Një dosje patriotizmi për Thaçin, një dosje tradhëtie për Bashën...Në emër të Shqipërisë

Postuar në 16 Nëntor, 2020 20:03

Sot Edi Rama ka hedhur një  hap më tej në ndotjen e mjedisit politik të Kosovës me ndikimet dhe manovrat e veta. Ai ka nxjerrë kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla që të propozojë ngritjen e një komisioni parlametar për rolin e Shqipërisë në luftën e Kosovës. Duke folur në parlament rreth kësaj teme z. Balla ndër të tjera tha:

…ne si Kuvend të vlerësojmë mundësinë e ngritjes së një komisioni të posaçëm që merr bashkë të gjitha këto fakte dhe vetëm më pas mund të shkojmë te një rezolutë që duhet të denoncojë përpjekjen për të bërë pis luftën çlirimtare në Kosovë. Lufta për liri është e pastër, ka moral dhe është e ndershme

Ajo çfarë po ndodh aktualisht duke se është një lojë e pisët politike me disa synime.

Së pari z. Rama ka kapur momentin për të diskredituar PD-në në Kosovë dhe patjetër inercinë e adminirimit që ka për Sali Berishën në disa qarqe aty. Z. Rama dhe PS-ja në përgjithësi nuk janë të mirëpritura në Kosovë pasi një pjesë e opinionit e asocion atë me Greqinë. Në planin e brendshëm, ky komision nëse do të ngrihet vërtet ndonjëherë, do të ngrejë patjetër çështjen e përfshirjes së Lulzim Bashës në raportin e Dick Marty-it që është sot baza për akuzën ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Dhe në kontrast me këtë akuzë të cilën Partia dhe Media e saj do ta pajtojë me financimet ruse, do të shpaloset rolit historik I të majtëve në atë kohë të cilin patjetër z. Rama do të kërkojë ta kapitalizojë për vete. Deri këtu nuk ka ndonjë gjë të re nëse mbajmë parasys sesa amorale është jeta politike e një njeriu si Edi Rama që jeton mbi sipërfaqe fasadash. 

E megjithatë këtu ka një përpjekje të madhe propagandistike që tenton të relativizojë përpjekjen për të zbardhur disa gjëra në kontekstin e luftës së Kosovës. Me një ndërhyrje që nuk dihet se ç’lidhje ka me Shqipërinë, Taulant Balla tha po ashtu se:

Specialja është një gjykatë vendore, është një dhomë e një gjykate ndërkombëtare. Edhe pse zhvillohet në Hagë, nuk di t’ia definoj statusin asaj gjykate

Këtu çështja është patjetër te statusi I Hashim Thaçit, një ndër lojtarët  kryesorë në Kosovë për idenë e një marrëvshjeje të shpejtë me Serbinë.  Me komisionin e Edi Ramës po tentohet që të krijohet një dosje patriotike për Hashim Thaçin dhe një dosje tradhëtie për Lulzim Bashën, që në opinionin shqiptar amortizon çdo dënim eventual që mund të vijë nga Gjykata Speciale.

Është shumë e papritur që pas akuzave të ngritura ndaj Hashim Thaçit, kryepropagandisti I Ballkanit, Aleksander Vuçiç nuk ka bërë asnjë koment. Në dallim nga rasti kur në Francë u izoluar Ramush Haradinaj kur presidenti serb foli për një kriminel, kësaj radhe ai po hesht.

Ai ka folur menjëherë pasi Vjollca Osmani, në detyrën e presidentit të Kosovës kërkoi ndërprerjen e dialogut në kushtet kur kreu I shtetit është në gjykim. Menjëherë më pas z. Vuçiç krahasoi Kosovën me Nagorno-Karabakun, po atë ditë kur kishte rënë dakord për krijimin e Tregut Rajonal në Samitin e Sofjes dhe kur binte dakord që shqiptarët të hyjnë në Serbi vetëm me karta identiteti dhe pa testim për CoVid-19. Si mund të pajtosh këto dy qëndrime në politikën e jashtme?

Vetëm me një mënyrë: z. Vuçiç po investohet për vijimin e dialogut dhe që ky process të ketë njëfarësoj sukses ai duhet të ruaj Hashim Thaçi nga izolimi i plotë. Është po ashtu shumë “e çuditshme” heshtja e LDK-së së Isa Mustafës që është në koalicion me PDK-në formalisht pse duhet të çojë para dialogun me Serbinë sipas “porosisë së SHBA”. Dhe kjo heshtje ilustron më së miri se ndikimi I PD-së është ose zero, ose opozita e Tiranës është alineuar me planin e ndarjes së Kosovës.

Në një vend normal demokratik, kur ka një goditje të tillë do të duhet të flitej për zgjedhje. Por zgjedhjet në këtë stad shkojnë në favor të Vetëvendosjes, forca e vetme e pacenuar nga kjo koniunkturë që po zbulon dita –ditës manovrat politike që bëhen për mbijetesën e dikujt dhe imazhin e një tjetri, por vetëm për paqe reale jo.

Dhe njjë ardhje e Vetëvendosjes sërish në pushtet do të ishte goditje për një skenar nga i cili nuk heqin dorë kollaj. Mund të kuptohet kjo fare mirë në Kosovë, sepse atyu po vihet në zbatim një proces spastrues, mund të kuptohet edhe Vuçiç sepse e do një punë të mbyllur në Kosovë, me dialog, çka do të rehabilitonte përfundimisht Serbinë.

Por si ta kuptosh Tiranën zyrtare që përherë, në dekada e dekada, nga një proces në tjetrin luan rolin e spiunit që pështyn sapo kthen kokën? Cila lojë, cili interes e përligj këtë politikë të neveritshme ku pabesia dhe hipokrizia paraqiten si interes kombëtar? Vështirë ta gjesh, ndonëse ato shpjegohen më mirë me psikozën e servit që qëndron në themel të këtij shteti dhe të çdo elite që ka uzuarpuar atë prej një shekulli.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.