Gënjeshtrat dhe hipokrizia e PS-së me rastin e koncesionit të skanimit
Mazhoranca socialiste po kërkon të ulë pazarin e kërkesave të padukshme të Partisë Demokratike, apo të shantazhojë edhe ndonjë politkan apo forcë tjetër politike, duke u hedhur në sulmin e akuzave që marrin shkas nga mediat. Pak ditë më parë doli në skenë çështja e pagesave të PD-së për grupe lobistësh në SHBA, publikuar nga rrjeti BIRN, të cilat PS-ja, me anë të të njëjtit personazh, kreut të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, kërkoi t’i bënte çështje publike. E ndërkohë që media pranë PD-së u kundërpërgjigjën me të tjera fatura pagesash nga ana e PS-së, Balla ka rimarrë çështjen e koncesionit të skanimit në dogana, që sipas tij përbën skandal. Sot Balla, që përcjell qëndrimin politik të PS-së, i kujton ndjekësve në Facebook se skandali i skanimit është denoncuar qysh herët nga partia e tij.
“Televizioni amerikan “Bloomberg”, rrjeti më i madh i financave në botë dhe më pas media të tjera amerikane, konfirmuan një skandal të madh korrupsioni, të cilin ne e kemi denoncuar prej ditës së parë. Investigimi i Bloomberg ka zbardhur edhe skemën e rryshfetit. OSI Systems/Rapiscan, me qendër në Kaliforni ka marrë nga Sali Berisha një kontratë prej 250 milionë dollarësh dhe vetëm disa muaj më pas shiti 49% të aksioneve tek një kompani fantazëm shqiptare. Vlera e aksioneve me vlerë 122.5 milionë dollarë u shit tek kompania e lidhur me Sali Berishën për vetëm për 4 dollarë. Sipas punonjësve të OSI Systems të cituar, gjysma e 250 milionë dollarëve të kontratës së lidhur midis shtetit shqiptar dhe kompanisë amerikane, iu kalua në formë ryshfeti ish-kryeministrit të Shqipërisë deri në vitin 2013 Sali Berisha dhe të afërmëve të tij. Provat janë mbi tryezën e Prokurorisë prej vitit 2013”, shprehet Balla.
Gënjeshtra e zotërisë dhe partisë së tij është e madhe dhe përbën tallje.
Së pari, Bloomberg e ka sjellë në vëmendje OSI Systems për shkak të rënies në bursë nisur nga lloji i kontratave që ka në Meksikë apo Shqipëri, por edhe për shkak të strukturës së investimeve. Shqipëria del aty si aspekt anësor i çështjes (https://www.bloomberg.com/news/articles/2017-12-06/muddy-waters-says-it-...), ndonëse përmendet nominalisht.
Së dyti, PS-ja e kthen në çështje politike një trajtim nga Bloomberg, ndërkohë që kontratën fillestare të nënshkruar më 16 shtator 2013 nuk e bëri asnjë objekt hetimi apo auditimi. Qeveria e saj, në vitin 2015, konkretisht në muajin korrik, çoi në Parlament, një projektligj që synonte rinegociimin e termave të kontratës, uljen e tarifës së skanimit nga 33 euro për deklaratë në 22 euro për deklaratë, duke pretenduar se kurseu 106 milionë euro. https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2015/11/raport_marreveshja_p...
Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi disa herë se marrëveshja nuk mund zhbëhej sepse Shqipëria do të dilte e humbur në arbitrazh, ndërkohë që këtë këngë e mbajti deri në zgjedhjet e vitit 2017 edhe z. Rama. Kujtojmë se negociimin për uljen e tarifës me Rapsican e bëri bashkëshortja e Tony Blair që u përfol se mori rreth 500 mijë euro për këtë shërbim, ndërkohë që një vit më vonë pala amerikane e kontratës u tërhoq.
Kjo sa për të bërë një përshkrim të asaj që ka ndodhur e që sot PS-ja po përpiqet ta evidentojë si faturë për PD-në dhe Sali Berishën.
Pyetja që shtrohet është se si ka mundësi që Bloomberg ka mundësi të hetojë një kontratë korruptive dhe qeveria shqiptare jo? Vetë rinegociimi legjitimon marrëveshjen, sidomos po të kemi parasysh se PS-ja ka shpërfillur thirrjet për hetim fiskal të bëra nga përfaqësues të saj.
Ndiq më poshtë prononcimin e z. Braçe që drejtonte Komisionin e Ekonomisë, bërë më 31 dhjetor 2015, pra 6 muaj pas propozimit të projektligjit të ri.
Pyetja tjetër është se për cilën arsye, z.Balla dhe PS-ja me qeverinë e vet nuk publikon aksionerët fillestarë të koncesioneve kaq problematike, të cilët i konsideron afera korruptive? Është një gjë të thuash se Sali Berisha ka marrë ca para dhe është krejt tjetër të ekspozosh biznesin që e bën këtë gjë në Shqipëri. Duhen emra, me po atë mënyrë që flitet në Bloomberg. Përndryshe, kemi të bëjmë me ca gënjeshtarë që do kenë ndonjë hall e që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesin publik. Kontrata ka qenë aty qysh në fillim dhe mund të denoncohej nëse nuk zhbëhej dot. Madje vetë pala shqiptare mund të ndihmonte që OSI Systems të ekspozohej ndaj ligjeve federale amerikane. Por nuk e ka bërë këtë.
Add new comment