Qeverisje vetëm në letra

Postuar në 01 Nëntor, 2017 10:52

Revista “Monitor” raportonte dje për një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit hartuar pas gjetjeve për ekosistemin dhe situatën në Parkun Kombëtar të Prespës. Raporti vë gishtin mbi një problem shumë serioz, që është ai dëmtimit të mjedisit, prerjes së pyjeve edhe pse qeveria ka miratuar një Moratorium për ndalimin e tyre.

“Grupi i auditimit, gjatë vizitave në terren, ka evidentuar grupe dhe individë të ndryshëm, banorë të fshatrave brenda Parkut të Prespës, por edhe të fshatit Tren apo fshatrave të tjera, të cilët janë gjetur duke transportuar dru të sapoprerë.

Të gjithë këta banorë janë pyetur nëse janë kontrolluar nga administrata e parkut duke u përcaktuar vendin apo nëse ua kanë regjistruar sasinë e prerë të druve dhe kohën në të cilën janë prerë. Të gjitha përgjigjet e tyre kanë dëshmuar qartë se mbi ata nuk është ushtruar asnjë lloj kontrolli” nënvizon KLSH”, raporton “Monitor.

http://www.monitor.al/r-i-p-mortatoriumin-e-pyjeve-ne-parqet-kombetare-v...

Më tej raporti sjell edhe një shifër që flet për kapacitetet e pamjaftueshme në ushtrimin e kontrolleve dhe pra në zbatimin e atyre masave që vetë qeveria shpall me bujë.

46% e të pyeturve thonë se nuk kryhet asnjë kontroll, 40% se kryehet kontroll mesatar dhe 14% thonë se kontrolli është shumë i lartë. Po kështu banorët në një pjesë të mirë as që janë të informuar për Moratoriumin, çka na bën të kuptojmë se qeveria dhe agjencië e saj nuk arrijnë as të vendosin ca tabela informuese.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Moratoriumin e gjuetisë, atë për daterin e kështu me radhë. Kësaj radhe kemi një dokument shtetëror që na thotë se këto masa kanë dështuar. Nuk kemi pra raportime sporadike, kamera të fshehta, apo keqdashje mediatike. Të cilat duhet thënë në vend se të nxisin qeverinë, bëjnë të kundërtën: i japin asaj “argumentin” të shpallë se nuk ka asgjë të vërtetë dhe për t’u shqetësuar. Raporti i KLSH-së është tjetër gjë. Ai na pohon me forcë se përtej Tiranës dhe ndonjë qyteti tjetër, nocioni shtet është shumë i mjegullt, apo asociohet me tenderin, ndonjë uniformë policie e ndonjë takim elektoral. Më shumë se kaq vështirë të flitet.

Ndoshta ambicia e qeverisë tejkalon aftësitë dhe kapacitetet e saj, por këtu duhet thënë edhe se ka mungesë vullneti. Ne nuk e dimë p.sh se çfarë u bë me personat e ndalur për zjarrvënie në muajt e verës, ndërkohë që nuk ka asnjë masë për bashkitë që ndotin masivisht territorin. Qeveria ka zgjedhur rrugën e lehtë: angazhon ushtrinë sa për të kaluar situatën emergjente, ndërkohë që këto gërryerje të vazhdueshme që vijnë nga dora e njeriut kalojnë pa u ndëshkuar. Nuk mund të flitet për shtet aty ku regjimi juridik apo ligjor nuk përputhet me regjimin praktik të veprimeve. Në këtë rast kemi kaos dhe anarki të kontrolluar dhe të menaxhuar. Asgjë më shumë fatkeqësisht.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.