“Viktori nuk ka vdekur. Ai ka shkuar për një cigare”. Roku i Viktor Tsoit dhe fundi i Bashkimit Sovjetik

Postuar në 16 Gusht, 2017 09:25

Kur flitet për Mikhail Gorbaçovin të vjen ndërmend Perestrojka dhe Gllasnosti, fundi i Bashkimit Sovjetik dhe i Luftës së Ftohtë. Por reformat e tij patën jehonë në jetën e ish-Bashkimit Sovjetik, një vend i cili kreu eksperimentin më të madh social që njerëzimi ka njohur ndonjëherë. Jehona e ndryshimit të Perestrojkës preku edhe jetën e njerëzve, të artit ku spikat 28 vjeçari Viktor Tsoi, i panjohur thuajse fare për publikun shqiptar, që asokohe shihte vetëm drejt Perëndimit.

RBTh i kushton një shkrim këngëtarit dhe drejtuesit të grupit rock, “Kino”, i cili vdiq më 15 gusht të vitit 1990 në moshën 28 vjeçare, por që ishte tashmë kult në BS.

Kënga e tij “Ndryshime” u shkrua në vitin 1986 dhe pati sukses të madh. Ajo u konsiderua si Himni i Perestrojkës, aq sa Gorbaçov do të deklaronte se ajo përfaqësonte dëshirën e kombit për ndryshim. Kënga u kuptua si një thirrje për ndryshim politik, por anëtari i grupit, Aleksey Rybin është shprehur se Tsoi aty bënte thirrje për një ndryshim më të thellë te njerëzit. Është fakt se fama e Tsoit dhe asimilimi i kultit të tij te sovjetikët përkonte me një kohë kur kërkesa për të shembur peshën e rëndë të regjimit po bëhej urgjente dhe e paduruar.

Tsoi është ndër pionerët e rokut sovjetik, por këngët dhe performi i tij nuk mund të pëlqehen edhe aq jashtë kontekstit kur u krijuan dhe që mbajnë të lidhur kujtimet e një brezi të tërë njerëzish. Një tjetër idhull i asaj kohe, Boris Grebenshchikov e shpjegon kështu famën e Tsoit dhe grupit Kino:

Ai ishte një gjeni absolut i thjeshtësisë, qartësisë dhe sinqeritetit. Askush tjetër në Rusi nuk kompozonte si ai. Dikur kur ishte shumë i ri i thashë: “Ne(banda e Grebenshchikov, Aquarium) do të lihemi pas nga ju që do të bëheni banda kryesore në Rusi”. Ai nuk më besoi dhe qeshi. Mendonte se po bëja shaka”.

Autori Alexey Timofeychev shton se një arsye për famën e këtij artisti të epokës së fundit sovjetike që nuk e jetoi kulmin e atij ndryshimi që ishte rënia e Bashkimit Sovjetik, është edhe karriera  e tij, origjina. Ai u lind në një familje të thjeshtë, babai i tij ishte inxhinier. Në fillim të viteve ’80 ai punonte në një nga kaldajat e Leningradit që quhej Kamchatka dhe iu asociua famës së këngëtarit. Në një nga dokumentarët për të, shihet Tsoi duke hedhur qymyr në stufë dhe që thotë: “Thjesht ndihem i lirë. Ndihem absolutisht i lirë”. Puna e tij në kaldajë ishte një mënyrë që t’i shpëtonte problemeve me autoritetet që nuk e shihnin me sy të mirë muzikën e tij. Të mos punoje dënoheshe sipas kodit penal me akuzën e “parazitizmit social”. Kamchatka u transformua në muze për Tsoin.

Ai vdiq në një aksident në autostradën letoneze më 15 gusht 1990, me gjasë pasi e zuri gjumi në timon. Ky ishte një moment tragjik që e shndërroi edhe më tej atë në një kult masash, diçka shumë thelbësore në regjime të mbyllura ku sistemet e referimit që konkurojnë narrativën zyrtaare kanë prirjen të krijohen shpejt. Një mur në Moskë ka të shkruara grafite për këngëtarin në fjalë. “Viktori nuk ka vdekur. Ai ka shkuar për një cigare”, një prej tyre që është kaq afër zhanrit rok që më shumë sesa muzikë është një mënyrë për të hyrë në marrëdhnëie me botën dhe jetën.

https://www.rbth.com/arts/music/2017/08/15/5-reasons-viktor-tsois-music-...

Fundi i regjimeve të Lindjes u parapri nga kundërvënia e nënkulturave, apo në kulturë, qoftë atë kulturë të jetës së përditshme që po sfidonte prangat e një konformizmi që ishte kthyer në litani tejmbytëse. Flokët e gjata, imitimi i veshjeve, refuzimi për të punuar, konsumimi i materialeve erotike, ishin disa prej tyre. Është për t’u shënuar se në vende të vogla si Shqipëria dhe me një repression që nuk çedoi në asnjë çast, forma të tilla kundërvënieje, apo më saktë shfaqje të tilla, ishin të pamundura. Sot që flasim përmendet ndonjë artikull gazete, ndonjë takim i orkestruar nga lart, për të ardhur në ngjarjen e ambasadave që ishte forma shqiptare për të pështyrë në fytyrë një regjim që funksionon edhe sot, jo përmes mekanizmave të dhunës, por të parasë që zotërohet nga njerëz të afërt bilogjikisht dhe politikisht me të.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.