Nuk u bëmë më të mirë. U bëmë më të dobët

Postuar në 14 Maj, 2020 14:33

Kjo situatë do të na bëjë më të fortë dhe më të mirë

E dëgjuam shpesh këtë fjali nga kryeministri Edi Rama në ditët e parë të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore kur nisën masat e karantinimit të detyruar. Kush vallë ushqeu iluzione se zotëria e kishte seriozisht këtë gjë, apo se kjo do të ndodhte me të vërtetë? Rrugës së gjatë të karantinës ne morëm të gjithë deklarata dashurie nga kryeministri që u befasua me sjelljen tonë dhe respektin e karantinës.

Tani jemi në fund të këtij rrugëtimi. Makinat kanë nisur të qarkullojnë si më parë, vrasjet kanë filluar me të njëjtin ritëm dhe metodologji: me aksidente, sëpatë, thikë, armë. Njerëzit janë lëshuar rrugëve duke folur për sëmundjen, krizën ekonomike, të ndryshuar nga një mësymje e papritur. Rituali ka nisur po ashtu si më parë, thjesht duke shtuar kartëvizitat e dukshme të sëmundjes: maskat, dorezat, matjen publike të temperaturës, dezinfektimin. Qeveria po ashtu, kryeministri i pari është rishfaqur me atë fytyrë që e kemi njohur këto vite. Pa dalë mirë sëmundja kemi koncesione, kulla, prishje, rregullim, miq të zakonshëm, polici në mbrojtje të oligarkëve. Qeveria po zbulon qëllimet e veta reale pasi ndjehet më e fortë se më parë. Më e fortë sepse njerëzit, një pjesë e tyre, tani janë nën presionin e mbijetesës dhe kanë hequr dorë nga mobilizimi sado i pakët, nga interesi për çështje përtej shtëpisë së vet. 

Është një tulatje që i ka dhënë rrugë sulmit frontal mbi publiken. Kemi një kryetar bashkie në Tiranë që ka marrë kurajën të legalizojë budallallëkun e vet proverbial kur deklaron se askush nuk mund ta ndalojë Bashkinë të përdorë pronën e vet. E ka fjalën se prona është e tij, e firmës që vendoset. A jemi bërë më të mirë? A është kjo qeveri e Jona? Kurrë. As ka qenë e tillë ndonjëherë. Shikoni sesi një detyrim siç është menaxhimi i epidemisë, apo rindërtimi i objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit i trajton si akte bamirësie ndaj një populli jetim. Si u zgjodhën kompanitë që do ndërtojnë, po arkitektët e huaj? Në mendjen e kryeministri kjo nuk ka sesi të jetë puna jonë. Sepse siç e tha vetë: ai është votuar të qeverisë nga një shumicë shqiptarësh. Dhe po e bën këtë vetëm sipas mënyrës së vet. Ai po bën çfarë do, ka blerë edhe opozitën jashtëparlamentare, ndërkohë që opozita parlamentare luan rolin e kllounit. Të gjithë paguhen nga buxheti. 

Çfarë mund të na bëjë ne më të mirë? Fjalët e Edi Ramës, këtij koleksionisti të rrallë gënjeshtrash dhe llogjesh politike? Mesa duket jo. Më të mirë mund të na bëjë vetëm shkallimi i kësaj situate dhe konsiderimi i jetës sonë si të pazgjidhur me këtë vend. Kjo është emergjente tashmë. Kryeministri dhe paraardhësi i tij kanë zakonin t’i shpallin shqiptarët si popull i zgjuar. Sidomos në politikë. Me siguri që e thonë këtë në konveniencë me interesin e tyre, pasi një popull që mendon se hallet e veta zgjidhen vetëm duke dhënë lekë nën dorë apo duke kërkuar një mik, mundet të jetë i zgjuar, por ndoshta duhet të kuptojë që po sillet si emigrant në vendin e vet. Ne nuk jemi bërë më të mirë, ne thjest jemi më të dobët sot se më parë. Dhe më të trembur.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.