A duhet konsideruar depistimi masiv me ndihmën e operatorëve privatë?
Ju të gjithë e keni keqkuptuar, OBSH-ja thotë të thyejmë zinxhirin e infeksionit, të gjurmojmë dhe të testojmë rastet e dyshuara. E kanë kuptuar gabim pasi unë e kam dëgjuar shumë mirë se çfarë ka thënë OBSH
Kështu ka deklaruar sot në një prononcim mediatik përfaqësuesja e IShP-së, Silva Bino.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë në një mesazh të shpërndarë sot për Shqipërinë thekson ndër të tjera se:
Testimi PCR i kontakteve asimptomatike ose lehtësisht simptomatike mund të konsiderohet në vlerësimin e individëve që kanë pasur kontakt me një rast COVID-19. Protokollet e depistimit duhet të përshtaten me situatën lokale
Pra OBSh mbështet praktikën e kryerjes së testit në varësi të personave dhe simptomave. Mirëpo nuk është e qartë nëse kjo qasje ka premisa ekonomike apo përbën një zgjidhje operative shëndetësore më efikase. Ajo vjen në kontradiktë me konstatimin e bërë se personat bartës, asimptomatikë, janë përhapës kryesorë dhe për këtë arsye testimi masiv është një instrument që duhet konsideruar.
Rasti korean është një model që vlen në këtë rast. Problemi këtu është se qeveria shqiptare që sot duket se ka marrë akses të siguruar në tregun europian të pajisjeve mjekësore, nuk ka ndoshta kapacitete që të sigurojë depistim masiv, ndaj një rrugë është e drejta e subjekteve private për të tregëtuar kite testimi dhe pajisje të tjera. Ose e drejta e gjithësecilit të blejë pajisjet dhe të kontrollohet, duke vendosur së pari një raport informativ personal, e mandej duke raportuar prane autoriteteve.
ResPublica kontaktoi para disa ditësh me spitalin privat Hygeia dhe pyeti pikërisht për këtë çështje. Përgjigjja e tyre ishte se "nuk kemi kite për testin e covid. Vetem ISHP ka". I pyetur mbi arsyen pse nuk mbajnë apo pse nuk porosisin, na u tha një përgjigje lakonike se është "detyrim nga OBSH". U pyet dhe Ministrja e Shëndetësisë znj. Manastirliu por nuk dha asnjë përgjigje mbi asnjë prej pyetjeve.
Ndërkohë, sipas burimeve tona, ka patur disa shoqëri private të interesuara për të importuar kite për testim të covid-19. Për aq kohë sa shteti nuk po e bën nuk kuptohet përse nuk mund ta bëj privati, sidomos për një qeveri që dhe testimin e yndyrës në gjak ia dha privatit, madje me kompensim dhe për ata që nuk dëshirojnë të marrin atë shërbim.
Lejimi i privatit për të mundësuar teste për covid-19 do të shërbente jo vetëm si masë për të lehtësuar presionin psikologjik mbi shoqërinë, por edhe do të ofronte një zgjidhje tani që në Tiranë përfliten se ka shumë raste vetëizolimi dhe kur shtrimi në Infektiv është kthyer në një procedurë që do mik.
Add new comment