Drejtësi invalide nga Strasburgu

Postuar në 09 Shkurt, 2021 23:22

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj reagoi sot menjëherë sapo u njoftua se Gjykata e Strasburgut rrëzoi ankesën e ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, e cila pretendonte se rivlerësimi i saj në procesin e vettingut nga organet përkatëse ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Zonja Gjonaj cilësoi se vendimi i Strasburgut i jep të drejtë procesit të nisur, duke lënë të kuptohet me këtë rast se pretendimet të ngjashme që vënë në pikëpyetje kushtetueshmërinë, apo kompetencën e organeve të rivlëerësimit, janë skualifikuar tanimë përmes këtij precedenti. Por duke pranuar se vendimi në fjalë është përfundimtar dhe mbyll një moment që mund të vinte në diskutim shumëçka, kjo nuk do të thotë se Strasburgu ka dhënë drejtësi që nuk mund të vihet në dyshim. Dhe dyshimi i parë është konflikti i interesit.

Në një intervistë në MCN Tv, gazetari Artur Çani ka prezantuar disa dokumente zyrtare që provojnë se në trupën gjykuese të Strasburgut është pjesë një prej ekspertëve shqiptarë që kanë qenë pjesë e grupit përkatës, quajtur ndryshe si Sekretariati Teknik, i cili formuloi dispozitat për ngritjen e organeve të vettingut. Fjala është për Darian Pavlin, dikur ish-vartës i Albana Shtyllës, njëra prej pesë anëtareve të KPA-së, që ka skualifikuar Xhoxhajn. Në dokumentet e paraqitura Pavli rezulton si koordinator në Sekretariatin Teknik në varësi të Albana Shtyllës, çka ndonëse nuk mundet të vërë në dyshim arsyetimin e Gjykatës në Strasburg, përmbush kushtin e konfliktit të interesit.

Në një shkrim të publikuar dje në ResPublica, theksohej se nja nga kërkesat kryesore në ankimin e zonjës Xhoxhaj është edhe:

...se ajo nuk e konsideron “gjykatë të caktuar me ligj” Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Pra e thënë ndryshe, KPK nuk i plotëson kriteret përkatëse për t’u cilësuar si “gjykatë” dhe për rrjedhojë nuk do duhet të realizonte kontrollin e ankueses. Ky është një argument tepër i fortë, i cili, nëse pranohet nga GJEDNJ rezulton të zhveftësoi të gjithë sistemin e vetting-ut në Shqipëri. Pra, çdo vendim që është marrë deri më sot do të konsiderohej nul nën optikën e GJEDNJ dhe vendimet e saj do të bëheshin të cënueshme nga vetë GJEDNJ mbi bazën e ankesave individuale.

I njëjti pretendim ngrihet edhe për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Edhe në këtë rast, pranimi i këtij argumenti do të zhvlerësonte përsëri të gjithë sistemin e Vetting-ut të realizuar deri më sot në Shqipëri

Këtu zonja Xhoxhaj i referohet një aspekti procedurial ndërkohë që organet e vettingut janë kapitull në Kushtetutë.

Në këtë kuptim ankimi është thelbësor për mbarë procesin, ndaj edhe ai është shumë i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të vettingut, më konkretisht legjitimitetit të tij.

Qenia në trupën e Strasburgut e Darian Pavlit e dëmton integritetin e një gjykate të paanshme, sa kohë një prej anëtarëve të saj është një prej autorëve të atyre dispozitave që skualifikuan zonjën Xhoxhaj, ndaj edhe do të ishte e pamendueshme që Pavli të votonte sot kundër një legjislacioni që e ka miratuar vetë.

Përpara se të shprehej gjykata ka kërkuar mendim edhe nga Komisioni Europian për këtë çështje, pra vettingun, meqenëse reforma në drejtësi ka si financues edhe KE-në. Në përgjigjen e vet, të cilën ResPublica e disponon, KE sugjeron që trajtimi i ankesave të depozituara nga subjektet e rivlerësimit në procesin e vettingut në Shqipëri të ndiqet rast pas rasti, por pa vënë në diskutim vetë procesin.

KE-ja madje tërheq vëmendje te rasti Xhoxhaj kundër Shqipërisë, duke lënë të kuptohet se çdo vendim pro ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese do të kishte kosto të mëdha dhe ndoshta të pakthyeshme, pikërisht për përmbajtjen e ankesës së saj dhe atë se çfarë ajo vë në diskutim.

Sot ne ndodhemi para faktit që një vendim në Strasburg shpall fituese një palë dhe mbyll dosjen e vettingut si të tillë, me një anëtar në konflikt interesi çka në realitet na jep pamjen e një drejtësie invalide. Që në logjikë vështirë se quhet drejtësi.  

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ne burg do perfundojne te gjithe. Po ju djeg shume vetingu se e kishit shpresen tek gjykatat. I nxorret revizionistet e rinj ne Strasburg tani. Po dalin te gjithe evropiane dhe amerikane tradhetare te partise.

Submitted by llaman (not verified) on

Dmth drejtesia e Xhoxhaj ka qene kozmike, kurse ajo e Strasburgut invalide ! Sa idiotesira do vazhdoni te shisni ne tregun e ndyre mediatik?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.