Stilisti Pierre Cardin vdes në moshën 98-vjeçare
Stilisti francez, Pierre Cardin, është ndarë nga jeta në moshën 98 vjeç. Në një karrierë që zgjati më shumë se 60 vjet, Cardin mori njëkohësisht admirimin dhe përbuzjen e kolegëve të tij në botën e modës për nuhatjen e fortë për biznes dhe solli risi në pasarela.
Cardin, i cili ishte këshilltar i stilistëve si Jean Paul Gaultier, ishte aktiv në qarqet e modës deri në momentet e fundit, ndihmoi të rriteshin dizajnerët e rinj dhe mori pjesë në festa dhe evente, ndërsa shkonte rregullisht në zyrën e tij në Paris me Jaguar.
Cardin ishte stilisti i parë që shiti koleksionet e rrobave në dyqane në fund të viteve 1950 dhe i pari që hyri në biznesin e licencimit të parfumeve, aksesorëve dhe madje edhe ushqimit – duke sjellë më vonë fitime edhe për shumë shtëpi të tjera të modës.
Sado e vështirë mund të jetë të imagjinohet pasi kanë kaluar disa dekada, çokollatat Armani, hotelet Bulgari dhe syzet e diellit Gucci, të gjitha bazohen në atë që Cardin e kuptoi para të tjerëve: Joshja që krijon marka ka potencial të pafund tregtar.
Me kalimin e viteve, emri i tij është shkruar në brisqe rroje, sende shtëpiake, madje edhe në të brendshmet e lira të meshkujve.
Ai ka thënë dikur se nuk do ta kishte problem t’i shihte inicialet e tij, PC, të gdhendura në rrotulla letre higjienike.
Kundërshtarët e tij e akuzuan atë për shkatërrimin e vlerës së markës së tij dhe nocionit të luksit në përgjithësi. Por Cardin s’e ka vrarë mendjen kurrë për kritikat.
Ai ka ngulur këmbë gjithnjë se e ka ndërtuar perandorinë e tij të biznesit pa kërkuar kurrë kredi në bankë. I lindur pranë Venecias më 2 korrik 1922, nga prindër francezë me origjinë italiane, Cardin u arsimua në qytetin francez të Saint Etienne.
Kur mbërriti në Paris në 1945, ai bëri maska teatrale dhe kostume për filmin e Jean Cocteau, "Bukuroshja dhe bisha", dhe një vit më vonë u bashkua me Christian Dior, në atë kohë ende i paafirmuar.
Sipërmarrja e tij e parë e madhe tregtare, kur u bashkua me dyqanin Printemps në fund të viteve 1950, bëri që ai të përjashtohej për pak kohë nga shoqata e stilistëve francezë, Chambre Syndicale de la Couture.
Ai gjithashtu ia doli t’i nxirrte produktet e tij jashtë Francës shumë kohë para shumëkombësheve të tjera të modës që ishin në kërkim të tregjeve të reja.
Ai prezantoi një koleksion në Kinën komuniste në 1979 kur vendi ishte ende i mbyllur për botën e jashtme. Dhe vetëm dy vjet pasi Muri i Berlinit u shemb, në 1991, një shfaqje e modës Cardin në Sheshin e Kuq të Moskës tërhoqi një turmë prej 200 000 njerëzish.
Cardin u zgjerua në biznese të reja, duke blerë restorantin Maxim në Paris në vitet 1980 dhe duke hapur pika të tjera nëpër botë. Ai e shfrytëzoi investimin më tej duke nisur Minim’s, një zinxhir të dyqaneve të ushqimit të shpejtë të zbukuruar sipas stilit Belle Epoque.
Perandoria e tij përfshin parfume, ushqime, dizajn industrial, pasuri të paluajtshme, argëtim dhe madje edhe lule të freskëta.
Cardin ka në pronësi Palais des Bulles, ose Bubble Palace, një ndërtesë ekskluzive në shkëmbinj, në një nga zonat më të lakmuara të rivierës franceze.
Jo shumë larg prej aty, ai ka një vilë në fshatin Lacoste që dikur i përkiste Markezit de Sade.
Add new comment