Idioti i politikës
Prej gati një viti tashmë, media të caktuara pranë qeverisë kanë ndryshuar teknikën e raportimit për opozitën jashtëparlamentare. Duke mos u përqendruar te mesazhi politik, por tek ai personal, shpesh i ekzagjeruar dhe brenda kontekstit të anekdodës, ky raportim ka mëtuar të nxjerrë një anë prej karagjozi të përfaqësuesve të opozitës. P.sh nëse Monika Kryemadhi thotë se Edi Rama “do dru mor vlla”, një lexim është se ajo po flet për një elektorat të caktuar, por një lexim tjetër është se kemi të bëjmë me një grua në politikë që ankohet siç bëjnë zakonisht gratë. Pa folur për banlitetin e komunikimit që ilustron një politikë pa ide dhe të varfër.
Ky raportim devijon debatin politik duke ngarkuar psikologjikisht lexuesin me idenë se Këta janë budallenjtë e zakonshëm. Vallë të jenë kaq budallenj përfaqësuesit e opozitës? Sigurisht që jo. Ose: me gjasë Jo.
Mirëpo kur lexon raportime të tjera si ky i sotmi se Lulzim Basha ka nisur të frekuentojë një vilë të ndërtuar nga Samir Mane në Lalëz, atëherë nis e dyshon se trashësia politike te Basha është diçka reale. Po aq reale sa paaftësia e tij karakteriale për t’i qëndruar diçkaje. Sepse si mundet që dikush që premton luftë oligarkisë nuk duron dot pa marrë një vilë me qira me Papuli dhe pa frekuentuar – blerë apo dhuruar kush e di – një vilë të Manes? Në rastin e qerasë z. Basha bëri një argumentim qesharak, mjeran si vetë ai, herën e dytë ende nuk kemi parë reagim. Të shpresojmë se kemi të bëjmë me një lajm të pavërtetë. Por është për të ardhur keq, e nga një anë për t’iu gëzuar këtij idiotizmi të pakujdesshëm të dikujt që mesa duket përton të jetë në opozitë. Sepse në fund të fundi kjo sjellje konfirmon domosdoshmërinë për alternativa të tjera.
Dallon ky lloj akti edhe nga budallallëku i Ilir Metës me ditëlindjen e organizuar prej tij pasi erdhi në pushtet me Edi Ramën. Një organizim prej nga ku doli edhe legjenda se vila e presidetit në Lalëz ka 11 banja. Ky njeri sot është president, ai tjetri që bëri zbulimin e jorganëve të vilës në në Surrel me ermalët e hu-morrit televiziv është kryeministër, kurse ky i fundit po udhëton nga vila në vilë. Dhe të tre këta akuzojnë mediat se nuk po i përkrahin apo mbështesin në kauzat e tyre fisnike!!!
Për çfarë duhet vettingu me këta Ali Babatë e Mëmëdheut?
s.zaimi
Add new comment