Pse vaksinat nuk do ta eliminojnë virusin SARS-CoV-2?
Eliminimi përfundimtar i Covid-19 duket se do të jetë një rrugë e gjatë dhe me të papritura. Shumë vende po shpresojnë se vaksinat do të krijojë imunitet të mjaftueshëm në popullatat e tyre, në mënyrë që SARS-CoV-2 të mos jetë në gjendje të gjejë njerëz të ndjeshëm për të infektuar, duke bërë që transmetimi i koronavirusit të ngadalësohet dhe përfundimisht të ndalet. Por pavarësisht zgjerimit të “hartës” së të vaksinuarve, imunizimi përmes saj mund të mos e arrijë shpejt atë që njihet si imuniteti i tufës. Kjo pasi nuk dihet se çfarë niveli i imunitetit kërkohet dhe nëse vaksinat do të jenë mjaftueshëm të efektshme për ta arritur atë. Kësaj i shtohet edhe rreziku i shfaqjes së varianteve të koronavirusit që mund të dobësojnë efektivitetin e imunizimit.
A mund të zhduket Covid-19?
Jo. Deri tani, e vetmja sëmundje që është shfarosur është lia, që do të thotë zero raste në terma afatgjatë, pa pasur nevojë për ndërhyrje tjetër. Lia u shfaros në sajë të një vaksine mjaft efektive dhe faktit që njerëzit janë gjitarët e vetëm të ndjeshëm ndaj infeksionit të virusit variola. Njerëzit janë i vetmi bartës i njohur i poliovirusit, ndërsa me SARS CoV-2 ndryshon puna. Ai mendohet se mbetet në natyrë te lakuriqët e natyrës dhe ka raste të kalimit te vizonët, macet, gorillat dhe kafshët e tjera. Zhdukja e virusit do të kërkonte largimin e tij përfundimtar nga çdo specie e ndjeshme, gjë që nuk është e realizueshme. Në vendet që kanë ia kanë dalë me sukses ta vënë nën kontroll është propozuar eliminimi i sëmundjes.
Çfarë është eliminimi?
Eliminimi ndodh kur përpjekjet për të kontrolluar një shpërthim rezultojnë me zero raste të reja të një sëmundjeje ose infeksioni në një zonë të përcaktuar për një periudhë të qëndrueshme. Nuk ka një përkufizim zyrtar se sa duhet të jetë kjo. Një propozim është ta bësh atë 28 ditë, që korrespondon me dy herë më shumë se diapazoni i jashtëm i periudhës së inkubacionit të SARS-CoV-2 - koha midis infeksionit dhe shfaqjes së simptomave. Disa vende si Zelanda e Re, kanë arritur zero raste të reja për periudha të gjata duke përdorur mbylljen e kufijve, bllokimet dhe zbulimin dhe izolimin rigoroz të rasteve të reja. Gjatë një pandemie, e cila është shpërthimi i një infeksioni të ri në të gjitha kontinentet, eleminimi i qëndrueshëm i çdo sëmundjeje infektive në të gjithë vendin është sfidues, në mos i pamundur, për shkak të kërcënimit të ri-hyrjes së virusit në vend nga udhëtarët ndërkombëtarë të infektuar.
A do ta eliminojnë vaksinat Covid-19?
Kjo nuk mund të parashikohet me siguri. Nuk dihet ende se cila pjesë e popullsisë duhet të ketë imunitet për të ndaluar qarkullimin e koronavirusit, ose nëse edhe vaksinat më të fuqishme do të jenë në gjendje të parandalojnë përhapjen e saj. Një studim vlerësoi se për të ndaluar transmetimin, 55% deri 82% e popullsisë do të duhet të kenë imunitet, i cili mund të arrihet ose duke u shëruar nga Covid-19 ose përmes vaksinimit. Sidoqoftë, imuniteti i tufës nuk u arrit as në Manaus, kryeqyteti i shtetit të Amazonës në Brazil, edhe pasi rreth 76% e popullsisë ishte infektuar. Nuk ka ende arsye për të besuar se vaksnimi masiv do të ketë efekt më të fuqishëm.
Sa efektive do të jenë vaksinat?
Deri tani ka prova të besueshme që vaksina Pfizer Inc.-BioNTech SE dhe Moderna Inc. ka qenë e efektshme - deri në 95%. Sidoqoftë, nuk ka ende të dhëna nëse efektshmërinë e vaksinës në moszhvillimin e një sëmundjeje asimptomatike apo në uljen në zero të transmetimit te tjetri. Standardi i artë në vaksinologji është ndalimi i infeksionit, si dhe sëmundjes, duke siguruar të ashtuquajturin imunitet sterilizues. Por jo gjithmonë arrihet. Vaksina e fruthit, për shembull, parandalon infeksionin në mënyrë të tillë që ata që e kanë bërë të mos e përhapin virusin, ndërsa vaksina për kollën e mirë është efektive kundër sëmundjes, por është më pak efektive në ndalimin e infeksionit. Ndërkohë, një studim i vaksinës Moderna’s te majmunët me Covid sugjeroi që ajo do të zvogëlojë, në mos të parandalojë plotësisht, transmetimin e virusit më tej. Provat klinike të vaksinës AstraZeneca Plc tregojnë se mund të jetë më pak se 60% efektive në ndalimin e infeksioneve - duke e bërë të pamundur arritjen e imunitetit të tufës edhe nëse e gjithë popullata i bën të dyja dozat.
5. Si ndikojnë variantet e virusit?
Te të shëruarit nga Covid-19, studiuesit kanë studiuar aftësinë e antitrupave për të bllokuar variantet e reja B.1.1.7, 501Y.V2 dhe P.1 me përhapje të shpejtë, të raportuara së pari në Britani, Afrikën e Jugut dhe Brazil. Disa hulumtime treguan potencialin që kanë këto variant t’i shpëtojnë imunitetit që krijon infektimi në mënyrë natyrale. Shkencëtarët paralajmëruan që studimet laboratorike janë vetëm indikative dhe nuk ka prova që kjo në të vërtetë po ndodh në komunitet, ose nëse antitrupat e gjeneruar nga vaksinat do të jenë më pak efektivë ndaj llojit të ri.
Po nëse Covid-19 nuk eliminohet?
David Heymann, kryetar i Grupit Këshillimor Strategjik dhe Teknik të OBSH-së për Rreziqet Infektive, paralajmëroi në fund të vitit 2020, se "fati i SARS-CoV-2 është të bëhet endemik". Viruset që janë endemikë qarkullojnë vazhdimisht në komunitet, duke shkaktuar shpesh rritje periodike kur karakteristikat e sëmundjes dhe modelet e sjelljes njerëzore favorizojnë transmetimin. Shembujt përfshijnë norovirusin, shkakun famëkeq të gastroenteritit në kryqëzorët turistikë dhe një mori virusesh, përfshirë katër koronavirusë, që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, veçanërisht gjatë dimrit.
Cilat mund të jenë implikimet?
Mbetet e panjohur se si do të evoluojnë gjërat, por studiuesit kanë filluar të përcaktojnë skenarë. Njerëzit që i kanë mbijetuar Covid-19 dhe ata të vaksinuar kundër tij ndoshta do të mbrohen nga sëmundja për disa kohë. Ka gjasa që ri-ekspozimi ndaj virusit ose një dozë përforcuese e vaksinës do të forcojë mbrojtjen e tyre. Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz zhvillojnë imunitet në këtë mënyrë, virusi do të gjejë ata që nuk janë imunizuar ende, për sa kohë që imuniteti i tufës nuk është arritur. Kjo do të thotë që njerëzit që nuk mund të vaksinohen - sepse sistemi i tyre imunitar është i kompromentuar, ose ata kanë alergji ndaj përbërësve të vaksinës, ose janë shumë të rinj (asnjë nga vaksinat e autorizuara në vendet perëndimore nuk është aprovuar për fëmijë) - do të mbeten vulnerabël. Disa shkencëtarë kanë parashikuar që, pasi të arrihet faza endemike dhe ekspozimi primar ndaj virusit të ndodhë në fëmijëri, SARS-CoV-2 mund të mos jetë më virulent sesa gripi i zakonshëm. / Bloomberg / Përktheu: Gazmira Sokoli /
Add new comment