Mediat ruse/Misioni i Rudolf Hes sipas arkivave sovjetike
Agjencia ruse e lajmeve, Sputnik, publikonte dje një lajm sipas të cilit në arkivat sovjetike të Luftës së Dytë Botërore gjendet një shpjegim shterues mbi misionin e Rudolf Hes në Britaninë e Madhe. Ngjarja në fjalë ka provokuar debate të mëdha mes historianëve dhe ajo konsiston në një fluturim personal të njeriut kryesor të Aldof Hitlerit në Skoci më 10 maj 1941.
Aty ai u arrestua pas zbriti nga avioni i tij Messershmitt, ndonëse kërkoi të takohej me Douglas Douglas Hamilton, një njeri i elitës britanike që mendohet se ka patur kontakte me zyrtarët nazistë. Ish-kryeministri britanik i kohës, Uinston Çërrçill urdhëroi ndalimin e Hes dhe nuk autorizoi asnjë lloj negociate me të. Fati i Hes u vulos me këtë akt dhe jeta e tij mori fund në vitin 1987 kur u gjet i varur në qelinë e tij në Spandau. Versioni i vetëvrasjes nuk u pranua nga pala sovjetike që ngriti shumë dyshime.
Tani, sipas agjencisë ruse, Sputnik, që e publikon këtë lajm më 22 qershor, pra ekzaktësisht 79 vjet pas sulmit gjerman mbi Bashkimin Sovjetik, duket se misteri po davaritet. Një historian rus, Vladimir Makarov ka folur për këtë çështje në një intervistë për Ria Novosti, duke referuar si burim për misionin e zëvendësit të Hitlerit, Karlheinz Pinsch, adjutant i Hes, i cili është marrë në pyetje nga shërbimi sekret sovjetik i kohës, NKVD. Historian rus thotë se sipas dëshmisë së adjutantit Hes shkoi drejt Anglisë me këtë axhendë për politikën britanike:
Gjermania heq dorë nga pretendimet mbi kolonitë e veta në Afrikë
Gjermania do të kufizojë përmasën e flotës së vet, duke njohur supremacinë britanike në det
Berlini nuk ishte i interesuar në shkatërrimin e Perandorisë Britanike dhe do të ishte i gatshëm të mbështeste Londrën në ruajtjen prej saj të statusit të fuqisë globale
Gjermania ishte e gatshme të mbështeste Mbretërinë e Bashkuar në parandalimin e një krize ekonomike pas lufte, nësë do ta fitonte atë
Gjermania do të kërkonte nga Londra të rikthente asetet private të ngrira nga Britania pas vitit 1918 që nuk ishin caktuar për reparacionet. Shtuar kësaj, Britania detyrohej, pas marrëveshjes së paqes, të furnizonte Gjermaninë me lëndë të parë
Gjermania do të angazhohej në parandalimin e bolshevizimit të Europës nga Bashkimi Sovjetik dhe të kishte dorë të lirë në Lindje, në përputhje me kushtet që supozoheshin të kërkoheshin nga britanikët në bisedimet e supozuara sekrete të gushtit 1940 në Gjenevë
Shpjegimi mbi këtë propozim lidhet sipas Makarov, por edhe logjikës historike, me përgatitjet përfundimtare për sulmin mbi Bashkimin Sovjetik duke mbyllur kështu krahët nga Perëndimi. Sipas këtyre të dhënave Hes shpresonte te kontaktet e veta të mëhershme mes të cilëve hynte edhe Duka i Bedfordit, Llojd Xhorxhi, ish-sekretari i Thesarit, Lordi Simon dhe diplomati Uilliam Strang, të paktën neutralitetin britanik.
Rezultati dihet: Hes u burgos nga Çërcilli, por ky pretendim i palës ruse mbetet supozim deri në hapjen e arkivave britanike dhe gjermane për këtë çështje, pasi një nga dilemat e mëdha të çështjes “Hes” është nëse Hitleri dinte gjë apo jo. Nga ana tjetër afeksioni i Hitlerit, në mos edhe kompleksi i tij ndaj britanikëve u konfirmua deri diku në Dunkirk, një tjetër ngjarje e debatueshme kjo.
Comments
Natyrisht Hess eshte degjuar
Natyrisht Hess eshte degjuar dhe marre ne pyetje. Dhe natyrisht izolimi (thuajse burgimi) i tij u propagandua thekshem. Hessi ishte i tepert ne politiken e parapregatitur!
Add new comment