Rëndësia e aspektit matematik të sistemit zgjedhor në prag të reformës

Postuar në 03 Nëntor, 2017 22:36
Arsen Zlatiçanin – Universiteti i Shkodrës

Tani, në prag të ndryshimeve në sistemin zgjedhor del në pah dhe kthehet si  tematikë interesante, metoda e shpërndarjes së mandateve në varësi të votave për subjektet politikë që garojnë në kompeticionet elektorale.

Një metodë e shpërndarjes së mandateve, në varësi të votave për subjektet politikë që konkurojnë në zgjedhje, mund të hartohet në shumë mënyra. Ka metoda që janë mjaft të lidhura me lëvizjen e votave për  partitë, por gjithashtu ka edhe metoda që janë jo shumë të ndjeshme nga lëvizjet e votave. Pra ka kryesisht dy komponentë që çojnë në hartimin e neneve për  shpërndarjen e mandateve, komponenti politik  dhe  komponenti  matematik. Duke u bazuar tek komponenti i parë i cili përbëhet nga faktorë esencialë që janë të lidhur edhe me karakteristikat e vendit, komponentit të dytë mund t’i lihet pak hapësirë manovrimi, dhe si pasojë shfaqen defekte që krijojnë pakënaqësi tek palët që dëmtohen nga shpërblimi  që mund të marrin palët që përfitojnë nga nenet e kodit zgjedhor.

Dobësitë e metodave të shpërndarjes së mandateve (të paraqitura në nenet e kodeve zgjedhore  nga viti 1991 deri më sot), në historinë e pluralizmit shqiptar janë shfaqur herë pas here edhe pse metodat janë ndërruar shpesh here, pikërisht për shkak të këtyre dobësive. Vullneti i zgjedhësve nuk është pasqyruar shpeshherë tek mandatet në mënyrë të drejtpërdrejtë (si pasojë e një algoritmi të fiksuar tek nenet e kushtetutës dhe kodit zgjedhor) edhe pse shumë faktorë të tjerë e kanë relativizuar këtë vullnet, si psh shitblerja e votave apo e deputetëve,  fenomene për të cilat ka patur mjaft akuza nga palët e dëmtuara, historikisht!

Hartuesit e sistemeve zgjedhore deri më tani kanë lejuar që pesha e votës te matet me një kandar defektoz dhe partive u ka interesuar kjo gjë me shpresën që të dalin përfitues nga defekti i kandarit. Palët përfituese kanë rënë dakort me kandarin, kurse palët e dëmtuara kanë patur kontestime postelektorale për sistemin. Dhe kështu Shqipëria nuk po gjen stabilitet me sistemet zgjedhore të cilat i ndërron apo bëhen subjekte kritikash pothuaj çdo herë pas zgjedhjeve.

Rasti i vitit 2001 që prodhoi  fenomenin “Dushk”, ku me manovrime partiake për përsëritje arbitrare të zgjedhjeve në një zonë, votat e së cilës  mjaftonin  për një deputet përafësisht, prodhuan lëvizjen e 8 deputetëve (nga 140 gjithsejt), nga kampi i djathtë tek kampi i majtë(nga 80 me 60 për kampin e majtë që mund të ishte, u bë 88 me 52 për kampin e majtë). Si kundërpërgjigje kampi i djathtë pas 4 vitesh ndërtoi taktikën “Megadushk” përmes të cilës u mbrojt nga ndonjë manovër e mundshme e koalicionit të majtë qeverisës.  Kjo taktikë degradoi deri aty peshën e votës së qytetarit, sa edhe eksponente të partive të mëdha u kërkonin në fushatë zgjedhësve të mos votonin për ta sepse sistemi i penalizonte votat e tyre. Kështu Berisha kërkonte nga demokratët që ata të mos votonin për partinë e tyre PD, ndërsa Nano nga socialistët të mos votonin  PS.  Edhe pse neni 64 (pika 2)  i kushtetutës së atëhershme kërkonte një përafërsi sa më të madhe mes përqindjes së votave dhe përqindjes së mandateve  për subjektet politike, dobësitë e neneve të kodit zgjedhor linin në dorë të moralit të partive politike respektimin e kushtetutës të asokohshme. Morali i politikës prodhoi proporcionalitetin(kaosin) që paraqitet tek grafiku i mëposhtëm.

Ky sistem zgjedhor i detyroi  qytetarët të deformonin votën e tyre në funksion të objektivave të partive të mëdha. Kjo tregoi se ligji mbi zgjedhjet kishte dobësi, përpara manovrave “jo-morale” të subjekteve politike. E ngjashme me atë, sikur bankat të mos kishin sistem sigurie duke u bazuar në moralin e mirë të njerëzve. Dhe kështu doli i nevojshëm hartimi i disa neneve të kodit zgjedhor dhe kushtetutës, të cilat vendosën një sistem të ri të shpërndarjes së mandateve   që nuk do lejonte përfitme nga taktikat “Megadushk”.

Neni 64 i kushtetutës dhe nenet  74, 75, 162 dhe 163 të kodit zgjedhor  e karakterizojnë metodën që u përdor në tri zgjedhje parlamentare (si asnjë herë më parë).  Kjo metodë  rezistoi më tepër se metodat e tjera të përdorura më parë, sepse respektonte  më tepër  karakterin matematik të formulës dhe nuk lejonte taktika me motive përfitimi si më parë për subjektet politike.

Sistemi dhe formula D’Hondt favorizonin koalicionet sa më të mëdha dhe penalizonin subjektet që donin të dilnin të pavarura në zgjedhje. Ishte një lloj kopjimi i sistemit spanjoll të vitit 1977 pas diktaturës Frankiste , që kishte edhe qëllim dëmtimin e  partisë komuniste spanjolle të asokohe. Rolin e komunistëve spanjollë , matematikisht  e zuri LSI, e cila u dëmtua në vitin 2009 me 3 deputetë dhe mori vetëm  4.  Kështu subjektet apo individët e fuqishëm detyroheshin të futeshin nën siglat e partive brenda koalicioneve të mëdha që të mundesonin edhe me 4000 vota të siguronin mandatin, ngaqë të pavarur mund të mos e siguronin as me 10000 vota apo edhe më tepër.

Defektet e aspektit matematik të sistemit aktual zgjedhor janë:

1.  Dominimi i metodës  mbi vullnetin e zgjedhësve.  Kështu mund të ndodhë që vetëm numri  140, i deputetëve në total (që përcaktohet në mënyrë arbitrare nga neni 64 i kushtetutës), të bëhet shkas për fitoren e zgjedhjeve nga një subjekt politik në raport me tjetrin. Shembull  për këtë është rezultati i zgjedhjeve të vitit 2009 ku koalicioni i djathtë mori 70 mandate dhe koalicioni i majtë mori 66 mandate. Sikur numri i deputetëve të ishte në total 128 atëherë do kishim një fitore të koalicionit të majtë me 63 mandate kundër  61 mandateve të koalicionit të djathtë. Ky variabilitet i fituesit nuk do të varej aspak nga vullneti i zgjedhësve i cili është i fiksuar në çdo kuti votimi, për çdo subjekt politik.

{Për mundësinë e variabilitetit të fituesit shih Leximi matematik i votës nga kodi aktual zgjedhor}

2.  I lidhur edhe me pikën 1. është edhe defekti  tjetër, ai i  inefektivitetit të votave për ndonjë subjekt politik.  Mund të ndodhë që njërit subjekt  ti  bëhen pa efekt edhe 150mijë apo 200mijë vota , kurse subjektit rival ndoshta edhe vetëm  disa qindra vota joefektive.Pasoja e kësaj do jetë fitorja me më pak vota apo shumë më pak vota sesa subjekti  humbës. Dhe kjo vetëm si pasojë e formulës D’Hondt dhe sistemit zgjedhor të përcaktuar në kushtetutë dhe të detajuar në kodin zgjedhor.

3. Defekt tjetër mund të jenë edhe efekti plus që japin garat brenda koalicioneve të mëdha. Neni 163 (formula Saint - Lague) , së bashku (në koordinim) me garën e koalicioneve dhe me subjektet e pavarura (formula D’Hondt), si dhe me sistemin e zonave zgjedhore mund të rrisin gabimet e proporcionalitetit deri në 10 apo 15 mandate në favor të ndonjërit subjekt në dëm të subjekteve tjera.{shih  Sistemi aktual zgjedhor dhe roli i metodave të proporcionalit}

Ndonëse hapësirat që lejon ligji i tanishëm zgjedhor nuk janë si ato të sistemit që lejonte “Dushkun” e “Megadushkun” (sepse nuk mund të parashikohen lehtë situatat para zgjedhjeve nga subjektet e interesuara politike), prapë algoritmi matematik i shpërndarjes së mandateve lejon shume defekte.  Mund të injorojë votën e shumë shtetasve  deri aty sa të përcaktojë fituesin, vetem si pasojë e inefiktivitetit të votave të kundërshtarit, të cilat i injoron sistemi.

Prandaj si matematicien, pa u përzier në aspektet politike të sistemit që mund të propozohet dhe miratohet me reformën e re zgjedhore, rekomandoj që hartuesit mos ta lënë mënjanë aspektin matematik të sistemit dhe të mos lejojnë mundësi  pabarazie mes votave të qytetarëve si pasojë e një algoritmi të keq matematik. Duke patur parasysh edhe të kaluarën, principi elementar i demokracisë “Një njeri, një votë” duhet të respektohet më shumë kësaj radhe.
 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje problem kryesor ky i demokracise, te cilin e kane thuajse te gjitha shtetet perendimore, e nga i cili perfitojne gjithmone partite e medha. Autori ben mire qe shkruan per kete problem, por ai nuk jep zgjidhje te qarte e te thjeshte. Per te shkuar tek vleresimi i cdo vote te zgjedhesve, duhen hequr te gjitha kombinimet e sistemeve te ndryshem te zgjedhjeve, e te lihet vetem nje lloj vleresimi, ai i shumes se te gjitha votave ne te gjithe vendin per x- dhe y-subjekt, qofte parti, organizate, lidhje apo indivit i pavarur. Keshtu, ndarja ne zona votimi ka te beje me vetem lehtesine e qytetarve per te dhene voten e tyre, por jo me rezultatin e zgjedhjeve. Ky i fundit del nga mbledhja e te gjitha votave ne te gjithe vendin; ne kete rast, nese kemi -bie fjala- nje kandidat te pavarur, dhe ky njihet ne vetem nje zone zgjedhore dhe merr -bie fjala- 51% te votave ne ate zone, por ne shkalle vendi merr 0.07% te votave, (qe i bie me pak se nje deputet ne rang vendi), atehere ky kandidat i pavarur nuk ka shance per tu bere deputet. Por, nese ky kandidat i pavarur merr ne shume zona votimi nga rreth 5% deri ne 10% te votave, atehere i bie qe ky kandidat te zgjidhet deputet, pasi ka marre ne shkalle vendi shume me shume vota nga sa i takon nje deputeti. Nje shifer prej minimalisht 3% te votave ne shkalle vendi do te ndihmonte partite e vogla dhe individet e pavarur, per te cilet ka nevoje cdo vend.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nqs nje kandidat i pavarur merr afro 51% ne nje zone zgjedhore , duke ditur qe zona zgjedhore prodhon te pakten nje deputet dhe se Shqiperia ka 140 deputete gjithsejt dhe se zonat ndahen ashtu qe te kene perafersisht numer te njejte zgjedhesish, na del qe ky kandidat se paku, ne nivel vendi ka afro 0.37% sikur asnje vote te mos marre ne zonat e tjera. Per te siguruar nje deputet nga 140 duhet diku 0.7%, e praktikisht edhe me pak per nje kandidat te pavarur e keshtu kandidati i pavarur e siguron mandatin sikur jashte zones se tij te mbledhe edhe me pak sesa mbledh ne zonen e tij. Zakonisht per kandidatet e pavarur nuk ka prag elektoral.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Pikerisht, kjo ndarje PERAFERSISHT eshte ne shume raste perlargesisht, duke i futur nje shumice te madhe zgjedhesish ne nje zone elektorale dhe nje pakice tjeter ne nje zone tjeter elektorale, gje qe justifikohet shpesh me terrenin (shperndarjen demografike te popullsise), por qe shpesh fshihen planifikime te mirfillta per te marre partite kryesore sa me shume deputete. E si te mos mjaftonte kjo, vihet edhe kushti i arritjes se 5% te votave per tu futur ne parlament, cfare i perjashton te gjitha partite e vogla, pra perjashton perfaqsues qe mund te kene marre deri ne 20-30% te te gjitha votave, por ngaqe jane 10 parti u bie (teorikisht) te kene nga 3% te votave! Ne rastin e nje deputeti te pavarur, ligji mund te percaktoje eksplicit, pse jo me detyrim, qe per etnitete dhe entitete te ndryshme, si bie fjala minoritetet e ndryshme dhe perfaqsite fetare, apo dhe per organizime te vecanta, si bie fjala camet, kosovaret, nga nje e me shume deputete. Pra, edhe kur nje minoritet eshte me i vogel se numri i caktuar i zgjedhesve per zgjedhjen e nje deputeti te caktuar, ne kete rast me ligj lejohet ne vecanti zgjedhja e nje deputeti te caktuar nga ky minoritet. Apo sejcili komunitet fetar te kete nga nje deputet te vetin, panvarsisht se ato mund te perfaqsojne shumicen e popullsise. Ne raste te tjera deputetesh te pavarur, duhet qe votat e tij te kalojne ne rang vendi masen propocionale te votave te caktuara per nje deputet, (p.sh. ne nje mase zgjedhesish prej 1 milion dhe 100 deputete, i bie 10 mije vota minimalisht te marre ky kandidat i pavarur per tu zgjedhur). Ky shpjegim eshte sa per te treguar parimin, pasi vetkuptohet se nje deputet i pavarur do te duhet te fitoje ca me shume ne rang vendi, per tu zgjedhur; bie fjala, duhet te fitoje kufirin minimal, qe mund te jete 2%, e shumta 3%, por jo 5%. (Edhe komentuesi i meposhtem eshte per kete lloj sistemi, gje qe tregon se ky sistem eshte me i drejte, sepse eshte me i thjeshte dhe me i qarte, pra nuk lejon manipulime.)

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shume difekte ky sistemi i sotem. Kultivon servilizmin e te vegjelve ndaj te medhenjve. Sistemi me i mire eshte proporcional i paster ku Shqiperia te jete nje zone zgjedhore. Dmth votat e secilit mblidhen dhe vleresohen komplet sa jane. Per kandidatet e pavarur problemi eshte se ata kane nje perfaqesi te nje rajoni dhe perqindja e votave per ta ndryshon nga vendi ne vend. Nje minoritar grek apo nje malesor per shembull, nuk mund te marrin shume vota jashte rajonit te vet. Ne qofte se ai mbledh le te themi 51% ne rajonin e tij, atehere duhet te shihet se sa ky 51% dhe ndonje shtese tjeter nga zonat tjera, bejne ne nivel Shqiperie? Ne qofte se kalon % e duhur per te bere nje deputet atehere ti jepet mandati e te mos kete prag elektoral qe ta penalizoje. Keshtu do kishim nje akordim mes perfaqesise rajonale dhe peshes kombetare per garuesit. Pragu elektoral eshte i keq edhe per partite e vogla sepse i detyron ti servilosen partive te medha nga frika e djegjes se votave te tyre, qe sot per fat te keq kerkojne investim edhe material. Shqiperia nje zone zgjedhore, sistemi proporcional dhe pa pragje elektorale mund te ishte zgjidhja me e mire per respektimin e cdo vote. Por politika ka principe te tjera e ndoshta nuk i intereson edhe aq pesha e cdo vote perballe peshes se fitores qe i intereson.

Submitted by Arben (not verified) on

Ne artikull thuhet: Mund të injorojë votën e shumë shtetasve deri aty sa të përcaktojë fituesin, vetem si pasojë e inefiktivitetit të votave të kundërshtarit, të cilat i injoron sistemi.

Në qoftë se as kjo nuk bën përshtypje, atëherë tamam del ajo thënia që ne nuk dimë e nuk kemi koncepte të bejmë shtet, e pastaj nuk kanë faj këta të huajt që na përdorin e na tallin sipas interesave të veta!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.