Shqipëria po sfilon!
Me ndryshimet që bëri në kabinet, kryeministri Rama shqepi praktikisht qeverinë si të kishte në dorë gërshërën e rrobaqepësit, zanat që siç ka thënë do ta ushtrojë pasi të ketë dalë nga politika.
Si amator kuptohet, ashtu siç ka vepruar edhe në politikë, qoftë me qeverisjen ashtu edhe me njerëzit që vuri në karriget e ministrave.
Kjo jo vetëm për faj të tij, por edhe të partisë që e prezantoi si flamurtar të ndryshimit të madh, të cilin e nisi që nga bezja e flamurit, duke i theksuar ngjyrën nga rozë në pink, gjithmonë me të njëjtën perspektivë atë të stilistit.
Stofi politik që i kishte veshur qeverisjes së vendit me njerëz të karrierës partiake nëse mund të quhen kështu Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Niko Peleshi apo Lindita Nikolla rezultoi një prerje që u kushtoi shtrenjë shqiptarëve qoftë në bilancin ekonomik ashtu edhe në atë politik, ndonëse u përpoq të sillej para shoqërisë si elita e dokut, por që në kohën e lirë dizenjonte vila dhe luante golf . Bilanci, qindra mijëra njerëz të larguar nga Shqipëria dhe mijëra të tjerë me dëshirën për t’u larguar.
Një ekonomi e centralizuar e kapur nga një grusht kilentësh përmes konçesionesh dhe ofertash të pakërkuara, një bujqësi që nuk konkuron dot as Kosovën dhe që djeg fondet e BE-së, një polici që ka në kërkim drejtuesit e saj për trafik droge dhe që tani me ardhjen e ministrit të ri po lufton me fishekzjarret, apo një sistem arsimor defiçent në inflacion të dukshëm me vetveten.
Kostumi i ri që veshi qeveria me masa të marra nga i njëjti rrobaqepës është vetëm një ndërhyrje estetike për të mbuluar dordolecin që ka mbetur në këmbë bashkë me një parti të mykur që ka shërbyer si shkollë edukimi për një sekt politik të përfaqësuar nga “socialisti” i kockës për vete dhe moralit për të gjithë.
Kjo rracë nuk ndryshon as në qeveri dhe as në opozitë kur është fjalë për të marrë përgjegjësi apo për të dalë mbi interesin e xhaketës personale, qoftë edhe kur pardesia e një qeverisje demode ka firmën e kryerrobaqepësit të vetëshpallur. Zgjedhja që u bë për të zëvendësuar ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati është domethënia me flagrante e kthimit të Partisë Socialiste në një rrobaqepsie politike që kujdeset për sfilatën e radhës, ku natyrisht në modë janë teknicienët dhe jo politikanët.
Kjo nuk lidhet në veçanti me emrin e përgjedhur nga Edi Rama për shefin e diplomacisë shqiptare, por për profilin që kryerrobaqepësi i ka dhënë këtij dikasteri me caktimin e një njeriu jopolitik, pa karriere dhe pa eksperiencë në diplomaci. Këprcimi nuk është i madh. Edi Rama veproi me mendësinë e rrobaqepësit pak ditë pasi doli nga salloni i berberit, siç e tregoi dhe vetë me fotot që postoi në rrjetet sociale. Si për të na treguar se tani ka punë, por ka dhe profesionistë!
Add new comment