BE-ja zgjedh bullgaren Kristalina Georgieva për drejtimin e FMN-së
Kristalina Georgieva është votuar si kandidaturë e Bashkimit Europian për të marrë drejtimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Bullgare me kombësi, Georgieva është aktualisht drejtuese ekzekutive në Bankën Botërore dhe si kandidaturë ajo fitoi mbi Jeroen Dijsselbloem, ish-ministri hollandez i Financave dhe shef i Eurogrupit.
Mediat raportojnë se përzgjedhja e bërë nga ministrat e Financës së BE-së ka qenë e vështirë, ditë negociimesh dhe dy raunde votimesh,pasi dështuan të gjenin konsensus për një listë emrash ku ishin përfshirë portugezi Mario Centeno, finlandezi Olli Rehn, Nadia Calvino e Spanjës, ndërkohë që ministri francez Bruno Le Maire braktisi prosesin.
Që nga viti 1946, drejtuesit e FMN-së janë europianë, sipas një marrëveshjeje me SHBA që mban përherë drejtimin e Bankës Botërore.
“Politico” shkruan se Dijsselbloem u kundërshtua nga vendet e Europës Jugore, përfshirë Italinë, për shkak të komenteve të tij se vendet me borxh i kanë shpenzuar paratë e tyre për likere dhe femra.
Georgieva do të votohet nga bordi i FMN-së.
Add new comment