Studimi i një bakteri çon në një kuptim cilësisht të ri për shumëfishimin e qelizave tumoriale

Postuar në 26 Qershor, 2017 00:12

Një kërkim i ri nga mjekë të universitetit Rush në Çikago, mund të hapë rrugë të reja për të kuptuar biologjinë e kancerit, zhvillimin e ilaçeve të reja kundër tij, por edhe në trajtimin e asaj që quhet këmba diabetike, një formë ulçere që çon në amputim te pacientë kronikë me diabet të avancuar të tipit II.

Sipas kërkuesve zbulimi erdhi pas investigimit të një mikrobi që vret qelizat kanceroze. Pseudomonas aeruginosa, është bakteri në fjalë i cili mund të jetë vdekjeprurës për njeriun, por vetëm nëse ai është i sëmurë apo i lënduar. Bakteri sekreton disa toksina që shkaktojnë infeksion, një prej tyre është ExoT, që pengon shërimin, por edhe vret qelizat kanceroze. Duke kërkuar të kuptonin mekanizmat e kësaj toksine në asgjësimin e qelizave kanceroze, shkencëtarët zbuluan mënyrën sesi qelizat që janë programuar për të vdekur për shkak të sulmit kancerogjen, njoftojnë qelizat fqinje për nevojën e zëvendësimit dhe kompensimit të tyre në funksion të mbijetesës së organizmit. Shkencëtarët kuptuan dhe janë në gjendje të tregojnë se gjatë procesit të sinjalizimit shumëfishues qelizat që janë duke vdekur lëshojnë mikrovezikle – fragmente të plazmës së membranës qelizore – që përmbajnë proteinën Crkl, e cila udhëton drejt qelizave fqinje që provokon përmes kontaktit krijimin e qelizave të reja.

Apoptosis – procesi pra i vdekjes së programuar të qelizave në një organizëm shumëqelizor është pjesë e jetës. Sipas studimit pjesë e këtij procesi janë një milionë qeliza në sekondë, marzhi i vdekjes së programuar në trupin e njeriut. Nëse ky mekanizëm tanimë i kuptuar mirë mund të aplikohet në të kundërt, pra duke penguar përmes menaxhimit të emetimit proteinik, komunikimin ndërqelizor që provokon procesin kompensues dhe shumëfishues, atëherë mund të mbërrihet në një formë trajtimi që izolon tumoret. Kështu një qelizë tumoriale që vdes për shkak të një ilaçi, ndjek rregullin e apoptosis dhe njofton qelizën fqinje që nxiton ta zëvendësojë. Për rrjedhojë kanceri persiston. Është një shpresë reale për një mënyrë më të thellë në trajtimin e tumoreve duke neutralizuar mekanizmat qelizorë të zhvillimit të tyre që i ngjajnë një lufte të pandërprerë në organizmin e njeriut.

https://medicalxpress.com/news/2017-06-opportunistic-microbe-cancer-cell...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.