Shitet nga të gjithë
Ndërkohë që media po merret gjerësisht me lajmin e trafikantëve të drogës të arrestuar e ku po del edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, kryeministri Edi Rama, që duket se ka qenë në dijeni të kësaj goditjeje dhe po lan duart me ish-vartësin e tij, i ka dhënë të shtyrën e fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Edi Rama i ka kthyer shpinën ministrit që krijoi “policinë që duam”, duke kërkuar zbatim të ligjit:
“DUAM TË VËRTETËN! SA MË PARË!
Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!
Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet.
Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.
Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam - Me shtet, punë, mirëqenie.
Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!”
shkruan Rama.
Një mesazh i qartë për z. Tahiri, të cilit mesa duket nuk i bën punë autokritika, sado e shëndoshë qoftë ajo. Shenjat janë se ministri i dikurshëm është në shënjestër për t’u marrë si i pandehur dhe në këtë kontekst ai ka rastin të provojë shijen e hidhur të braktisjes edhe nga shefi, me të cilin nuk dihet çfarë llogari ka të hapura. Dyshimet e para lindën kur Tahiri mbeti jashtë kabinetit qeveritar, por të tillë janë edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Kodheli dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, të dy të akuzuar nga opozita. Kujtojmë këtu se z. Rama ka patur tjetër qëndrim për Elvis Roshin, apo Arben Ndokën, të cilët i mbrojti deri në fund. Është sipas këtij metri që ky qëndrim për Tahirin shikohet si shitje.
Add new comment