Në kërkim të partnerëve të rinj tregtarë

Postuar në 31 Janar, 2021 10:37

Një vit pasi doli nga BE-ja, Britania është në kërkim të partnerëve tregtarë. Partneriteti Trans-Paqësor është marrëveshja në të cilën Londra kërkon të anëtarësohet.

Sekretarja e Tregtisë Ndërkombëtare, Liz Truss, pritet ta zyrtarizojë të hënën kërkesën drejtuar Japonisë dhe Zelandës së Re. Negociatat pritet të fillojnë gjatë muajve në vijim dhe nëse finalizohen, Britania bëhet vendi i 12-të që i bashkohet këtij grupi.

Qeveria britanike synon që me anëtarësimin në këtë traktat të thellojë lidhjet me ekonomitë me rritje të shpejtë, si Meksika, Malajzia dhe Vietnami.

Kina dhe SHBA-të nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Me anëtarësimin në të, Britania përfiton tarifa më të ulëta për ekonominë e saj. Qeveria thotë se falë këtij partneriteti do t’i hiqen tarifat për 95% të mallrave të tregtuara midis anëtarëve.

Anëtarësimi në Marrëveshjen e Trans-Paqësorit nuk është e njëjtë me marrëdhënien që Britania ka pasur me shtetet e tjera si anëtare e BE-së, pasi nuk përfshin integrim të thellë politik.

Tregtia e Britanisë së Madhe me partneritetin arriti vlerën 111 miliardë paund (rreth 152 miliardë dollarë) në vitin 2019, rreth një të  katërtën e të cilës e zë ajo me Japoninë. Megjithëse e konsiderueshme, shuma është rreth gjashtë herë më pak sesa tregtia e Britanisë së Madhe me BE-në.

Në fund të vitit të kaluar, qeveria britanike nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, sipas të cilës do të aplikohen tarifa zero dhe kuota për mallrat e tregtuara, megjithëse ka kosto të tjera për biznesin nga rritja kontrolleve doganore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.