Donacione me detyrim për administratën, a do hetojë KMShC dhe Avokati i Popullit?
Në media ka dalë së fundmi fakti se qeveria ka detyruar nëpunësit e administratës publike që të japin donacione për të prekurit nga tërmeti. Kryeministri e mohoi një fakt të tillë edhe pse në media u publikuan urdhërat përkatës të titullarëve.
Në fakt situata nuk ka qenë njësoj në çdo institucion. P.sh një person me lidhje pune me dy institucione, Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë e Kadastrës i tha ResPublica-s se në dikasterin e drejtuar nga Lleshaj donacioni ka qenë pa detyrim. Më saktë: punonjësve u është kërkuar të japin para, por pa i detyruar shumën. Në Agjencinë e Kadastrës situata është ndryshe: një pjesë e madhe e punonjësve dhe stafit drejtues janë detyruar të japin rrogën e një muaji.
Nuk mund të flitet me siguri nëse kjo sjellje ka qenë e diktuar apo përhapur në çdo njësi në mbarë vendin apo në drejtori të caktuara, por nuk mund të mos bjerë në sy fakti se këmbëngulja për donacione të mëdha ka qenë më e madhe në ato ente ku “gëlon paraja”. Dihet se një vend pune në Agjencinë e Kadastrës është më i lakmuar se një vend në Policinë e Shtetit, ndaj edhe mësymja për donacionet zbulon ironikisht faktin se qeveria apo titullarët e njohin mirë korrupsionin që zhvillohet nën drejtimin e tyre. Mbi këtë kriter kryeministri po detyron edhe ndërtuesit që të ndërhyjnë në pallatet e dëmtuara. Ky është shembull i qartë i ligjërimit të një lloji të ri korrupsioni të shantazhit dhe që e tradhëton fare hapur cipën propagandistike të kësaj qeverie.
Ajo që është e habitshme është mosveprimi i Komisionit të Shërbimit Civil, apo Avokatit të Popullit në këtë situatë ku është e qartë se qeveria po detyron nëpuësit të japin para të cilat pretendon se i merr përmes taksave.
Re.Pu
Add new comment