Nevoja për një politikë të re industriale
Politika industriale ka qenë një temë dilematike në debatin e politikës ekonomike. Transformimi i vazhdueshëm strukturor, zhvillimi industrial dhe kërkimi shkencor e inovacionet teknologjike janë veçoritë kyçe për zhvillimin ekonomik. Përpara krizës financiare globale, politika industriale, si një instrument për të ndihmuar zhvillimin industrial në veçanti dhe atë ekonomik në përgjithësi, u mënjanua gjerësisht nga shumë ekonomistë që dyshonin në bazat e saj analitike dhe duke vënë në dukje rekordin e dobët të saj. Madje edhe ata që pranuan ekzistencën e dështimeve të tregut dhe rastet e ndërlidhura për ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, në përgjithësi thuajse e refuzuan politikën industriale.
Dhe këtu dua të përqendrohem pak. Jo thjesht për të sqaruar se çfarë është politika e re industriale, sepse ajo, pa lindur mirë në Shqipëri (dhe jo vetëm), ka hapur debat dhe pse jo, po anatemohet, por sepse jam i bindur se ekonomia jonë ka nevojë për një politikë të re industriale. Kjo sepse transformimi i vazhdueshëm strukturor, siç e theksova, zhvillimi industrial dhe kërkimi shkencor e inovacionet teknologjike janë veçoritë kyçe të zhvillimit ekonomik, jo vetëm të vendit tonë që ka aq shumë nevojë, por edhe për vendet e zhvilluara.
Politika e re industriale i referohet një veprimi bashkëkohor në sferën publike që inkurajon një nivel më të madh ristrukturimi të sektorit privat, shumëllojshmërisë dhe dinamizmit teknologjik sesa ato që forcat e tregut do t’i gjeneronin vetëm
Sfida kryesore është hartimi dhe zbatimi i një kuadri ligjor, në të cilin aktorët publikë dhe privatë bashkohen për të zgjidhur problemet në sferën produktive. Kjo u lejon atyre të angazhohen në një proces të mësimit të ndërsjellë në lidhje me mundësitë dhe kufizimet me të cilat çdo sektor përballet në procesin e transformimit ekonomik.
Modeli i ri i rritjes ekonomike i aplikuar gjatë katër viteve të shkuara kishte në themel të tij konceptin që struktura industriale është pasojë e faktorëve të prodhimit, në një moment të caktuar dhe me mundësi ndryshimi me kalimin e kohës. Në këtë kontekst, lehtësimi i identifikimit të faktorëve dhe mundësive të rritjes ekonomike, pra i sektorëve dhe industrive që duhet të kenë përparësi, u konsideruan si domosdoshmëri për garantimin e rritjes ekonomike.
Është gjerësisht e pranuar, si në planin teorik por edhe në atë empirik, se ndërhyrja e shtetit, ose ndikimi i shtetit në zhvillimin ekonomik dhe atë industrial përfaqëson një mjet të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm në përgjithësi dhe atij rajonal në veçanti. Në aspektin teorik, sot, zhvillimi industrial si politikë ekonomike është ndërtuar mbi disa parime dhe faktorë të rinj. Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se këta faktorë janë:
Së pari, roli i “Stokut të kapitalit rajonal” në zhvillimin industrial të një zone, rajoni apo bashkie;
Së dyti, roli i teknologjisë dhe inovacionit në politikat qeveritare të zhvillimit industrial dhe
Së treti, ndërtimi i skemave të financimit duke kombinuar investimet shtetërore me ato bashkiake dhe Partneritetin Publik-Privat
Koncepti i “Stokut të kapitalit rajonal” teorikisht presupozon tërësinë e pasurive nëntokësore, natyrore, kulturore dhe njerëzore që një rajon ka. Në thelb ai përfaqëson burimet e pasurisë dhe premisat e zhvillimit të një zone gjeografike. Shembulli më pozitiv në rivlerësimin e stokut të kapitalit rajonal është turizmi shqiptar, që pavarësisht nga problemet që ka për disa rajone është bërë elementi bazë i zhvillimit të qëndrueshëm dhe fsheh ende një potencial të mëtejshëm zhvillimi.
Siç përmendëm turizmin, që me të vërtetë është shndërruar në një lokomotivë të zhvillimit ekonomik të vendit, mund të përmendim edhe energjinë dhe bujqësinë e agrobiznesin. Në politikat e zhvillimit rajonal dhe sidomos në ato të zhvillimit rural, kombinimi i shfrytëzimit të faktorëve përbërës të stokut të kapitalit rajonal është shumë i rëndësishëm. Këtij qëllimi do t’i shërbenin realizimi i projekteve të përbashkëta me qëllim të trefishtë, bujqësi-agrobiznes, infrastrukturë, turizëm. Një rol të rëndësishëm të stimulimit dhe rivlerësimit të politikave të zhvillimit industrial luan dhe zhvillimi i teknologjive të reja dhe kërkimit shkencor dhe inovacionit. Teknologjitë e reja dhe inovacioni në vetvete nuk lindin nga asgjëja. Ato janë produkte të politikave që prekin jo vetëm fushën ekonomike, por edhe atë arsimore, shkencore e kulturore të një vendi. Reforma në sistemin arsimor, si në arsimin e lartë, ku rëndësi iu dha forcimit dhe rritjes së cilësisë dhe stimulimit të inovacionit, por edhe në arsimin e mesëm, ku u vendos theksi te arsimi profesional, kishin si synim pikërisht shfrytëzimin e mundësive që të ofrojnë teknologjitë e reja për zhvillimin ekonomik. Por ne duhet të ecim më shpejt. Ne kemi nevoje për një vizion të ri në kërkimin shkencor, për një reformë tërësore, një strategji të re, një kuadër ligjor europian, një ristrukturim të institucioneve të kërkimit shkencor, që ato “të prodhojnë” produkte të nevojshme në funksion të zhvillimit të vendit. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë.
Si zbatimi i politikave për rivlerësimin e stokut të kapitalit rajonal, ashtu edhe politikat e nxitjes së inovacionit kërkojnë fonde të mëdha investimesh. Në kushtet ku deficitet buxhetore në shumë vende të botës kanë kufizuar investimet shtetërore, është bërë e nevojshme realizimi i skemave të tjera të financimit. Më e përdorshme nga këto skema është ajo e Partneritetit Publik-Privat, që e përdorur me kujdes, në shumë vende, ka sjellë shumë rezultate pozitive, sidomos në fushën e infrastrukturës, arsimit dhe inovacionit. Jo më kot edhe politikat e financimeve komunitare janë drejtuar nga këto skema. Gjatë katër viteve të qeverisjes, skemat e Partneritetit Publik-Privat, edhe pse në fillimet e veta, kanë dhënë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.
Në funksion të përmbushjes së objektivave të rritjes ekonomike, çdo qeveri duhet të adoptojë politikat e duhura në mënyrë që të lehtësojë zhvillimin e sektorit privat në një linjë me avantazhet krahasuese të vendit dhe të përfitojë nga avantazhet hyrëse në tregjet e ndryshme. Prandaj edhe në ekonominë e vendit tonë u konsiderua e domosdoshme që situata ekonomike, financiare e sociale të trajtohej jo vetëm në kushtet e krizës globale në përgjithësi dhe të eurozonës në veçanti, por edhe të perspektivës e zhvillimit të saj në këndvështrimet e reja ekonomike, duke pasur parasysh: Së pari, identifikimin e faktorëve dhe prioriteteve së rritjes ekonomike, që shoqërohet me gjenerim të punësimit dhe kushteve-kuadër të masave lehtësuese për të. Së dyti, marrjen në konsideratë të të gjithë faktorëve të mësipërm, por, në veçanti, ata që ndikojnë më shumë, të cilët janë një kompozim relativ i resurseve natyrore, punës, kapitalit human dhe kapacitetit fizik, që në faza të ndryshme të zhvillimit janë të ndryshme. Së treti, mbajtjen në qendër të vëmendjes se sistemi i nxitjes së rritjes ekonomike (rritja ekonomike moderne) është një proces i vazhdimit të novacionit teknologjik, rritjes dhe diversifikimit industrial dhe përmirësimit të tipave të ndryshëm (infrastrukturë, rregullimet institucionale, kushtet për zhvillimin e një biznesi të suksesshëm). Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe Programi Një Miliard Dollarë për investime. Dhe kjo jo si një “shpikje shqiptare”, por si një përvojë pozitive e përdorur tashmë në shumë vende të zhvilluara dhe të pazhvilluara. Kjo paketë, do të injektojë më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi, përmes angazhimit të kapitaleve private në një numër të madh projektesh investuese, duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve privatë. Natyrisht, përzgjedhja e sektorëve, efiçenca e projekteve dhe ngushtimi i hapësirës korruptive, burokratizmit dhe populizmit duhet të jenë në qendër të vëmendjes për realizimin e këtij projekti.
Njëherazi, shtimi i kujdesit ndaj këtij projekti dhe garantimi i një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe të shpejtë në vend, me më shumë punësim, krahas një manovre fiskale (reduktimi i tatimit mbi dividentin në 6%, heqja e TVSH për imputet bujqësore, ulja e tatimfitimit për prodhimin në teknologjinë e informacionit në 5%, ulja e tatimit mbi të ardhurat personale për fashën e lartë në 18%) dhe një sërë skemash të reja financimi e kreditimi për sektorë të ndryshëm ka nevojë të mbështetet me një politikë ndryshe, me reforma të thella rregullatore, veçanërisht për tërheqjen e investimeve të huaja. Këtu nuk mund të mos përmend edhe faktin që kemi 25 vite që flasim për zona të lira ekonomike dhe ende nuk kemi parë një të tillë. Përvojat e vendeve me ekonomi të përafërta me tonën ofrojnë njohuri të vlefshme për zbatimin e një politike efiçente industriale. Këto përfshijnë:
- Mundësia për të korrigjuar gabimet e deritashme.
- Parësia e një dialogu sistematik dhe të institucionalizuar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat në hartimin dhe zbatimin e politikës industriale.
*Përzgjedhja e sektorëve prioritarë. Qeveritë kanë burime të kufizuara dhe një vend ka vetëm disa sektorë në të cilët mund të jetë në çdo kohë një konkurrues global. Përparimi në këtë kontekst kërkon vëmendje të përqendruar në sektorët premtues. Kjo qasje në politikën industriale redukton rreziqet për të prioritizuar sektorët në lidhje me një politikë që kërkon të tërheqë industri të reja dhe pa traditë në vend. Kësisoj, kërkesat për cilësinë e qeverisjes në përzgjedhjen e sektorit dhe konkurrueshmërinë janë sfiduese, veçanërisht në një vend në zhvillim.
- Përzgjedhja e reformave kyçe strategjike dhe operacionalizimi i nën-objektivave. Zgjedhja e sektorëve prioritarë është e domosdoshme, por duhet të ndiqet nga funksionalizimi i një strategjie sektoriale që synon zbutjen e kufizimeve. Një komponent i rëndësishëm i këtij procesi është identifikimi i nën-objektivave të përshtatshëm dhe kryerja e diagnostikimit specifik të sektorëve bazuar në dialogun e vazhdueshëm me sektorin privat.
- Mbështetje nga nivelet më të larta të qeverisë për një periudhë afatgjatë. Përfshirja e drejtpërdrejtë e lidershipit politik ka rezultuar vitale për të siguruar që angazhimet të zbatohen plotësisht dhe për të lehtësuar zgjidhjen e konflikteve mes agjencive dhe palëve të ndryshme, veçanërisht kur kuadri institucional nuk është plotësisht i fuqishëm.
# # #
Ndërsa sektori privat duhet të udhëheqë transformimin ekonomik, qeveria është vendimtare për të siguruar që vendet që hyjnë në këtë axhendë ambicioze mund të realizojnë potencialin e tyre të plotë.
"Gazeta Shqiptare"
Add new comment