Dështuan edhe të huajt. Gjyqësori, shkelësi më i madh i të drejtave në Kosovë
Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari ka deklaruar në një intervistë për “KosovaPress” se shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut në vend është pushteti gjyqësor.
Shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut në Kosovë mund të identifikohet mbi bazën e numrit të ankesave që kemi pranuar në institucionit të Avokatit të Popullit. Prej së paku kur kam ardhur unë në vitin 2015 e deri më sot në të gjitha raportet vjetore duke përfshirë edhe këtë të fundit që i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës dhe para pak ditësh e dorëzuam në kopje fizike me të gjitha përmbledhjet e raporteve që kemi bërë gjatë vitit të kaluar Kuvendit të Kosovës, në masë pothuajse të balancuar apo të përafërt janë sistemi gjyqësor me një anë dhe ekzekutivi që përfshinë administratën e gjithë vendit, që përfshinë edhe ministritë dhe autoritet komunale në anën tjetër.
Mirëpo, gjithmonë gjykatat me një nuancë apo përqindje më të vogël ka paraprirë në numrin e ankesave që janë paraqitur në institucionin e Avokatit të Popullit. Pretendimet e qytetarëve për shkelje kryesisht i referohen sistemit gjyqësor
Konkluzioni në fjalë vë në dukje një problem themelor të funksionimit të republikave si Kosova apo Shqipëria, ku vullneti politik barazohet me korrupsionin. Shkeljet e gjykatave janë refleks i këtij realiteti që është kaq familjar në botën shqiptare.
Dallimi mes Kosovës dhe Shqipërisë qëndron në një pikë me rëndësi. Në adoptimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor, Shqipëria mori modeled he asistencë nga Perëndimi, kurse në Kosovë sistemi vetë u vu në zbatim nga të huajt. Ka një mision që quhet EULEX që sot na jep provën e një dështimi spektakolar dhe që duhet të shërbente si model për të mos u ndjekur nga askush dhe një leksion se ekspertiza e huaj nuk është zgjidhje magjike.
Aktualisht në Shqipëri po aplikohet me vrull dhe entuziazëm vetting dhe reforma në drejtësi, me të cilën po luajnë të ardhmen qoftë politika, qoftë një pjesë e trupit diplomatik. Procesi në vetvete është kompromentuar qysh në fillim, në disa drejtime dhe sidomos nga dyshimet se me vettingun po zhvillohet një zëvendësim tërësor në funksion të kapjes së sistemit.
Është ajo që ka ndodhur në Kosovë ku një parti, apo një establishment provon se ka kapur mbarë gjyqësorit, të cilit i ka dhënë si koncesion abuzime të këtij niveli si këto që deklaron Avokati i Popullit.
Add new comment