast të vetëm është kapur në shah mat. Në hyrje të parashtrimit sqarohet se:
Kërkuesja “Top-Alb Konfeksion” sh.p.k në datën 5.11.2015 u kontrollua nga inspektorët e subjektit të interesuar, Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, për deklarimin e punonjësve në organin tatimor. Kontrolli u dokumentua me akt-konstatim, i cili iu dërgua për veprime të mëtejshme subjektit të interesuar. Gjatë kësaj periudhe, Gjykata Kushtetuese kishte filluar shqyrtimin e kërkesës së një shoqate, me objekt shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të neneve 5 7,11 13 14,15 16, 17,18, 19 dhe 20 të ligjit nr. 99/2015,“Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”(ligji nr. 99/2015), i cili ka hyrë në fuqi në datën 12.11.2015.
Gjatë shqyrtimit kushtetues, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në datën 23.12.2015, vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 99/2015 deri në dhënien e vendimit përfundimtar prej saj. Ministria e Financave, si subjekt i interesuar në atë gjykim kushtetues, u njoftua me shkrim në datën 24.12.2015 për pezullimin e zbatimit të ligjit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 99/2015 zgjati deri në datën 17.6.2016, kur hyri në fuqi vendimi përfundimtar nr. 33, datë 8.6.2016, i Gjykatës Kushtetuese, pas botimit në Fletoren Zyrtare nr. 108, datë 16.6.2016. Me këtë vendim u shfuqizuan si të papajtueshme me Kushtetutën nenet 5, 14, 15, 16 (pika 4 e shtuar në nenin 121), 17, pikat 1 dhe 2, 18 (pika 2 e nenit 124) dhe 20 të ligjit nr. 99/2015. Ndërkohë që ligji ishte i pezulluar, subjekti i interesuar i ka dërguar kërkueses aktin nr. 82316/16, datë 6.1.2016, “Njoftim vlerësimi për detyrimet tatimore”, me të cilin e njoftonte se për shkak të punonjësve të padeklaruar ajo kishte detyrime për sigurimet shoqërore në masën 6138 lekë për muajin nëntor 2015, si dhe i ishin caktuar dy gjoba gjithsej në shumën 512.276 lekë. Në aktin e njoftimit janë shënuar si bazë ligjore nenet 116, pika 1 dhe 119 të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar (ligjinr.9920/2008).
Neni 119 i këtij ligji ishte ndryshuar në përmbajtjen e tij për masën e gjobës nga neni 14 i ligjit nr. 99/2015, i cili ishte pezulluar në tërësi nga Gjykata Kushtetuese. Kërkuesja nuk ka paraqitur ankim administrativ kundër njoftimit të vlerësimit tatimor brenda 30 ditëve,siç parashikon neni 69 i ligjit nr. 9920/2008. Për rrjedhojë, subjekti i interesuar ka filluar procedurat e mbledhjes së detyrimeve tatimore, duke njoftuar me shkrim kërkuesen për ekzekutimin vullnetar në datën 6.10.2016, duke vendosur barrën hipotekore e siguruese në datën 20.10.2016 dhe duke njoftuar kërkuesen për bllokimin e llogarive bankare për shumën e detyrimit në datën 20.10.2016.
Në këto rrethana, kërkuesja, me pretendimin se njoftimi i vlerësimit tatimor ishte nxjerrë nga subjekti i interesuar në kapërcim të kompetencave ligjore për shkak të pezullimit të ligjit nr. 99/2015, i është drejtuar gjykatës me kërkesë padi, duke kërkuar pavlefshmërinë absolute të njoftimit të vlerësimit tatimor, si dhe detyrimin e subjektit të interesuar për heqjen e barrëve siguruese dhe për kthimin e garancisë. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr. 80-2016-6107, datë 19.12.2016, ka vendosur rrëzimin e kërkesë padisë, me arsyetimin se pretendimi i kërkueses është i pabazuar pasi kompetenca e administratës tatimore për të ushtruar kontroll tatimor bazohet në ligjin nr. 9920/2008, përtej ndryshimeve që ai ka pësuar me ligjin nr. 99/2015,të pezulluar.
Në vijim, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 3748, datë 23.10.2018, ka vendosur lënien në fuqi të këtij vendimi, duke arsyetuar, ndër të tjera, se akti i konstatimit është mbajtur në datën 5.11.2015, përpara se Gjykata Kushtetuese të pezullonte ligjin nr. 99/2015. Në dispozitivin e vendimit është shënuar se kundër këtij vendimi nuk lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë…
Në pretendimet e veta, ankuesja ka referuar parimin e sigurisë juridike, arsyetimin gjyqësor, të drejtën e pronës. Ndërkohë që pala e interesuar, Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë:
nuk paraqiti shpjegime me shkrim dhe as nuk u paraqit në seancë
Ankuesja ka ngritur pretendime për masën e gjobës së vënë përmes një dispozite ligjore të shfuqizuar, duke mos vënë në diskutim masën e detyrimit tatimor, çka e shtron në diskutim një element shumë të rëndësishëm si siguria juridike. Për ta kuptuar më mirë thelbin e arsyetimit të Gjykatës po sjellim tekstin e saj që zhvlerëson pretendimin e DRTT-së dhe gjykatave administrative sipas të cilave njoftimi për detyrimet dhe sanksionin i përgjigjen akt-konstatimit të datës 5 nëntor, pra një ditë para nisjes së shqyrtimit kushtetues të ligjit:
Gjykata konstaton se njoftimi i vlerësimit, i cili krahas detyrimeve tatimore, caktonte edhe gjoba ndaj kërkueses, është nxjerrë nga subjekti i interesuar, Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, në datën 6.1.2016 dhe është i bazuar në nenin 119 të ligjit nr. 9920/2008, të ndryshuar me nenin 14 të ligjit nr. 99/2015, zbatimi i të cilit ishte pezulluar më parë nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 23.12.2015. Si rrjedhim, subjekti i interesuar, në ushtrimin e kompetencës për njoftimin e vlerësimit tatimor, në cilësinë e një organi shtetëror, ka cenuar parimin e ligjshmërisë në drejtim të zbatimit të një ligji të pezulluar dhe parimin e sigurisë juridike, në drejtim të respektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit.
Për më tepër, edhe gjykatat administrative që kanë shqyrtuar dhe kanë dhënë vendim për padinë e kërkueses, duke e rrëzuar atë, nuk janë shprehur për këtë rrethanë. Në këtë mënyrë, gjykatat administrative nuk e kanë përmbushur detyrimin kushtetues për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit, vendim i cili ka fuqi detyruese të përgjithshme dhe forcën e ligjit për të gjitha organet publike, duke përfshirë edhe gjykatat. Duke marrë shkas nga çështja në shqyrtim, Gjykata thekson se efekti detyrues dhe erga omnes i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë edhe me vendimet për pezullimin e zbatimit të ligjit ose të akteve normative. Gjykata Kushtetuese kur vendos një pezullim të tillë, ka vlerësuar pasojat që vijnë nga zbatimi i mëtejshëm i tij ndaj interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve.
Ky lloj vendimi nënkupton ndërprerjen në mënyrë të menjëhershme dhe për një kohë të caktuar të efekteve juridike të ligjit ose të aktit normativ të pezulluar, ndërprerje e cila është e detyrueshme për t’u zbatuar jo vetëm nga palët konkrete në gjykimin kushtetues, ku jepet vendimi i pezullimit, por nga të gjitha subjektet e zbatimit të ligjit ose aktit normativ, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Në analizë të fundit, Gjykata vlerëson se në çështjen konkrete, zbatimi nga administrata tatimore i dispozitave të një ligji të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas, mosriparimi i kësaj situate nga gjykatat, në përmbushje të rolit të subsidiaritetit, dëshmon se gjykatat nuk kanë ushtruar kontroll efektiv për ndërhyrjen që administrata tatimore ka bërë tek e drejta e pronës së kërkueses, e për rrjedhojë, kanë cenuar sigurinë juridike. Duke cenuar sigurinë juridike, gjykatat administrative nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për realizimin e një procesi të rregullt ligjor dhe gjykimi të drejtë sipas nenit 42 të Kushtetutës, të lidhur me parimin themelor të shtetit të së drejtës dhe të ligjshmërisë të sanksionuar nga neni 4 i Kushtetutës. Për këtë arsye, Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkueses është i bazuar
Arsyetimi vazhdon më tej me pikat e tjera duke shteruar një kërkesë që vë përballë dy palë që në vend se të jenë të barabarta në kontratë, shihen se janë në raportin e gjahtarit me viktmën. Janë 3 hallka që kanë konfirmuar të njëjtën shkelje: një agjenci qeveritare dhe dy gjykata, duke ilustruar me këtë rast nivelin e funksionimit të drejtësisë në këtë vend dhe mundësive që ka mandej tregu të zhvillohet.
Çështje të tilla në një vend normal duhet të ishin mosmarrëveshje administrative që zgjidhen edhe me negociim, në Shqipëri ato përfundojnë për drejtësi kushtetuese, ku për çudi autori i zullumit nuk interesohet se çfarë ndodh me të. Dhe të mendosh që drejtoritë juridike të institucioneve të këtij shteti ndjekin deri në shkallën më të lartë çdo ankesë për largim nga puna, me pretendimin se mbrojnë interesin publik, pa shqyrtuar ndonjëherë rrethanat e çështjes, pra ja vlen apo jo të konsumosh shkallë gjyqësori për një kauzë të vdekur. Mësimi është i thjeshtë dhe i qartë: arbitrariteti duhet luftuar me atë mekanizëm që sot e përdor si kamzhik: Ligjin dhe ankesën, saktë dhe ftohtë deri në fund.
Add new comment