Problemi i madh i varrezave, disa zgjidhje bashkëkohore

Postuar në 17 Nëntor, 2019 13:40
Paulina Wilk

 

Filozofia “zero mbeturina” është e shkëlqyer përsa kohë jemi gjallë, por çfarë duhet të bëjmë me veten pasi të vdesim? Në ditët e sotme, vdesin aq shumë njerëz sa nuk kemi hapësirë ​​për t’i varrosur. Revolucioni në shërbimet funerale duket i pashmangshëm, dhe tashmë është këtu me ne.

Racionalistët thonë se e vetmja gjë për të cilën mund të jemi të sigurt në jetë është vdekja. Ky vëzhgim - në dukje kaq i paqartë, i arsyeshëm - në ditët e sotme vlen të rishqyrtohet, për dy arsye. Së pari, njerëzit janë përpjekur ta shtyjnë fundin e jetës dhe vazhdon të rinegociojë me sukses afate më të gjata për këtë event të pashmangshëm. Numri i “të pavdekshmëve” në shoqëritë moderne po rritet - ata njerëz janë thellësisht të bindur se fundi i jetës nuk është aspak i nevojshëm, kështu që kërkojnë strategji të bazuara në shkencë për eliminimin e vdekjes. Kultura e rinisë, e ngulitur mbi kultin e rinisë, është normë në të gjithë globin. Kjo i bën 13-vjeçarët brazilianë të vënë implante gjoksi, të rinjtë koreanë u nënshtrohen teknikave të dhimbshme të lifting-ut të fytyrës, 20-vjeçarët polakë bëjnë injeksione për mbushjen e buzëve, duke ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme tiparet e fytyrës. Drejtues të thinjur, baballarë me tre fëmijë të vegjël, vrapojnë në maratona. Shqetësimet lidhur me ushqimin kanë ndryshuar linjat e produkteve për t'i bërë ato të duken më të shëndetshme. Ka shumë menaxherë të rinj, të cilët dëshirojnë të jenë të suksesshëm në punë, pa lënë pas dore argëtimin, kështu që ata pajtojnë mjekë që t'i vizitojnë ata në shtëpi ditën e diel. Disa njerëz ndjekin të ashtuquajturën “jetesë të shëndetshme” me vetë-disiplinë të pamëshirshme që nuk ka shumë lidhje as me jetën, as me shëndetin. Jeta moderne duket se po hyn në një lojë të rikthimit të vazhdueshëm në fazat e hershme të trupit, në emër të asaj që quhet "rinia e përjetshme". Në këtë panoramë nuk ka vend ​​për vdekjen. Vdekja është një mysafir i padëshiruar, i vetmi që i reziston rigjallërimit të pafund.

Arsyeja e dytë për të vënë në dyshim pashmangshmërinë e vdekjes është fakti se ajo duket si koncepti i vetëm në lidhje me ekzistencën tonë që mbetet kaq i vjetruar dhe nuk modifikohet fare. Që nga Revolucioni Industrial i Shekullit XIX, ne kemi ndryshuar aq shumë në lidhje me jetën tonë të përditshme; njerëzit modernë janë subjekt i ndryshimeve intensive. Është jashtëzakonisht e habitshme që për më shumë se një shekull revolucionesh, ne nuk kemi bërë asgjë për të modifikuar atë që ndodh me ne pasi të vdesim. Të gjitha metodat dhe ceremonitë që kanë të bëjnë me varrimin, si dhe teknologjitë e administrimit të trupave të pajetë, kanë mbetur njësoj siç ishin. Cili është rezultati? Sot, funeralet janë aspekti më i vjetëruar i ekzistencës sonë në planet. Në asnjë mënyrë apo formë, ato nuk rezonojnë me filozofinë e rritjes së qëndrueshme ose shqetësimeve mjedisore. Ato nuk janë përshtatur me problemet e shkaktuara nga mbipopullimi urban dhe përparimi teknologjik. Dhe faktet janë të qarta dhe të thjeshta: bota shumë e urbanizuar në të cilën jetojmë nuk ka më hapësirë ​​të mjaftueshme në dispozicion për të akomoduar të vdekurit. Sot, epitafi poetik “Non omnis moriar” tingëllon më pak si një testament shprese për jetën e përjetshme dhe më shumë si simbol i telasheve që ne i shkaktojmë Tokës me praninë tonë, le ta themi, goxha këmbëngulëse.

Trupa posesivë

Çdo vit vdesin rreth 55 milionë njerëz - kjo është 0.8% e popullsisë globale. Popullsia globale vazhdon të rritet, dhe në disa rajone të botës, të tilla si Evropa dhe SHBA-të, shtohet numri i të moshuarve, gjë që rrit më tej përqindjen e vdekjes. Në vitin 2100, bota pritet të jetë e banuar nga afro 11 miliardë njerëz. Sigurisht, kriza kërcënuese e klimës së shpejti mund të sigurojë një përgjigje të shpejtë dhe efikase për problemin e mbipopullimit. Por edhe nëse rritja e katastrofave të papritura dhe të pamëshirshme vret shumicën e njerëzve në planet, problemi i akomodimit të trupave të tyre do të mbetet akoma i pazgjidhur.

Për shekuj me radhë, ne kemi pasur të bëjmë me trupa të vdekur në një mënyrë të ngjashme. Shumica e feve kërkojnë që trupi të varroset në tokë, dhe shumë ateistë zgjedhin të njëjtën procedurë. Ndërkohë, varrezat janë një nga hapësirat më joekologjike dhe me kosto të lartë për burimet në botën moderne - ato janë, në të vërtetë, kantiere të gjera depozitimi hekuri dhe druri (të përdorura për të bërë arkivolet), betoni dhe pllakash guri. Mbi të gjitha, varret janë lagur me kokteje toksike kimikatesh që përdoren për ruajtjen e trupave në morgje; gjithashtu, plehra dhe pesticide për lulet dhe lëndinat që rrethojnë varret. Argumenti më bindës i ngritur nga kritikët e varrezave është fakti që në ditët e sotme, nekropolet janë gllabërues të pangopur të hapësirës. Hapësirat e banimit në megaqytete janë zvogëluar rrënjësisht ndërsa sa vijnë e bëhen më të shtrenjta, duke bërë që ndërtesat të rriten në lartësi dhe të reduktohen në sipërfaqe. Në të njëjtën kohë, njerëzit e dashur që largohen pushojnë në lagjet e tyre luksoze të patrazuar, zakonisht në zonat më prestigjioze të qyteteve. Ka shumë qytetarë polakë që prehen përjetësisht në një varr më të gjerë se një apartament në Hong-Kong.

Lufta për hapësirë midis të gjallëve dhe të vdekurve po bëhet më e pamëshirshme. Si rezultat, vdekja po përpiqet të gjejë hapësira të disponueshme për t’u ngjeshur në zonat urbane. Megjithë numrin në rritje të vdekjeve, varrezat në shumicën e metropoleve të mëdha nuk rriten, sepse nuk munden; gjithçka rreth tyre është tashmë e pushtuar. Në Nju-Jork nuk është ndërtuar asnjë varrezë e re për gjysmë shekulli dhe askush nuk është varrosur më afër se Rruga e 86-të në zemër të Manhattan-it. Një nga ish-kryebashkiakët ka blerë kohët e fundit një vend të lirë në një varrezë të vjetër. Ai ka paguar për të 20 000 dollarë dhe e quajti publikisht këtë një "investim të mirë". Blerja e një varri ka filluar t’u ngjajë transaksioneve të pasurive të patundshme. Një zgjidhje e krizës së varreve mund të jetë ndërtimi i varrezave në periferi, me një licencë afatshkurtër për ‘marrjen me qira të parcelës. Pas disa vitesh, trupi shkon në varrin masiv, dhe parcela del sërish në treg. Ky model radikal i "riciklimit të varreve" duket praktikisht mënyra e vetme që lejon varrosjen të mbetet brenda kuadratit tradicional. Në vende si Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të dhe Gjermania, thuhet se brenda disa viteve, varrezat do të jenë mbushur dhe nuk do të ketë vend për “banorë” të rinj në to. Ideja e riciklimit të varrezave ende konsiderohet e papërshtatshme në shumë shoqëri. Vdekja dhe ritualet e saj janë temë shumë delikate, që shoqërohet me bindje të shumta konservatore, gjë që e bën të papranueshme zbrazjen e varreve. Edhe në vendet që lejojnë riciklimin e varrezave (në Poloni, trualli jepet me qira për 20 vjet; nëse qiraja nuk rinovohet, varri mund të konfiskohet dhe ripërdoret), duhet shumë kohë para se varri të jetë në dispozicion të një qiramarrësi tjetër. Për më tepër, shumica e familjeve kanë tendencën të mbajnë me qira parcela familjare për shumë breza. Në vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, ligji i vjetruar (që daton në epokën viktoriane) nuk lejon ripërdorimin e varreve. Shumë varre janë aq të vjetra saqë janë kthyer në monumente historike (shpesh të vendosura në zonat më të shtrenjta të qytetit) dhe për këtë arsye nuk mund të rregullohen ose hiqen. Vdekja mund të mos mbajë kalendar, por me siguri i ruan ka të gjitha veprimet e hipotekës.

Ideja e ndarjes së varrit - domethënë varrosja e disa njerëzve në të njëjtin varr, pavarësisht nëse i përket familjes apo jo - nuk është ende një opsion shumë popullor në botë. Edhe pse shumë njerëz e kalojnë jetën e tyre të ndrydhur në hapësira kaq të vogla që ofendojnë shëndetin dhe dinjitetin e tyre, pothuajse të gjithë ende shpresojnë se një hapësirë luksoze dhe paqësore do t'i presë kur të kalojnë në botën tjetër. Varret me ndarje do të ndikonin në shumë çështje delikate që kanë të bëjnë me pastërtinë pas vdekjes, paprekshmërisë dhe aspektin ritual të saj. Njerëzit që përkasin kulturës së individualizmit kanë dy dëshira të mëdha: duan të varrosen vetëm dhe afër vendit ku kanë jetuar. Këto dëshira janë prekëse me shpresën e tyre për të mbetur në botë, por askush nuk mund të injorojë nuancat  e kokëfortësisë dhe babëzisë që fshihen pas tyre. Mbi të gjitha, kufomat tona kanë posesivitet, dhe, që mos të harrojmë, mjaft të kushtueshme për të gjallët që t’u gjejnë strehë.

Një ishull-varrezë që lundron

Në qytetet më të dendura me popullsi, sentimentalizmat duhej të ishin lënë mënjanë shumë kohë më parë. Hong-Kongu, Tokio dhe Shanghai tani po krijojnë llojin e vetëm të nekropoleve të mundshëm: varrezat vertikale, teknologjikisht të përparuara. Varrezat vertikale - domethënë qiellgërvishtëset në të cilat varret zënë disa kate - janë normë e re në vendet në zhvillim. Në Hong-Kong, varrezat janë ndërtuar në të njëjtën mënyrë si zyrat dhe apartamentet luksoze: në shpatet e pjerrëta, të izoluara. Ato janë të ajrosura dhe kanë gjelbërim, pothuajse identike me ndërtesat e zakonshme të banuara. Në këtë megaqytet, varret e stilit të vjetër janë edhe më të shtrenjta se apartamentet. Një vend varrosjeje mund të kushtojë deri në 100 000 dollarë dhe, ashtu si Tokio apo Mumbai, është më i kushtueshëm sesa një hapësirë ​​jetese për një familje të vogël.

Shumica e aziatikëve zgjedhin krematorin, jo dhe aq për arsye kulturore, sasa për ato pragmatike. Megjithatë, edhe ky nuk është më një zgjedhje e lirë, por një domosdoshmëri, siç e kërkojnë sot shumica e nekropoleve. Ndryshimi është gjithashtu i dukshëm në SHBA. Në vitet ‘60, vetëm 2% e të gjithë amerikanëve donin t’u digjej trupi pasi të vdisnin. Sot, më shumë se gjysma e të gjithë atyre që vdesin, digjen. Analistët e biznesit funeral thonë se ky ndryshim i rëndësishëm kulturor bën një parashikim optimist, duke na dhënë shpresë se shoqëritë moderne po hapen ndaj qasjeve më ekologjike dhe inovative kur është fjala për varrimet.

Varrezat më të përparuara teknologjikisht deri më sot janë ato të Tokios. Nga jashtë, Ruriden duket si një faltore e vogël, tradicionale. Por, brenda saj, një tufë dritash LED mbush hapësirën me shkëlqimin e tyre. Çdo dritëz ndriçon një nga 2045 figurina të Budës, të futura në kuti qelqi në të cilat ruhen urnat me hi. E vetmja gjë që duhet bërë është të kalosh një kartë për urnën e një njeriu të dashur dhe të ndryshosh ngjyrën. Kjo mënyrë për të vizituar varret, e cila është një praktikë e rëndësishme dhe popullore në shumë kultura, po bëhet gradualisht më e pranuar. Singapori dhe Kuala Lumpuri gjithashtu krenohen me “varreza” të tilla gjigante, ku njeriu mund të futë të dhënat e njeriut të dashur dhe t'i vijë urna me hirin e tij automatikisht në një dhomë individuale lutjesh. Është një nga zgjidhjet më efektive për të kursyer hapësirë - në këtë mënyrë, një zonë e nevojshme për njëqind varre, mund të përshtatet për të ruajtur deri në 7000 urna.

Një tjetër varrezë e së ardhmes, gjigante në kapacitetin për të ruajtur të ikurit nga kjo botë, është Floating Eternity, projekti i një varreze-ishull, që do të lëshohet në Detin e Kinës së Jugut. Ndërtimi estetikisht i bukur do të duket si park lundrues, me rrugica dhe platformat të gjelbra, dhe mund të zërë deri në 370 000 urna me hirin e njerëzve që kanë ndërruar jetë. Itinerari i këtij “ishulli” lëvizës do të programohet paraprakisht, dhe ai do të ndalonte në disa porte rregullisht, veçanërisht në festat e rëndësishme kineze. Në këtë mënyrë, të gjallët mund të vizitojnë të dashurit e tyre që prehen aty.

Një tjetër ide që tashmë funksionon në botë është qiellgërvishtësja e varrezave Santos në Brazil. Me 32 kate, është nekropoli më i lartë në botë deri tani. Ajo është e vendosur në një peizazh malor frymëzues. Mund të bësh një vizitë në këtë varrezë në çdo kohë të ditës dhe natës. Vizitorët mund të kalojnë kohën në faltoret e saj apo në kopshte, dhe të pushojnë në një kafene. Aty pranohen trupa gjatë gjithë kohës; për shkak të temperaturave të larta në rajon, varrosjet duhet të bëhen jo më vonë se 24 orë pas vdekjes. Varreza të ngjashme vertikale me hapësira për shëtitje dhe meditim po ndërtohen në pjesë të tjera të botës, si Izraeli dhe Azia Juglindore.

Përmirësime të mëtejshme janë ende në zhvillim e sipër: gjithnjë e më shumë varreza po përdorin teknologji të realitetit të shtuar. Për shembull, një nekropol amerikan në Arlington ka krijuar rezerva të kujtimeve dixhitale në varre. Të dhënat e ruajtura mund të merren dhe të aksesohen përmes një aplikacioni (secili varri ka të gdhendur një kod QR). Zgjidhje të tilla japin mundësinë të mëshosh më shumë për ata që janë larguar, të shohësh fotot e tyre dhe madje të dëgjosh zërin e tyre: një mesazh i lënë brezave që do të vijnë. Një numër gjithnjë e më i madh varrezave po përpiqet të prezantojë mundësinë e vizitës përmes internetit për ata që jetojnë shumë larg, pa pasur nevojë që të shkojnë fizikisht te të dashurit të tyre. Sidoqoftë, kjo zgjidhje kërkon krijimin e simulimeve shumëdimensionale.

Funeralet miqësore me mjedisin

Varrezat afër Calgary në Kanada krenohen me një nga mënyrat më intriguese të përdorimit të teknologjive të reja për funeralet. Është një nga varrezat e para në të cilën bashkohen varrosjet natyrore me markimin GPS. Çfarë do të thotë? Trupat varrosen, pa u trajtuar me kimikate paraprakisht, në peizazhin natyror, ku do të dekompozohen relativisht shpejt. Nuk ka gurë ose pllaka varri. E vetmja mënyrë për të shenjuar vendin ku mund të gjesh njeriun e dashur është nëpërmjet GPS.

Një zgjidhje e ngjashme miqësore me mjedisin për zonat e urbanizuara është propozuar nga ekipi i projektit “Vdekja Urbane”, duke ofruar varrosje natyrale pa arkivole, mbështjellje plastike ose kimikate. Në vend të kësaj, kufomat do të varrosen në varre relativisht të cekëta, të mbështjella me tekstile natyrale dhe që degradohen në mënyrë të natyrshme, dhe më pas do t’i nënshtroheshin një procesi të ngjashëm me kompostimin. Është një mundësi për ata që nuk besojnë domosdoshmërisht në jetën e përtejme dhe ekzistencën e shpirtit të pavdekshëm, por vlerësojnë marrëdhënien e tyre me natyrën dhe e shohin ekzistencën si pjesë të ciklit biologjik. Prandaj, ata duan të kontribuojnë në dobi të krijesave të tjera të gjalla, duke ia rikthyer energjinë e tyre përsëri Tokës. Ata që e hodhën fillimisht këtë ide  shpresojnë se projekti i tyre do t'i lejojë banorët e qyteteve të mëdha të dalin për një shëtitje në një park ose një korije. Atje, pemët do t'u japin atyre ndjesinë e identitetit dhe të kujtesës, pasi janë rritur nga toka e ushqyer nga trupat e njerëzve që kanë jetuar në të njëjtën hapësirë që jetojmë ne sot. Kjo zgjidhje do të kishte një avantazh tjetër: zonat e varrimeve natyrore do të ktheheshin në hapësira të gjelbra të mbrojtura që nuk mund të urbanizohen.

Në një farë mënyre, zgjidhje të tilla tashmë po testohen në vendet ku sipërfaqet e gjelbra janë drejt mbarimit. Për shembull, tashmë ka varreza që ngjajnë si parqe publike. Banorët mund të shkojnë atje për piknik, të shëtisin me qentë e tyre, të bëjnë zgarë dhe të luajnë futboll, për aq kohë sa respektojnë gurët e varreve dhe çdo ceremoni që mund të zhvillohet atje.

Një metamorfozë e shkëlqyer

Në shekullin XXI, ka mjaft konkurse arkitekture që inkurajojnë dhe promovojnë qasje novatore ndaj biznesit funeral. Midis shumë projekteve të varrezave të së ardhmes, një ekip i studentëve të Death Lab nga Universiteti Columbia ka krijuar një projekt që u prit me brohoritje të jashtëzakonshme. Ekipi e paraqiti idenë në Garën për Dizajnin e Varrezave, e organizuar nga Universiteti i Bath-it. Projekti që ata e quajtën “Sylvan Constellation” do të ishte diçka që nuk ndryshon shumë nga një park qyteti, i ndriçuar vazhdimisht nga energjia e prodhuar nga dekompozimi i trupave njerëzorë. Energjia e dritës e gjeneruar nga procesi i biodegradimit krijon kolona që ndriçojnë, që dalin vertikalisht nga toka si pemët. Midis formave të ndritshme, rrugicat do t'i çojnë vizitorët në tarraca dhe ura të vogla, për të bërë shëtitje të këndshme dhe duke iu siguruar hapësirë ​​për lutje dhe reflektim. Një park i tillë përkujtimor me shumë nivele mund të marrë presë kufoma të reja gjatë gjithë kohës, duke krijuar një hapësirë ​​për qarkullimin e vazhdueshëm simbolik të jetës dhe vdekjes. Projekti ka marrë disa çmime ndërkombëtare dhe është vlerësuar për qasjen e tij të respektueshme dhe delikate në raport me trajtimin e mbetjeve njerëzore.

Grupi që ka hartuar projektin e quajtur “Constellation Park” - një koleksion kapsulash të ndritshme të instaluara nën një urë në Manhattan. Ky projekt gjithashtu prodhon energji nga trupat dekompozues, këtë herë në mënyrë që të ndriçojë një nga ndërtimet më të famshme në qytet. Ky lloj i të menduarit imagjinar është duartrokitur në mënyrë universale për futjen e vdekjes në dinamikën e hapësirave të urbanizuara duke ruajtur filozofinë e qëndrueshmërisë dhe respektimin e mjedisit natyror. Dhe në vend që të përpiqemi ta fshehim vdekjen jashtë vetëdijes sonë, na kujton sesa e shkurtër është jeta. Në këtë mënyrë, projekti ndihmon në krijimin, brenda qyteteve, të zonave që mbartin një kuptim më të thellë, ndërsa në të njëjtën kohë i jepet zgjidhje nevojës që kanë shumica e njerëzve për t’u varrosur pranë vendit ku kanë kaluar jetën. Prandaj, ky projekt u mundëson të vdekurve të marrin pjesë në bashkë-krijimin e historisë dhe kujtesës së qytetit të tyre.

Një ditë do të jem pemë

Një prirje domethënëse midis ideve të ndryshme për varret moderne është prezantimi i zgjidhjeve më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin. Një nga sugjerimet më të rëndësishme të viteve të fundit është mbjellja e pemëve për të ndjerin, në vend që e njëjta hapësirë të bëhet varr. Një kompani amerikane, Urns Northwest, krijon urnat-pemë: enë balte për hirin e njeriut, që kanë formën e farave. Hiri përzihet me farat e një peme të zgjedhur nga familja dhe një bimë e re nis të rritet aty ku u varros i ndjeri. Një version alternativ i kësaj ideje është Capsula Mundi. Kjo është një enë e bërë me materiale të biodegradueshme, mjaftueshëm e madhe për të zënë një trup të lakuar në formën e embrionit. Kapsula me trupin brenda varroset dhe një pemë mbillet pikërisht mbi të. Kapsula, në formën e një veze, të kujton fuqinë e natyrës dhe bëhet një lloj fare, nga e cila mbin një jetë e re atje ku ka mbaruar një tjetër. Të gjitha llojet e varrimeve miqësore me mjedisin po bëhen gjithnjë e më popullore, megjithëse ka të ngjarë të kërkojnë kohë para se të kthehen në praktikë standarde.

Kremimi (djegia) në vetvete nuk është edhe aq miqësor me mjedisin. Para së gjithash, urnat kërkojnë shumë hapësirë. Dhe së dyti, djegia e trupave kërkon përdorim të lartë energjie. Për shembull, djegia tradicional e trupave në Indi kërkon deri në 600 kilogramë dru; familjet e pasura shpesh përdorin lloje të drurëve të rrallë - dhe të marrë në mënyrë të paligjshme. Për të mos përmendur më tej emetimet e mëdha të dioksidit të karbonit (vetëm në SHBA, krematorët gjenerojnë të njëjtën sasi CO2 me 41 000 makina) dhe mërkur (kremimi domosdoshmërisht përfshin djegien e mbushjes së vjetër të dhëmbëve. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, krematorët gjenerojnë plot 15% të gjithë sasisë së emetuar të mërkurit).

Tkurrja graduale e hapësirës së varrezave është një sfidë që i ka shtyrë disa prej mendimtarëve të guximshëm ta marrin parasysh këtë problem në shkallë kozmike. Kompania amerikane “Celestis” ka dërguar mbetje njerëzore në hapësirë ​​prej gati një çerek shekulli. Kapsulat e vogla që përmbajnë pak hi njerëzor mund të çohen në orbitën e Tokës ose në Hënë. Kjo e fundit kushton disa mijëra dollarë.

Nëse nuk duam t’i çojmë larg të dashurit tanë që I kemi humbur, ne gjithashtu mund t'i varrosim nën ujë; një shërbim i tillë është në dispozicion në Florida. “Neptun Society” ka krijuar një barrierë artificial koralore të, ku është vendosur hiri i mbi 100 njerëzve; secila kapsulë shoqërohet me një pllakë me emrin, mbiemrin dhe informacionin më të rëndësishëm për njeriun brenda saj.

Skedarët nuk vdesin kurrë

Të dhënat tona rezultojnë të jenë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Sipas analistëve të internetit, Facebook ka mundësi të bëhet nekropoli më i madh në botë - deri në vitin 2100, gati një miliard e gjysmë e përdoruesve të tij do të kenë vdekur dhe profilet e tyre do të shndërrohen në një lloj memoriali, ose mbase faltore laike. Njerëzimi është vetëm në hapat e parë të përballjes me  trashëgiminë e mundimshme, që është nevoja për menaxhimin e skedarëve dhe materialeve që secili prej nesh lë pas në botën virtuale. Të gjitha të dhënat tona, fjalëkalimet dhe kodet e hyrjes janë një makth për të dashurit tanë, në përpjekje për të zgjidhur të gjitha problemet që kanë të bëjnë me financat dhe pronësisë që lëmë pas kur vdesim. Por një sfidë tjetër, shumë më e larmishme mbetet e pazgjidhur: si ta transferojmë jetën tonë në internet në terrenin e kohës “së kryer të thjeshtë”. Si i mbyllim, transformojmë apo mirëmbajmë profilet e mediave sociale të të vdekurve? Farë bëjmë me të gjitha fotot, videot dhe postimet që ata kanë ngarkuar? Si e menaxhojmë aksesin në ato mbetje të jetës që nuk është më?

Të gjitha këto pyetje janë shumë të reja dhe ende pa përgjigje, por jo aq larg nga problemi i trupave. Jetët tona virtuale kanë mbështetjen e tyre materiale: hapësira monstruoze të shërbimit, të shtrira larg nga qytetet dhe sytë e përdoruesve. Ne marrim shumë hapësirë ​​të çmuar, të matur në metra kub dhe në gigabajt të dhënash, dhe sa më të pasur të jemi, aq më shumë lëmë pas.

Duket se vdekja, e harruar në garën tonë për një jetë më të gjatë dhe më tërheqëse, vendos të na kujtojë edhe një herë ekzistencën e vet. Është si çrregullimi që shkaktojnë zonat orare, të bëhesh bashkë me të tjerët pas një fluturimi të gjatë; si një pasojat që lë dehja në një festë të madhe, si krahët e shëmtuar drejt spektaklit të gjallërisë. Kriza funerale është një simptomë e kufizimeve tona biologjike dhe fizike, të cilat duam t’i harrojmë. E megjithatë, ajo kërkon përgjigje të reja, të sofistikuara dhe mjaft komplekse për të përputhur me shumësinë e formave që i japim jetës në këtë planet. Sot, shumica prej nesh jeton dhe vdes në qytete, dhe të gjitha parashikimet tregojnë se dendësia në rritje e popullatës njerëzore në zona të mëdha të urbanizuara veçse do të rritet me kalimin e kohës.

Pavarësisht nëse duam apo jo, vdekja mbetet shumë afër nesh, e vendosur këtu, pranë të tashmes ku jetojmë, në një luftë të mirëfilltë për të njëjtën hapësirë. Studiuesit që shqyrtojnë rolin e vdekjes në kulturën moderne dhe projektuesit e hapësirave të reja për varreza bien dakord për një gjë. Ata të gjithë besojnë se mënyra më e keqe për të ecur përpara do të ishte të përpiqesh t’i shtynim varrezat jashtë zonave të jetës sonë të përditshme, duke u përpjekur në këtë mënyrë ta heqim vdekjen nga fushëpamja. Nekropolet janë gur themeli i identitetit tonë dhe themelet e çdo metropoli, ashtu si muzetë, universitetet dhe institucionet e shërbimit publik. Asnjë qytet nuk mund të ekzistojë pa të vdekurit.

Przekroj Magazine

Përgatiti: Gazmira Sokoli/TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.