Parti me alternativa serioze
Partia Socialiste është sot në kuotat më të ulëta të historisë së saj. As në vitin 1992 nuk kishte ndaj kësaj partie këtë mëri që ekziston sot. Por kriza e saj, ajo realja qëndron ende përpara. Sepse sot, njerëz të saj po kalërojnë buxhetin publik dhe po bëjnë me të çfarë duan si e si për të mbajtur në këmbë karakatinën politike që është në martesë afatgjatë me krimin dhe korrupsionin.
Kriza lidhet me alternativat e drejtimit të saj.
Në krye qëndron Edi Rama, kryeministër dhe kryetar. Një njeri për të cilin askush nuk ka më të voglin iluzion se çfarë përfaqëson dhe se çfarë aftësish ka. Edi Rama është regjizori i kriminalizimit të kësaj partie, i shndërrimit të saj në një grup inekzistent politik, një redingotë për socialistin milioner që I duhet të luajë për hir të detyrimeve “majtas”, rolin e shegertit.
Pas Edi Ramës, pason Erjon Veliaj, kryebashkiak i Tiranës. Prej dy ditësh, qyshkur se ish-ministri i FInancave, Arben Malaj e akuzoi se është çnjerëzor dhe i korruptuar, disa përfaqësues të PS-së janë hedhur në sulm për ta shpallur Veliajn si kandidatin e duhur për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Mimi Kodheli tha në një deklarim mediatik se Veliaj është kryetari që duhet, ndonëse duhet thënë se pas largimit të saj si ministre Mbrojtjeje, Veliaj iu ofrua Kodhelit për bashkëpunim për kapjen e kreut të PS-së. Por çfarë përfaqëson Veliaj? Njeriun e punës? Kjo është një gënjeshtër të cilën e tresin vetëm socialistët si Kodheli dhe Erjon Braçe. Zoti kryebashkiak ka në barrën e vet disa fatura që ende nuk janë shlyer, në përgjegjësi të tij ka edhe viktima. Por më tej akoma. Zotëria nuk di të artikulojë ndonjë gjë më shumë sesa pesë gjashtë - formula që i përdor në çdo takim, duke tradhëtuar mediokritetin e një kohe. Media ka ende shumë punë përpara për të evidentuar lidhjet e biznesit të këtij njeriu dhe mënyrën sesi rritjet buxhetore në të vërtetë shkojnë paralel me rritjen e fondeve në tendera, ku edhe fle lepuri i pushtetit të këtij njeriu.
I treti në listë, por tashmë larg garës reale, është Saimir Tahiri. Socialistët e kanë zakon të thonë se ai është shumë punëtor, se me të në krye dega e PS-së në Tiranë ishte shumë e fuqishme. Askush nuk ka ndonjë fije cipe në faqe të kujtojë se Saimir “Hashashi” u rrit bashkë me vegjetacionin kanabistik të Republikës duke bërë gabimin e makinës që desh e degdisi në burg.
Historitë qesharake të këtyre tre njerëzve që kanë zhytur duart në paratë publike, mund të vazhdojnë pa fund. Por kjo është dhe duhet të jetë tashmë punë e drejtësisë. E asaj që po vjen e që siç na thuhet do bëjë punë me të vërtetë. Ajo çfarë ka rëndësi është të shihet nga afër se ku katandisi e ashtuquajtura parti e profesorëve që dikur pretendonte se ishte shtëpia e atyre që dinin të hidhnin në letër dy radhë më shumë sesa ato që duhen për hartime elektorale. Dhe kjo trumbetohet si partia kryesore.
Add new comment