Rruga e vështirë e shqiptarëve të Maqedonisë në afirmimin politik e kombëtar*

Postuar në 10 Mars, 2018 17:12
Qerim Lita

Në nëntor, përkatësisht dhjetor të vitit 1990 në RS të Maqedonisë për herë të parë u organizuan zgjedhje të “lira” shumëpartiake. Shqiptarët, të cilët përbënin 1/3 e popullsisë u rreshtuan në dy partitë e atëhershme politike: Partia për Prosperitet Demokratik – PPD-ë dhe Partia Demokratike Popullore – PDP-ë, të cilat arritën të fitojnë 23 ulëse në parlament (17 PPD-ë, 1 PDP dhe 5 koalicioni PPD-PDP-ë). Me konstituimin e Parlamentit të parë pluralist e më pas edhe me formimin e të ashtuquajturës qeveri të “ekspertëve”, çështjet jo që nuk ndryshuan në të mirë të shqiptarëve por të njëjtat morën një kahje skajshmërisht antishqiptare.

Në këto rrethana, Partia Demokratike Popullore, doli me një deklaratë politike e cila më 19 qershor të vitit 1991, u botua në gazetën “Nova Makedonija”. Në të ndër të tjerave thuhej se “PDP-ë është përcaktuar që popullsisë shqiptare në Jugosllavi t’i pranohet statusi i kombit”, edhe atë si “shprehje e lirisë dhe të drejtës për përcaktim të lirë nacional, për vetvendosje dhe me të drejtë të shkëputjes nga robëria totalitare e asimiluese pan-sllaviste…”. “Pushteti maqedonas – thuhej më tej në deklaratë – në vend të progresit e zgjodhi regresin. Janë bërë dhe po bëhen shumë reduktime e ndalime për shkollim në gjuhën shqipe, janë miratuar ligje diskriminuese në fushën e shkollimit, u mbyllën shumë shkolla të mesme në gjuhën shqipe, na urdhëruan të mësojmë në “paralelet e përziera”, administratën pedagogjike ta udhëheqim në gjuhë të huaj, sollën vendime për shkollim të mesëm të imponuar vetëm në gjuhën maqedonase…etj.”. Ministria për Informim përmes një komunikatë të lëshuar më 27 qershor, Deklaratën e PDP-së, e kualifikoi si një “pamflet” që çon, siç thuhet “kah destabilizimi i Republikës, kah cënimi i marrëdhënieve ndërnacionale…”, krejt kjo “me qëllim të arritjes së funksionit të shkëputjes së pjesëve nga Maqedonia dhe krijimin e një fiksioni për Shqipëri të madhe”.

Ndërkohë, edhe Partia për Prosperitet Demokratik më datë 29 korrik 1991, Kuvendit të Republikës së Maqedonisë i dorëzoi “Deklaratën për statusin e barabartë të shqiptarëve në Maqedoni”. Sipas saj bartës të sovranitetit duhej të ishin të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, ndërsa gjuhë nacionale të shpalleshin maqedonishtja, shqipja dhe turqishtja. Më tej thuhej se Republika e Maqedonisë duhet të ndërtoj mekanizma kushtetuese përmes së cilave do të garantohet barazia nacionale, pranë së cilave për të gjitha çështjet të cilat u përkasin marrëdhënieve ndërnacionale duhet të vendoset me konsesus. Në pikën nëntë të deklaratës bëhej me dije se: “Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë kanë të drejtë të vendosin për fatin e tyre dhe në këtë kontekst ta bartin pjesën e tyre të përgjegjësisë për fatin e Republikës”. Ngjashëm sikurse e para, edhe kjo Deklaratë u hodh poshtë nga Qeveria e RSM-së, me arsyetimin se “statusi i kolektiviteteve nacionale, pakicave nacionale dhe etnike dhe pjesëtarëve të kombeve tjera” do të definohet me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Si kundërpërgjigje ndaj mohimit të vazhdueshëm të kërkesave për barazi nacionale, dy partitë politike shqiptare, vendosën të bojkojtojnë Referendumin për shpalljen e pavarësisë, i cili u mbajt më 8 shtator 1991, pastaj deputetët shqiptar nuk e votuan Kushtetutën për shkak se me të shqiptarët u shpallën pakicë nacionale, ndërsa paraprakisht qe bojkotuar edhe regjistrimi i popullsisë, i cili u dasht të mbahet në muajin maj të atij viti.

Ndërkohë, më 27 dhjetor të vitit 1991 me nismën e grupit parlamentar shqiptar dhe me përfaqësues, këshilltarë nga kuvendet komunale të 17 komunave të banuara me shqiptarë, në Gostivar në zyrën e Partisë për Prosperitet Demokratik u themelua Kuvendi, i cili miratoi vendimin për shpalljen e Referendumit për Autonomi politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo përfshihej në nenin 1 të vendimit, ndërsa në nenin 2 thuhej: “Kuvendi përbëhet prej 51 delegatëve atë e përbëjnë një grup të deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë dhe nga tre këshilltarë të Kuvendeve komunale të: Shkupit, Kumanovës, Tetovës, Gostivarit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Ohrit, Resnjës, Manastirit, Krushevës, Makedonski Brodit, Prilepit dhe të Tito Velesit”. Gjithashtu, në mbledhje u vendos që “më datë 11 dhe 12 janar të vitit 1992 të mbahet Referendum në 17 komuna të Maqedonisë të banuara me shqiptarë”. Në deklaratën e dalë nga kjo mbledhje thuhej shprehimisht: “Shpresat se me proceset e reja demokratike populli shqiptar do t’i gëzoj të drejtat e veta legjitime nuk u realizuan nga pushteti maqedonas. Në zgjedhjet e para pluraliste demokratike populli shqiptar përsëri pati presione, nuk arriti t’i zgjedh deputetët dhe këshilltarët sipas numrit të votave; populli shqiptar nuk e pranoi regjistrimin e popullsisë sepse nuk u plotësuan kushtet e nevojshme; gjithashtu nuk doli në referendumin e 8 shtatorit jo pse ishte kundër Maqedonisë dhe sovranitetit të saj, por nga se nuk u realizuan premtimet e udhëheqjes së Maqedonisë për barazi të plotë të shqiptarëve me maqedonasit; e njëjta gjë ndodhi edhe me Kushtetutën e Maqedonisë, ku të gjitha tentimet dhe përpjekjet që shqiptarët të jenë subjekt i barabartë në Maqedoni, nuk u përfillën nga pushteti maqedonas dhe kështu edhe me ndarjen e pushtetit në Maqedoni..” “Duke u gjetur në një situatë të tillë – thuhej më tej në deklaratë – populli shqiptar, me të drejtë e shprehu vullnetin e vet politik të patjetërsueshëm për shpalljen e Referendumit për Autonomi Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni”. Më datë 30 dhjetor të vitit 1991 u mbajt mbledhja e dytë e Kuvendit në të cilën Gjyliaz Fejzullahu u zgjodh kryetar i Kuvendit, Liman Kurtishi nënkryetar dhe Naser Zyberi sekretar”. Gjithashtu, në mbledhje u emërua Komisioni qendror për realizmin e referendumit i përbërë prej 16 anëtarëve, ku për kryetar u zgjodh deputeti nga Gostivari, Neim Selmani, ndërsa për sekretar Shehat Shehu gjithashtu nga Gostivari.

Në kuadër të Kuvendit të Autonomisë politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, u formuan edhe këto komisione: Komisioni për hartimin e tekstit për ndryshimin e Kushtetutës; Komisioni për përcaktimin e shtrirjes së Autonomisë; Komisioni për shpalljen e zgjedhjeve; Komisioni për organizimin e njësive ushtarake, dhe: Grupi për biseda me kryetarin e Republikës.

Komisionin për organizimin e njësive ushtarake e udhëhiqte Mit’hat Emini-Plaku, sekretar i përgjithshëm i PPD-së, ndërsa anëtarë tjerë ishin: kolonel Naxhi Ahmeti, Ismet Shabani – Shkupi, Shinasi Rexhepi, Abdylvehap Ismaili, Dr. Ilir Luma, Resmi Ejupi, Selam Elmazi, Samet Hyseini, Sejdali Saliu, Sejdin Abazi, Zudi Bilalli, Eugen Cami, Petrit Fetahu, Arif Seferi, Naim Ibrahimi, Hysen Haskaj, Ismet Berisha, Muhamet Demiri dhe Fatmir Stavileci. Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se, Komisioni për organizimin e njësive ushtarake, së shpejti regrutoi një numër të konsiderueshëm të ushtarëve, të cilët u dërguan në Shqipëri për stërvitje. Në mesin e tyre duhet përmendur Nuri Bexhetin, Halil Palloshin, Sami Golajn, Halil Latifin, Sedat Osmanin, Fatmir Fejzullahun, Orhan ibrahimin, Naser Jakupin, Adem Maksutin, Samet Ibrahimin e shumë të tjerë. Stërvitja e tyre kryhej nën komandën e Adem Jasharit, i cili në Shqipëri kishte shkuar gjatë muajit nëntor të vitit 1991.

Aktiviteti i dendur i këtij komisioni përcillej në hap nga shërbimi i atëhershëm sekret UDB-ë. Ky shërbim në mars të vitit 1992 përmes një informate konfidenciale, njoftonte Qeverinë e Maqedonisë, për një organizim ushtarak të shqiptarëve në Maqedoni, i cili veçmas kishte ardhë në shprehje “pas realizimit të referendumit për autonomi politike e kulturore të shqiptarëve në R. Maqedonisë”. Në të veç tjerash thuhej: “Sipas njohurive të verifikuara, nga na e udhëheqjes së PPD-së dhe anëtarëve ekstrem të kësaj partie, është krijuar ushtria kombëtare shqiptare, me shtabin e përgjithshëm (komisioni strategjik i PPD-së për mbrojtje) dhe ‘shtabet ushtarake’ nëpër qytete ku jetojnë qytetarët e nacionalitetit shqiptar. Në kuadër të shtabeve janë krijuar edhe ‘komisione’ të veçanta të cilët punojnë në përgatitjen e planeve konkrete për aktivitetin e të njëjtëve. Udhëhiqet evidenca ndaj obliguesve ushtarak – persona të cilët pranojnë të radhiten në ushtrinë kombëtare të shqiptarëve, me qëllim që të mund të mobilizohen me kohë”. Gjithnjë sipas UDB-së, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, e udhëhiqte Mi’that Emini, ndërsa Naxhi Ahmeti, ishte zgjedhur koordinator i përgjithshëm për organizimin dhe për formën e vendosjes së ushtrisë dhe drejtuesit e shtabeve ushtarake të qyteteve të pjesës Perëndimore të R. Maqedonisë edhe atë: për Shkup: Ismet Shabani, Hysen Haskaj, Ismet Berisha, Muhamet Demiri dhe Fatmir Stavileci: për Tetovë – Shinasi Rexhepi, Abdylvehap Ismaili dhe Ilir Luma, për Gostivar – Resmi Ejupi, Selam Elmazi, Samet Huseini, Sejdali Saliu dhe Zudi Bilalli, për Kërçovë – Sejdi Abazi, për Dibër – Eugen Cami dhe Petrit Fetahu, për Kumanovë – Arif Seferi dhe Naim Ibrahimi, ndërsa për aktivitetet në botën e jashtme koordinator të përgjithshëm ishin zgjedhur: në Gjermani Vehap Memishi dhe në Zvicër Shaip Bilalli dhe Xhemail Rexhepi.

Një ngjarje tjetër me peshë historike për shqiptarët në përgjithësi, e për shqiptarët e Shkupit në vaçanti, paraqet ardhja e Adem Jasharit dhe grupit të tij në këtë qytet të lashtë shqiptar. Në intervistën e kryer me Ismet Shabanin- Shkupi, kjo ngjarje ka ndodh në dhjetor të vitit 1992 kur forcat ushtarak-policore serbe sulmuan kullat e Jasharajve. Sipas tij, Adem Jashari së bashku me Fadil Kodrën, Sami Lushtakun, Sahit Jasharin, Iliaz Kodrën, Jakup Nurën, nën përcjelljen e Milazim dhe Bajram Çiçavicën, vendosen në Shkup në shtëpinë e Ismet Shabanit. Gjatë kohës përderisa Adem Jashari dhe grui i tij qëndroi tek ai, krejt rastësisht ka ardhë Muj Krasniqi, i cili me ta ka zhvilluar një bisedë të shkurtë dhe më pas është nda nga ata. Për çështje sigurie, Adem Jashari me grupin e tij ishte dashë të qëndroj plotë 11 ditë te shtëpia e Ismetit, që më pas nën përcjelljen e tij (Ismet Shabanit), kanë udhëtuar për në Dibër të Madhe dhe nga atje ilegalisht e kanë kaluar kufirin për t’u vendosur në shtetin shqiptar. Është me rëndësi të theksohet se edhe kthimi i Adem Jasharit për në Kosovë është kryer përmes Dibrës së Madhe, të cilin organizim gjithashtu e ka udhëheq Ismet Shabani.

http://shenja.tv/njesite-e-para-ushtarake-ne-trevat-lindore-shqiptare-dhe-roli-i-adem-jasharit-1990-1993/

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.