Nga vjen gjuha që flasim?*

Postuar në 07 Qershor, 2017 20:07
Cormac McCarthy - Santa Fe Institute

E quaj Problemi Kekulé(Friedrich August Kekulé – themelues i teorisë së strukturës kimike) sepse në morinë e pafundme të problemeve shkencore të zgjidhura në gjumë nga kërkuesit, ai i Kekulé është me gjasë më i njohuri. Shkencëtari po përpiqej të gjente konfigurimin e molekulës së benzenit dhe nuk po përparonte shumë kur ai ra në gjumë përpara zjarrit dhe pati atë ëndrrën e tij të famshme me gjarprin rrotulluar me bishtin në gojë – njësoj si uroboros nga mitologjia egjiptiane – dhe u zgjua duke i thënë vetes: “Është një unazë. Molekula është në formën e një unaze”.

Pra, problemi - sigurisht yni jo i Kekulé – është se përderisa e pavetëdijshmja e kupton gjuhën shumë mirë ose aq që nuk do ta kuptonte problemin fare, pse të mos i përgjigjej pyetjes së Kekulé me diçka të tipit: “Kekulé, është një unazë”. Përgjigje ndaj së cilës shkencëtari ynë mund t’I kthehej: “Dakord. E kuptova”.

Pse gjarpri? Pra pse e pandërgjegjshmja nuk ka qejf të flasë me ne? Pse imazhet, metaforat, pikturat? Pse ëndrrat?

Një mënyrë logjike për ta nisur është të përkufizosh fillimisht se çfarë është e pandërgjegjshmja/e pavetëdijshmja. Për ta bërë këtë ne duhet të heqim mënjanë zhargonin e psikologjisë moderne dhe të kthehemi pas te biologjia. E pandërgjegjshmja është një sistem biologjik përpara se të jetë çdo gjë tjetër. Që të jemi sa më shumë të kuptueshëm – dhe të saktë – e pavetëdijshmja është një makinë për të drejtuar një kafshë.

Të gjitha kafshët kanë një pavetëdije. Nëse nuk do të kishin, do të kishin qenë bimë. Ne disa herë mund t’i mveshim tonës detyra që aktualisht nuk i kryen. Sistemet në një nivel të caktuar domosdoshmërie mund të kenë nevojë për mekanizmat e vet të drejtimit. Frymëmarrja p.sh, nuk kontrollohet nga e pavetëdijshmja, por nga pjesa e pasme e trurit(pons dhe medulla oblongata – zgjatimi i kordonit kurrizor në tru). Me përjashtim sigurisht të cetacëve, që u duhet të marrin frymë kur bien në kontakt me ajrin(balenat). Një sistem autonom nuk kishte për të funksionuar në këtë rast. Delfini i parë që iu nënshtrua anestezisë në një tavolinë operacioni thjesht vdiq(Si flenë gjumë ata? Me alternimin e gjysmave të trurit). Por detyrat e të pavetëdijshmes shkojnë përtej numërimit; nga krruarja te zgjidhja e problemeve matematike.

Problemet në përgjithësi janë të parashtruara mirë në termat gjuhësorë dhe gjuha mbetet një mjet praktik për t’i shpjeguar ato. Por procesi i mendimit – në çdo disiplinë – është në pjesën më të madhe një çështje e të pavetëdijshmes. Gjuha mund të përdoret për të bërë një përmbledhje – një lloj guri miliar – në mënyrë që fitohet një pikënisje e re. Por nëse besoni se po përdorni gjuhën në zgjidhjen e problemeve do të dëshiroja të më shkruanit dhe të më tregoni sesi e bëni këtë.

U kam vënë në dukje disa miqve të mi matematikanë se e pavetëdijshmja rezulton të jetë më e mirë në matematikë sesa ata. Miku im George Zweig e quan këtë Zhvendosja e Natës. Mbani parasysh që e pavetëdijshmja nuk ka laps dhe bllok dhe sigurisht që nuk mund të fshijë gabimet. Por që zgjidh probleme në matematikë kjo është e padiskutueshme. Si ndodh kjo? Kur u kam sugjeruar miqve të mi se kjo mund të kryhet shumë mirë pa ndihmën e numrave, shumica e tyre menduan – pas një pause – se kjo ishte e mundur. Sesi ne nuk e dimë.

Sikurse ne nuk dimë sesi ja bëjmë që arrijmë të flasim. Nëse jam duke folur me ju, vështirë se mund të mendohet që unë në të njëjtën kohë të hartoj fjalitë që do të them kur të flas. Unë jam tërësisht i zënë me të folurin me ty. As është e mundur që një pjesë e mendjes sime të jetë duke bashkuar këto fjali për të m’i thënë mua, e unë pastaj t’i përsëris. Përveç faktit se jam i zënë, kjo do të thoshte që unë të evokoj një regres të pafundmë. E vërteta është ka një proces në të cilin ne nuk kemi akses. Është një mister i errët në një errësirë totale.

Ka njerëz me ndikim mes nesh(të rëndësishëm – ironike) – që kanë ardhur duke u shtuar së fundmi – që deklarojnë se besojnë që gjuha është një proces tërësisht evolucionar. Kjo është shfaqur njëfarësoj në tru në formë primitive për t’u zhvilluar në funksionalitet të  plotë. Pak a shumë si shikimi ndoshta. Por ne tani e dimë që shikimi është i gjurmueshëm ndoshta po aq sa një duzinë historish të pavarura evolucionare. Material joshës për teologët. Këto histori zënë fill me sa duket me një organ fillestar të aftë që të përthithë dritën e ku çdo ndërprerje do të sugjeronte një gjahtar. E cila nga ana e vet është skenar i shkëlqyer për përzgjedhjen darviniane. Kështu mund të ndodhë që njerëzit me ndikim që fola më sipër, të imagjinojnë gjitarët duke pritur gjuhën që të shfaqet. Nuk e di. Por të gjithë treguesit thonë se gjuha është shfaqur vetëm njëherë dhe në një specie vetëm. Në të cilën u përhap mandej me një shpejtësi të konsiderueshme.

Ka një numër shembujsh sinjalesh në botën e kafshëve që mund të merren për proto-gjuhë. Ketrat, mes specieve të tjera, kanë një sinjal alarmi për gjahtarët e ajrit dhe një për ata të tokës. Skifterët që dallohen nga dhelprat apo macet. Shumë e dobishme. Por ajo që mungon këtu është ideja qendrore e gjuhës – që një gjë të mund të jetë një tjetër gjë. Që shenja për ujin nuk ishte thjesht ajo çfarë bëtë për të marrë një gotë me ujë. Ishte gota me ujë. Ishte në fakt uji në gotë...

Shpikja e gjuhës u kuptua menjëherë të ishte në mënyrë të pabesueshme e dobishme. Sërish, duket se është përhapur në thuajse menjëherë. Problemi imediat duhet të ketë qenë se kishte më shumë gjëra që duheshin emërtuar sesa tinguj për ta kryer këtë gjë. Gjuha duket të jetë shfaqur fillimisht në Afrikën Juglindore dhe mundet edhe që shkurtesat zanore(clicks) në gjuhët Khosiane – përfshirë atë Sandawe dhe Hadza – janë një mbetje atavike e nevojës për një varietet më të madh tingujsh. Problemet vokale u menaxhuan në mënyrë evolucionare – dhe në pamje të parë në një rend kohor të shkurtër – duke përdorur në një pjesë të madhe fytin tonë për prodhimin e të folurit. Jo pa kosto siç duket. Laringu është zhvendosur poshtë në grykë në një mënyrë të tillë saqë në bën ne si specie shumë të brishtë të mbytemi me ushqim – një shkak ky jo i rrallë vdekjeje. Na ka lënë po ashtu si gjitarët e vetëm të paaftë për të gëlltitur dhe për vokalizuar në të njëjtën kohë

Lloji i izolimit që na dha gjatësinë dhe shkurtësinë, ngjyrën e lëkurës dhe variacione të tjera të species sonë nuk ofronte mbrojtje përkundrejt përparimit të gjuhës. Kapërceu male dhe oqeane sikur ato të mos ekzistonin. A përmbushi ndonjë nevojë? Jo. Pesë mijë e ca gjitarët e tjerë ja dalin shumë mirë pa gjuhën. Por e dobishme? Patjetër. Mundet që të vëmë në dukje se kur erdhi nuk kishte ku të shkonte. Truri nuk e pranonte dhe nuk kishte bërë plane për mbërritjen e saj. Thjesht invadoi ato hapësira të trurit që ishin më pak të angazhuara. Kam sugjeruar dikur në një bisedë në Institutin e Santa Fe-së, se gjuha ka vepruar si invazioni i një paraziti.

Kjo jo për të thënë se truri i njeriut nuk ishte i strukturuar në asnjë mënyrë për pranimin e gjuhës. Ku mund të shkonte tjetër? Në mos gjë tjetër, kemi evidencën e historisë. Diferenca mes historisë së një virusi dhe mes asaj të gjuhës, është se viruis ka ardhur përmes rrugës së seleksionimit darvinian, kurse gjuha jo. Virusi vjen i përpunuar mirë. Dhuroje. Ktheje pak. Shtyje. Kliko, përputhet. Por në pirgun e mbetjeve do të gjenden viruse që nuk përshtaten.

Nuk ka ndonjë selekesionim që vepron për evolucionin e gjuhës sepse gjuha nuk është një sistem biologjik dhe sepse ajo është vetëm një. Gjuha – ur me origjinë gjuhësore nga e cila kanë evoluar të gjitha gjuhët.

Personat me ndikim me siguri që tani duhet të jenë duke qeshur me vete me lamarkianizmin e qepur trashë këtu. Ne mund t’I shpëtojmë me një seri strategjish apo ripërkufizimesh por me gjasë jo me shumë sukses. Darvin sigurisht që nuk e pranonte idenë e “gjymtimeve” të trashëguara – çështja e prerjes së bishtit te qentë p.sh.. Por trashëgimia e ideve mbetet diçka ngjitëse. Është e vështirë t’i shohësh ato si diçka që mund të fitohen. Sesi funksionon e pandërgjegjshmja më shumë nuk rroket fare sesa nuk kuptohet mirë. Është një fushë në masë të madhe e injoruar nga studimet e inteligjencës artificiale që duket se i dedikohen aspektit analitik dhe çështjës nëse truri funksionon si një kompjuter. Ata kanë vendosur që jo, por kjo nuk është shumë e vërtetë.

Nga karakteristikat e njohura të të pandërgjegjshmes, këmbëngulja është më e dukshmja. Kushdo e njeh mirë dukurinë e ëndrrave që përsëriten. Këtu e pandërgjegjshmja mund të imagjinohet me më shumë se një zë: Ai nuk po e kupton, apo jo? Jo. Është i trashë. Çfarë mendon të bësh? Nuk e di. Mendoj të përdorësh mamanë e tij? Ajo ka vdekur. Çfarë ndryshimi bën kjo?

Çfarë vihet në veprim këtu? Dhe si e di e pandërgjegjshmja se ne nuk po ja dalim? Çfarë nuk di ajo? Është e vështirë t’i ikësh përfundimit se e pandërgjegjshmja punon në një shtysë morale që të na edukojë(Detyrim moral? Seriozisht e ka ky?)

Evolucioni i gjuhës do të fillonte me emërtimin e gjërave. Pas kësaj do të vinte përshkrimi i këtyre gjërave dhe i funksioneve të tyre. Rritja e gjuhëve deri në trajtën dhe formën e sotme – sintaksa dhe gramatika – ka një universitalitet të tillë saqë sugjeron një rregull të përbashkët. Rregulli është që gjuhët janë ndjekur kërkesat tyre. Rregulli është që ato janë të ngarkuara me detyrën e përshkrimit të botës. Nuk ka asgjë tjetër për të përshkruar

Gjithçka shumë shpejt. Nuk ka gjuhë forma e të cilave është në gjendje zhvillimi. Dhe format e tyre janë në themel të njëjta.

Ne nuk e dimë se çfarë është e pandërgjegjshmja, se ku ndodhet apo sesi mbërriti aty – kudo ku është. Studimet e fundit të trurit të kafshëve tregojnë se përmasat e mëdha të trurit të vogël në disa specie të zgjuara janë sugjestive. Që faktet rreth botës janë në vetvete të afta që të fomësojnë trurin, është një ide që ngadalë po pranohet. Ai merr e pandërgjegjshmja këto fakte prej nesh, apo ka të njëjtin akses që kemi edhe ne në aparatin sensorial?  Ju mund të bëni çfarë të doni me Neve dhe Tonën dhe Ne. në një pikë të caktuar mendja duhet të gramatizojë faktet dhe t’i konvertojë ato në narrativë. Faktet e botës nuk vijnë në pjesën më të madhe në formë narrative. Jemi ne që duhet ta bëjmë këtë.

Pra për çfarë po flasim këtu? Atë që një mendimtar i panjohur u ul një natë në shpellën e tij dhe tha: Një gjë mund të jetë një tjetër. Po. Sigurisht që këtë pot hemi. Përveç faktit se ai nuk e tha sepse nuk kishte një gjuhë për ta thënë. Në kohën e vet ai duhet ta bënte këtë vetëm duke menduar. Kur ndodhi kjo? Njerëzit me ndikim që përmendëm më sipër shpallin se nuk ja kanë idenë. Sigurisht, ata nuk mendojnë se kjo ndodhi me të vërtetë. Por përtej kësaj. 100 mijë vjet më parë? 500 mijë vjet? Më para? 100 mijë është një hamendësim i mirë. Përkon me grafitet e para të gjetura në shpellën Blombos në Afrikën e Jugut. Këto gërvishtje lidhen në çdo gjë me kapon tonë që zgjohet në shpellë. Sepse është thuajse e sigurtë që arti e ka paraprirë gjuhën, por jo për shumë kohë. Disa persona të rëndësishëm kanë shpallur madje se gjuha mund të jetë deri në 1 milionë vjet e vjetër. Ata nuk kanë shpjeguar se çfarë po bënim me të gjithë atë kohë? Çfarë dimë – thuajse pa asnjë diskutim – është se me të mësuar gjuhën, çdo gjë tjetër ecën shumë shpejt. Kuptimi I thjeshtë se një gjë mund të jetë një gjë tjetër qëndron në rrënjë të çdo gjëje të aktivitetit tonë.  Nga përdorimi i guralecëve me ngjyra për tregëtinë e dhive, tek arti dhe gjuha dhe kështu deri në përdorimin e shenjave simbolike për të përfaqësuar copëza të botës që janë shumë të vogla për t’u parë.

100 mijë vjet janë një shkelje syri. Por 2 milionë vjet nuk janë të tilla. Kjo është në vija të përgjithshme, koha në të cilën e pandërgjegjshmja jonë ka organizuar dhe drejtuar jetët tona. Dhe pa gjuhë do ta kishit vënë re…

Si na thotë ku dhe kur të gërvishim? Nuk e dimë. Ne thjesht e dimë që e bën mirë këtë gjë. Por fakti që e pandërgjegjshmja(pavetëdijshmja) preferon të shmangë praktikisht të gjitha instruksionet verbale – edhe kur do të ishin shumë të dobishme – na sugjeron se ajo nuk e pëlqen shumë gjuhën(të shprehurin verbal) dhe madje nuk i beson asaj. Pse ndodh kështu? Si ju duket sikur të pranojmë arsyen e logjikshme dhe të mjaftueshme që ja ka dalë fare mirë pa të për gati 2 milion vjet?

Përveç antikitetit të vet të madh moda e rrëfimit –pikturë në prezantim që favorizohet nga e pandërgjegjshmja i përgjigjet mirë përdorimit të saj të thjeshtë. Një pikturë mund të kujtohet në tërësinë e vet, kurse një ese jo. Vetëm nëse dikush vuan nga sindroma Asperger, në të cilën kujtimet e ngjarjeve, ndonëse korrekte, vuajnë nga literalizmi i vet. Regjistri i njohurive apo informacionit që përmban truri i një qytetari mesatar është i jashtëzakonshëm. Por forma në të cilën ai strehohet aty është gjerësisht e panjohur. Ti mund të kesh lexuar 1000 libra dhe të jesh i aftë të diskutosh për secilin prej tyre, pa kujtuar asnjë fjalë nga teksti.

Kur ndalon për të reflektuar dhe thua: “Pa dale. Si ta shpjegoj këtë”, synimi juaj është të ringjallni një ide nga kjo pishinë e ne – di –nuk – çfarë dhe t’i japësh asaj një formë gjuhësore në mënyrë që të shprehet. Është “Kjo-ja” ajo të cilën dikush do ta vendosë që përfaqëson këtë pishinë dijeje amorfe. Nëse ja shpjegon këtë dikujt dhe ai të thotë se nuk e kupto, mundet të mbështetesh në mjekër dhe të mendosh pak më shumë për të dalë me një tjetër mënyrë për ta “sqaruar”. Ose mund të mos ja dalësh dot. Kur fizikanit Dirac i ankoheshin studentët se ata nuk e kuptonin çfarë kishte thënë, ai thjesht e përsëriste atë që kishte thënë verbatim.

Historia e pikturës shërben si parabolë. Përrallës kuptimi I së cilës jep një pauzë. E pandërgjegjshmja ka të bëjë me rregulla por këto rregulla do të kërkojnë bashkëpunimin tuaj. E pandërgjegjshmja do që të drejtojë jetën tuaj në përgjithësi, por nuk do të dijë se çfarë pastë dhëmbësh përdorni. Dhe ndërkohë që shtegu që sugjeron mund të jetë i gjerë, kjo nuk do të thotë që të mos ndalosh. Ne mund ta shohim këtë në ëndrra, prej të cilave ato që na nxjerrin gjumin janë pastërtisht grafike. Askush nuk flet. Këto janë ëndra shumë të vjetra dhe shpesh shqetësuese. Ndonjëherë ndonjë mik mund të gjejë kuptimin e tyre aty ku ne nuk mundemi. E pandërgjegjshmja synon që ato të shpleksen me vështirësi sepse dëshiron që ne të mendojmë për to. T’i kujtojmë ato.  Nuk do të thotë që ju nuk mund të kërkoni ndihmë. Parabolat sigurisht që shpesh e zgjidhin kuptimin e vet në mënyrë piktorale. Kur dëgjoni për herë të parë për shpellën e Platonit ju nisni që ta rindërtoni atë si mund të ketë qenë.

Të përsërisësh. E pandërgjegjshmja është një operativ biologjik, kurse gjuha jo. Ose nuk është akoma. Duhet të jeni i kujdesshëm nëse dëshironi të ftoni Dekartin në tavolinë. Përtej trashëgueshmërisë,  rruga ndoshta më e mirë për të kuptuar nëse një kategori është krijim i yni është të nisim të pyesim nëse e shohim këtë në krijesa të tjera. Rasti i gjuhës është fare i qartë. Tek lehtësia me të cilën fëmijët e vegjël mësojnë rregullat e saj komplekse dhe të vështira ne shohim trupëzimin e ngadalshëm të asaj që kemi fituar.

Kam menduar për problemin Kekulé për dy vjet pa ecur shumë. Kur një mëngjes pasi  unë dhe George Zweig kishim ngrënë një nga ato drekat 10 orëshe po zbrisja me koshin e mbeturinave dhe po e zbrazja në kuzhinë, papritur e dija përgjigjen. Ose e dija që e dija përgjigjen. Më mori vetëm një minutë apo diçka e tillë për ta kuptuar mirë. Po mendoja që ndërkohë që unë dhe George harxuam orët e para duke folur për aftësitë conjitive dhe neuroshkencën ne nuk kishim folur për Kekulé dhe problemin e tij. Por diçka në bisedën tonë mundet fare mirë të ketë provokuar reflektimet tona - të miat dhe ato të Zhvendosjes së Natës – mbi këtë çështje.  Përgjigja sigurisht që është e thjeshtë kur ju e dini atë. E pandërgjegjshmja nuk është mësuar me instruksionet verbale dhe nuk ndihet mirë me to.  Zakonet e 2 milionë vjetëve nuk është aq e thjeshtë të thyhen. Kur më vonë i thashë George se çfarë kisha gjetur, ai mendoi për një minutë e pak dhe pastaj tundi kokën dhe tha: Duket e saktë.

E pandërgjegjshmja duket se di shumë. Çfarë di ajo për veten? A e di se do të vdesë? Çfarë mendimi ka për këtë? Duket e përfaqëson një përmbledhje talentesh, jo vetëm një. Ngjan e pamundur që departamenti i krruajtjes të jetë përgjegjës edhe për matematikën. A mund të funksionojë ajo mbi një numër problemesh njëkohësisht?  A di ajo vetëm aq sa i themi ne? Apo – me më shumë gjasë – ka akses të drejtpërdrejtë në botën e jashtme? Disa ëndrra që janë shumë të vështira për t’u dhënë kuptim nga ne, janë pa dyshim thellësisht reflektive dhe disa të tjera janë pa vlerë. Dhe fakti që nuk shfaqet me këmbëngulje në kujtimin tonë të çdo ëndrre, sugjeron se ajo mund të funksionojë në vetvete. Dhe është vërtet kaq e mirë në zgjidhjen e problemeve apo mban të fshehta dështimet e veta? Si ka mundësi që ka këtë nivel të kuptuari që mund t’ja kemi fare mirë zili? Si mund të kërkojmë për të, të bëjmë pyetje? A jeni të sigurtë?

*Titulli i ResPublica

Përshtati me shkurtime në shqip: ResPublica 

http://nautil.us/issue/47/consciousness/the-kekul-problem

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Profesor, edhe gjuha eshte veprim i pavetedijshem, ne kuptimin evolutiv qe ka pesuar, sepse ajo vjen nga instikti per tu ruajtur, per te ngrene, per te pire, per te treguar dicka, e me pas (tek njeriu p.sh) per te shpjeguar dicka. Keshtu ajo ka nisur me thirrma, pasthirrma, cirrje, tone zanore, e me radhe duke persosur morfologjine e organeve te zerit, krahas kesaj vetvetiu edhe formimin ne tru te koncepteve. Kjo gjuhe nuk nis me njeriun, por nis me gjallesat, (biles edhe pemet dhe bimet kane gjuhen e tyre, mes tyre ato merren vesh per bukuri), keshtu te gjitha kafshet (shumica te pakten) kane nje gjuhe mjaft te evoluar, shume tinguj te te cilve ne njerezit i kemi deshifruar sot. Pra, gjuha e njeriut eshte vazhdim i asaj te kafsheve dhe jo krijim i njeriut.
Profesor keni sofistikuar gjate ne artikullin carcaf, thjesht keni treguar dijet anglo-saksone, metafizike keto!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.