Rrumpalla si arkitekturë politike

Postuar në 13 Tetor, 2020 20:43

Ky u bë diktator, bën çfarë do!

Kjo është një fjali që e dëgjon shpesh së fundmi nga njerëz që nuk e durojnë dot më këtë qeveri, por që nuk dinë si t’i japin dum çështjes së mungesës së alternativës. Për një parantezë: socialistët bëhen të pështirë, demorkatët të urryer. Shumëkush mund të kujtojë socialistët e Fatos Nanos në vitin 2004-2005, të kujtojë Fatos Nanon dhe delirin e tij, derisa siç edhe e tregojnë vetë i erdhi një pusullë e futi nja ca hithra bythëve.

Sot socialistët, rilindas apo jo janë po aq të pështirë në sytë e një pjese të njerëzve të këtij vendi. Në dallim nga rivalët e tyre tradicionalë, socialistët përveç se vjedhin bëjnë edhe moral dhe sepse preferojnë luksin e dukshëm. Kuptohet ky është një perceptim deri diku i përgjithshëm, pasi nuk ka studime pët këto gjëra. Për t’iu kthyer temës së fillimi: Edi Rama diktator nuk është ndonjë realitet. Shikoni fytyrën e këtij njeriu dhe e kuptoni se ai është një klloun i suksesshëm politik që improvizon dhe mashtron. Ai nuk ka strukturë të menduari politik, ai e konsumon pushtetin, nuk e adhuron atë. Një diktatori i intereson pushteti shpirtëror ose afirmimi i modelit të tij, z. Rama I intereson të jetë rehat duke bërë fasada dhe kulla që janë edhe maksimumi i ambicies që ka.

Ai gënjen dhe mashtron me të njëjta zeje si paraardhësi i tij duke shtuar estetikën e një parvenuje që shpall vendin e vet në histori. Mirëpo përkufizim i tij si Diktator është në fakt gjendej psikologjike e atyre që e urrejnë, apo nuk e honepsin dot, pse emër tjetër nuk i gjejnë dot.

I korruptuar? Hajdut? Po kush nuk është? Krahu rival e kundërshton zotin Rama me të vetmen akuzë që mund të përdorë pa qenë vetë në shënjestër. Në këtë kuptim Diktatura është broshurë e detyruar për gjelltoren e opozitës që nuk arrin të orientohet dot në një skenë ku e vetmja fitore apo shpresë ngjallet nga mesazhi për subversion ndaj sistemit. Premtim të cilin ajo as e bën dot, as nuk mund ta bëjë. Ndaj në këtë teatër me hapësirë të kufizuar z. Rama ka pozitën më komode, pse ndonëse më I pështiri sipas një optike, është më "i zgjuar” sesa kundërshtarët që janë inekzistentë.

Kështu duhen parë edhe pickimet e tipit anofel që vijnë nga këneta e fekalit mediatik pranë tij që shpesh e më shpesh stigmatizon si  budallenj dhe të gjysmakë opozitarët, për të ngulitur pikërisht këtë psikologji prej të pamaposhturi. Kjo është diktatura e dështimit, ku aderon vetë opozita. Pasi përndryshe ne pamë sesi edhe Sali Berisha që argaliset në Facebook e detyroi me nja dy shifra e një skicë Edi Diktatorin të autofilmohej në shtëpinë e tij në Surrel, aty ku siç i thonë “i dhemb aq shumë”.

Por z. Berisha hoqi dorë dhe kaloi te revolucioni, një fushë retorike – as e tillë nuk është më – ku z. Rama ndihet rehat. Vallë kaq nuk kuptojnë këta të opozitës? Me siguri që jo. Ky është nga ata farë diktatorësh që kërkon ta ndajë pushtetin, do tepsinë dhe jo më timonin sepse ka sëkëlldi të mëdha. Ndaj ky budallallëku në keqleximin e këtij pushteti që zvarritet është monumenti që z. Rama po ngre dhe ndihmon të ngrihet, sepse ashtu fsheh atë monumentin e jetëgjatësisë në pushtet. Nga perspektiva e tij duhet të jetë shumë argëtuese të shohësh sesi ngatërrohet njerëzia me këmbët e veta, sesi mrrokulla banale që lëshohen në Facebook marrin udhë e çalltisin si teza stretagjike në media dhe politikë, duke gjetur aty edhe ato që vetë autori si kishte ndërmend. Në fund të fundit z. Rama një gjë e ka kuptuar: Rrumpalla është politikë në Shqipëri.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.