"Fresk Veliaj consortium"/Top-Channel tejkalon planin: I njëjti lajm publikohet në dy ditë
Erjon Veliaj është në politikë dhe atij i duhet që të manovrojë me shumëçka për të arritur objektivat e tij. Kjo kuptohet edhe pse marifetet e këtij pinoku politik janë komike aq sa zbardhin se ai jeton dramën e mosrealizimit të vetes. Por politika politikë. E keqja, apo qesharakja, komikja, groteskja, çfarë të duash mund ta quajmë këtë, është me median. Me një pjesë të saj, mes të cilave edhe dy televizionet Tv Klan dhe top-Channel. Ky i dyti është më origjinal, ndërkohë që i pari dallon që e ka për “hall” hosananë ndaj kreybashkiakut.
Sot në faqen online të Top-Channel shihet një lajm me titull: “Banesa sociale pa afat”. Veliaj, në familjen e zhvendosur për shkak të zgjerimit të Unazës. Lajmi mban datën 29/11/2018, ora 15:01.
Ky lajm me të njëjtën përmbajtje është në faqen e TCh edhe me datën 28 nëntor. Ndryshon pakëz titulli: Veliaj me banorët e zhvendosur të Unazës së re: Banesat sociale mund t’i mbani pa afat.
Lajmi më parë kalon nga Topi, madje edhe kur është i njëjti lajm në dy ditë. Top Dream për gazetarinë, padyshim.
Të njëjtat plane kronike i gjen edhe në faqen e Tv Klan ku njësoj si te faqja e Top-Channnel, nëse kërkon me fjalën kyçe “Veliaj”, çuditërisht të shfaqen thuajse të njëjta lajme.
Homologimi cerebral mes gazetarëve është një shpjegim, sado irracional. Pra dy gazetarë të ndryshëm, në dy televizone, për çudi raportojnë të njëjtat gjëra. Një shpjegim tjetër gjithësesi është edhe qëndrimi i këtyre televizioneve që nuk kanë asgjë për protestën, as pamje, asgjë. A thua dikur, Erjon Veliaj në gjendje sonambulizmi shpiku idenë e banesave sociale dhe improvizoi aktorët e rastit. Kjo sjellje e mediave kryesore në vend është njolla e tyre, njollë e cila sigurisht që nuk është dhurata e bukur për Lali Erin. Kaq kuptohet fare qartë.
Add new comment