Ministrja: Ëndrrat me 20 milionë euro/km janë të shqiptarëve
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka dalë sot në Parlament për të mbrojtur projektin e rrugës Milot – Fier. Është një aks ku siç është raportuar do të paguhen 20 milionë euro/km, një aks të cilin askush nuk e sqaron se për çfarë nevojash emergjente duhet bërë. Ministrja ka zgjedhur të bëjë Instruktorin e Komitetit të Partisë, kur në vend se të sqarojë me hollësi projektin, pasi i flet mbarë qytetarëve, zgjedh të replikojë me armiqtë e progresit.
Do e nis nga e para, pse pas lançimit ditën e mërkurë të këtij projekti, nuk u hodhën dokumentacionet në APP. E kam ndaluar unë. E kam ndaluar, sepse vetëm pak minuta pas lançimit u turët në ekrane për të vjellë, jo më baltë, por zift. I kërkova pjestarëve të grupit të punës, të ndalonin, dhe dëgjova deklaratat, dhe analizuam.
Dhe i analizuam nëse mos kishit ndonjë fije të vërtete, nëse na ka shpëtuar ne apo ekspertëve ndërkombëtarë. Kam një pyetje për ju, kush janë ekspertët tuaj. Se ju thoni që ekspertët tuaj thonë që projekti është korruptiv. Janë kompani e atashuar pranë qeverisë financuar nga BE. Në 12 vite nuk bëtë atë që bëri Gjiknuri bëri në 14 muaj, dhe unë në 18 muaj.
E kuptoj shumë stresin tuaj, por pres të më prezantoni ekspertët, se unë ja u prezantova. Nuk na del që ta ndërtojmë nga buxheti i shtetit. Por çfarë koncesioni është ky? Qeveria shqiptare nuk vendos asnjë qindarkë. 1.18 miliardë euro do të vijë nga investitori privat, i cili nëpërmjet një gare ndërkombëtare duhet të fitojë me pagesën më të ulët. Besoj se ju dhashë përgjigje pyetjeve, edhe pse ju nuk meritoni përgjigje.
Nga del ky 17.4 euro? Që kur autostradat kanë dalë, paguhen me segmente. Xhenova- Bari paguhen 150 euro. Apo në autostradat në Greqi. Gjurma ekzistuese, nuk duam të hapim probleme me shpronësimet dhe bizneset.
0.075 euro për kilometër. 7.5 euro për kilometër. Autostradat me pagesë janë autostradat e shpejtësisë. Qytetarët do të mund të zgjedhin rrugën me pagesë apo pa pagesë. Këtë do bëjmë ndryshe nga ju. Ne jemi qeveria e ndërtimit. Ju keni qenë qeveria e shkatërrimit. Dhe kur të kaloni me automjetet tuaja në këtë aks të ri, do thoni e paskan qarë, siç thoni kur kaloni tani në Bypassin e Fierit
tha Balluku.
Është një gjuhë e njohur për veshët e qytetarëve kjo e ministres. Një gjuhë ku morali nuk shkëputet nga dyshimi për vjedhjen masive dhe ku predikohet një demagogji kaq banale e cila tradhëtohet nga luksi dhe vilat e ministrave të kësaj qeverie. Zonja Balluku përfaqëson një zgjedhje personale të Edi Ramës. Asush nuk e di se për cilat arsye ajo u katapultua në detyrën e tanishme, njësoj si koleget e veta në qeveri. E megjithëse këto askushe me fat janë ulur nga të tjerë në karrige, nuk hezitojnë që të flasin edhe në emër të ëndrrave tona. Zonja Balluku p.sh flet për një ënderr të shqiptarëve për rrugën Milot-Fier. Mirëpo edhe në qoftë kështu rrugët, apo investimet nuk bëhen në emër të ëndrrave vetëm, por edhe tyë llogarive ekonomike.
Në Shqipëri janë ndërtuar shumë rrugë vitet e fundit dhe ne ende sot nuk e dimë nëse ndonjëra prej tyre del me fitim, apo përligj së paku studimin e fizibilitetit. Rruga e Kombit u parashikua të kishte 12 mijë makina në ditë, vallë i ka kaq sot? Mënyra sesi po veprohet sot do të përcaktojë funksionimin e Shqipërisë nesër. Projekte gjigande infrastrukturore jashtë Tiranës, vila në bregdet dhe fshatra turistikë, kulla dhe pedonale në Tiranë. Për kë punon kjo Shqipëri? Kujt po i shërbejnë këto para të buxhetit? Kujt i shërben tuneli i Llogorasë?
Është një mendim se rrugët duhen bërë dhe sa më mirë të bëhen, aq më dobi sjellin. Por kostot nuk mund të injorohen në një vend ku jetesa është e vështirë dhe të ardhurat janë më të ulëtat në Europë. Vizioni se rruga sjell zhvillim nuk justifikohet nga përvoja e Shqipërisë që një pjesë të akseve në vend se të sjellë zhvillim janë shndërruar në barrë. Nuk po zëmë në gojë këtu faktin se Shqipëria paguan tarifë për rrugët, por edhe taksë qarkullimi që presupozohet të shkojë në mirëmbajtjen e rrugëve, por në fakt adresohet për probleme të tjera.
Add new comment