Roli i Edi Ramës në planin e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës duhet sqaruar zyrtarisht
Gazeta “Zëri” në Kosovë ka publikuar sot një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas të cilit ka dyshime të besueshme që kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, të ketë qenë pjesë e planit për Kosovën.
Ekziston një dyshim i bazuar, se Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë biseduar për shkëmbim të territoreve se bashku nën udhëheqjen e Përfaqësueses së lartë, Frederika Mogerinit. Ekziston ky dyshim pavarësisht se unë nuk mund ta konfirmoj
citon gazeta. Këtë njoftim e kanë marrë shumë media shqiptare dhe e kanë qarkulluar gjerësisht.
Deri në këtë moment nuk ka ndonjë reagim nga qeveria e Shqipërisë, por deklarimi i Haradinajt nuk mund të kalojë në heshtje. Nuk ka asnjë dokument të shkruar, akt parlamentar apo zyrtar përmes të cilit qeveria e Shqipërisë, apo kryeministri i saj të autorizohet për të diskutuar çështje të tilla të cilat jo vetëm lidhen me territore shqiptare, por i kundërvihen edhe vullnetit të një qeverie tjetër. Nga kjo pikëpamje tema në fjalë hyn në kuadrin e politikave të Sigurisë dhe është e udhës që Presidenti I Republikës të ndërhyjë për të sqaruar gjithçka po ndodh. Ka arsye serioze për të zbardhur rolin e kryeministrit shqiptar në këtë që ka ndodhur dhe që e vuri opinionin shqiptar në të dy anët e kufirit nën një presion të paprecedent krijuar nga mashtrimi se një zgjidhje e madhe po afrohej dhe se atë e kundërshtonin vetëm njerëzit mendjengushtë.
Vetëm sot ka dy “zhvillime” që duken të largëta dhe pa lidhje, por që në fakt provojnë frikën e z. Rama nga njollosja e pashlyeshme që mund të marrë nga kjo histori. Mediat serbe citojnë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç të jetë shprehur se edhe sikur ta vrasin ai nuk do ta njohë Kosovën.
Cili është presioni mbi zotin Vuçiç këtë nuk mund ta shpjegosh lehtë, por ndërkohë që zotëria bënte përbetime të tilla, ai sqaronte se mesazhin e vet e kishte për Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. Është e qartë se tërheqja e SHBA-së nga lojërat ballkanike kanë lënë fushë të hapur për dy fuqitë në fjalë që kanë neutralizuar planin e shkëmbimit të territoreve duke prodhuar kosto politike për promovuesit e kësaj ideje. Ishte një plan jotransparent në variantin më të mirë që dështoi nga presioni i të huajve, sikurse u propozua nga të huajt dhe u përkrah nga politikanë ballkanas për qëllime përfitimi personal.
Zhvillimi i dytë është tipikisht ai prej Jude që z. Rama e luan kaq mirë. Kryeministri i Shqipërisë ka qenë sot i ftuar për Iftar në Bosnje, ku ndodhet bashkë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Mikpritësi i tyre është kryeministri boshnjak, Denis Zvizdiç, i cili përfaqëson diçka të kundërt nga Milorad Dodik që vjen sotnë Tiranë. Meqenëse zoti Rama ndodhet para realitetit të dështimit të planit për Kosovën dhe presionit publik tanimë të Britanisë dhe Gjermanisë, ai po mundohet që të shpëlajë njollën e akuzave që po i bëhen edhe nga një parti si Vetëvendosja, duke takuar kryeministrin boshnjak. Ky i fundit në fillim të muajit maj provokoi incidente me Beogradin zyrtar për shkak të deklarimeve të veta kundër ndarjes së Kosovës.
Sipas tij çdo ndërhyrje në këtë sens do të hapte kutinë e Pandorës, deklarim që u kundërshtua publikisht nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç.
Ne nuk duam të dimë se çfarë mendojnë ata, kush po i pyet ata sesi do të zgjidhet çështja mes Prishtinës dhe Beogradit, kush janë ata që të japing opinion
u shpreh Daçiç. Pra një plan i tillë ka ekzistuar, por atë dikush e minoi.
Sot z. Rama që lë në baltë “mikun Aleksandër” sepse ka disa llogari për të larë me faktorin e brendshëm, llogari që erdhën si pasojë e lëvizjeve të gabuara dhe të errëta të këtij shahisti të vetëshpallur.
Kush e propozoi planin e ndarjes së Kosovës? Cili është interesi i Shqipërisë në mbështetjen e këtij plani? Cili është roli i z. Rama në këtë lojë? Çfarë garancish u dhanë për zbatimin e tij? A ka lidhje ky plan me idenë e unfikimit doganor që u promovua pak kohë më parë? Kush e ndaloi këtë plan dhe me çfarë mënyrash?
Janë pyetje të cilave Shqipëria do të duhet t’u përgjigjet zyrtarisht. Janë pyetje që krijojnë hapësirë veprimi për kundërshtarët e z. Rama në Tiranë, të cilët patjetër që nëse luajnë si duhet do të marrin atë që nuk e kanë marrë dot deri më sot: marrëveshjen politike që duan dhe me gjasë diçka në institucionet e reja të drejtësisë.
Ramush Haradinaj rezulton fituesi i këtij basti dhe pas tij me gjasë qëndrojnë britanikët dhe gjermanët, të paktën për këtë lojë. Në një deklaratë të sotme, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O'Connell ka kërkuar që “qytetarët të ndalojnë politikanët” për korrupsionin. Është një thirrje për ndryshim politik në një vend që ka një krizë përfaqësimi në arenën ndërkombëtare, e cila u evidentua qartë në këto muaj me diskutimin për kufijtëm, por që në fakt ishte flagrante qëkurse Turqia e Erdoganit esktradoi pa dijeninë e kryeministrit gjashtë qytetarë turq të dyshuar si gulenistë.
Por duket se i mbijetuar është edhe Hashim Thaçi që ka fituar një gjykatë ndërkombëtare për krimet serbe duke minuar rolin mbrojtës të Vuçiç në Kosovë. Vullnet I Thaçit apo jo kjo gjë, ajo jep kohë Thaçit që të vazhdojë të jetë faktor me peshë në një situatë ku ai ka ditur të dalë shpejt pasi kërkoi ndihmën e SHBA-së në negociim për shkak se Europa është e ndarë. A do të rikthehet SHBA me rol në Ballkan? Herët të thuhet, ndonëse një premisë në këtë drejtim ekziston: Vuçiçit për momentin i mbeten miq vetëm rusët. Të paktën publikisht. Ndoshta është rastësi, por këto dy ditë mediat në Serbi kanë publikuar faktin se Rusia ka sjellë armatime të reja në Serbi, një vend që për shkak se ka kërkuar më shumë sesa mund të marrë vijon të mbetet në kurthin e përhershëm gjeopolitik të një vendi që kërkon të luajë në mënyrë të pavarur duke mbajtur dyert hapur. Çka në fakt nuk funksionon edhe aq.
Add new comment