Belaja me barrën e provës për Taulantin dhe Rrahmanin
Partia Socialiste e ka lënë në dorë të dy deputetëve, Taulant Balla e Rahman Rraja menaxhimin e çështjes që hapi videodëshmia e ish-oficerit të Policisë, Emiljano Nuhu, ku implikohen tre të mandatuar të kësaj force politike.
Nuhu ka deponuar në Prokurori se është kërcënuar me pistoletë në kokë nga njerëz të deputetit socialist në prani edhe të Taulant Ballës e kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi për të liruar djalin e Rrajës i arrestuar për dhunë seksuale ndaj një vajze.
Në raste të ngjashme kryetari Rama është distancuar për t’ua lënë barrën e provës deputetëve të tij, siç bëri me Tom Doshin dhe mesa duket as ai nuk është i bindur për pafajësinë e deputetëve të tij në këtë histori. Në deklaratat që kanë bërë si Taulant Balla ashtu dhe Rahman Rraja nuk kanë bindur. I pari me argumentin se në datën që pretendon oficeri ka qenë në takime në rrethe, por pa specifikuar ku. Më vonë Balla postoi një foto duke thënë se ishte për peshkim.
Për ngjarjen është shprehur dhe kryebashkiaku Artur Bushi që po ashtu ka thënë se do jenë pamjet filmike që do tregojnë se kush ka hyrë e ka dalë në komisariat, por sipas procedurës filmimet edhe mund të jenë fshirë. Ajo që e rëndon edhe më shumë pozitën e deputetit socialist Rraja është se djali i tij ka qenë in shpallur në kërkim nga policia që në vitin 2017, por lëvizte i lirë, madje ishte paraqitur edhe në komisariat.
Add new comment