Programi Botëror i Ushqimit nderohet me Nobelin e Paqes
Çmimi Nobel për Paqen për këtë vit i është dhënë Programit Botëror të Ushqimit, për kontributin ndërkombëtar në luftën kundër urisë.
Në garë për Nobelin e Paqes, një kategori që ka rezervuar shpesh surpriza, ishin 318 kandidatë, nga këto 211 individë dhe 107 organizata. Një listë e gjatë kadidatësh, përbërja e së cilës, në bazë të rregullave të Akademisë Suedeze, nuk dihet dhe as nuk do të merret vesh ndonjëherë.
"Pandemia e koronavirusit ka kontribuar në një rritje të shpejtë të numrit të viktimave të urisë në të gjithë botën. Në vende të tilla si Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Sudani i Jugut dhe Burkina Faso, kombinimi i konfliktit dhe pandemisë ka çuar në një rritje dramatike të numrit të njerëzve që jetojnë në kufijtë e urisë. Përballë pandemisë, WFP ka treguar një kapacitet mbresëlënës për të rritur përpjekjet e tij. Siç ka pohuar e njëjta organizatë, deri në ditën kur do të kemi një vaksinë mjekësore, ushqimi është vaksina më e mirë kundër kaosit", thuhet në motivacionin e Akademisë së Nobelit.
"Falënderime të përzemërta Komitetit të Nobelit për nderimin e Programit Botëror të Ushqimit me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2020. Kjo është një mënyrë e fuqishme për t’i kujtuar botës që paqja dhe zhdukja e urisë shkojnë krah për krah", shkroi vetë WFP në Twitter.
Programi Botëror i Ushqimit është agjenci e Kombeve të Bashkuara, që trajton çështjet e urisë dhe promovon sigurinë ushqimore. Ky program arrin të sigurojë çdo vit ushqim për rreth 93 milionë persona në nevojë në 83 vende të ndryshme.
Add new comment