Qeveria pendohet për dhuratën e UNESCO-s, anulohet vendimi për ikonën “Ngjallja e Shën Llazarit”
Një vit pasi qeveria shqiptare kishte vendosur t’i dhuronte UNESCO-s ikonën “Ngjallja e Shën Llazarit”, ky vendim është tërhequr. Me një VKM të miratuar në mbledhjen e së mërkurës, qeveria ka vendosur që piktura do të qëndrojë në Shqipëri.
“Ngjallja e Shën Llazarit” do t’i dhurohej UNESCO-s me rastin e 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Me VKM-në nr 564, datë 29.09.2018, qeveria “Rama” vendosi që piktura e saporestauruar do t’i dhurohej organizatës që mbron trashëgiminë kulturore.
Por një VKM e dytë anulon të parën. Në mbledhjen e djeshme, qeveria “Rama” ka vendosur shfuqizimin e vendimit të vitit të kaluar.
Ikona “Ngjallja e Shën Llazarit” lidhet më një rit të njohur fetar, që festohet të shtunën e parë para Pashkëve, e që njihet në historinë e Biblës me Ngjallja e Shën Llazarit – një nga mrekullitë e Jezu Krishtit. Sipas besimeve popullore Llazari është mbrojtësi i pyjeve. Llazari simbolizon kufirin mes jetës tokësore dhe botës së përtejme. Atij i janë kushtuar shumë këngë dhe valle, të cilat pasqyrojnë urimet për shëndet dhe bereqet. Bekohen të zotët dhe të zonjat e shtëpisë, rinia, fëmijët dhe nuset. Vajzat e reja shkojnë shtëpi më shtëpi duke vallëzuar dhe atyre u shpërndahen vezë të palyera dhe para. Ky rit mbyllet me kthimin e vajzave nga ajo rrugë që kanë ardhur. Ikona “Ngjallja e Llazarit” është përfaqësuese e artit ikonik shqiptar që mori një zhvillim të ri mes shekullit XVIII dhe XIX.
TvT
Add new comment