FMN-Qeverisë: Stop propozimeve nga privatë
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe vlerësimet për ecurinë e ekonomisë dhe politikave të qeverisë pas vizitës dyjavore në Tiranë. Ky raport diktohet nga marrëveshja që zhvillohet me ato vende anëtare që kanë një nivel konsiderueshëm kredie të FMN-së ende për t’u shlyer pas përfundimit të programeve dhe ka fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet. Në përfundim të vizitës, misioni doli me një deklaratë ku kërkoi që Praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara (nga privatët) duhet të eleminohet. Një prej propozimeve të pakërkuara është edhe oferta për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar dhe një kompleksi kullash nga investitori privat.
FMN shprehet kundër planit të qeverisë për krijimin e një banke zhvillimi për të financuar investimet publike, duke i sugjeruar të marrë parasysh përvojën ndërkombëtare sa u takon risqeve që shoqërojnë subjekte të tilla, përfshirë risqet fiskale, financiare dhe të drejtimit të brendshëm.
Misioni po ashtu thekson se angazhimet e pambuluara me fonde në buxhetin afatmesëm dhe vonesat në rimbursimin e TVSH-së kanë sjellë akumulimin e detyrimeve të reja të prapambetura prej rreth 0,9 për qind të PBB-së në 2017 (prej të cilave 0,7 për qind rimbursim TVSH-je), që duhet të zgjidhet me shpejtësi. Në fund të deklaratës misioni i FMN-së jep një panoramë të zymtë të situatës me ccështjet e pronësisë duke përmendur si kërcënim serioz edhe emigrimin e lartë që ka vendi ynë.
“Paqartësitë mbi të drejtat e pronës dhe një gjyqësor i korruptuar dhe jo efikas evidentohen shpesh si pengesa kryesore për thithjen e investimeve. Aftësinë konkurruese e dëmtojnë më tej mungesat e infrastrukturës lidhëse, informaliteti i lartë, vështirësia për të marrë financim dhe kapitali i dobët njerëzor. Trajtimi i këtyre sfidave merr edhe më shumë rëndësi përballë ngadalësimit të rritjes së investimeve dhe produktivitetit në Shqipëri dhe në mbarë Evropën pas krizës financiare botërore. Këto sfida ndaj rritjes ekonomike përkeqësohen nga niveli i lartë i emigrimit nga Shqipëria. Tani është momenti për të zbatuar reformat për përmirësimin e klimës së investimeve, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të rritur mundësitë për punësim”
Add new comment