Jashtë loje!

Postuar në 08 Qershor, 2017 23:46

Ilir Meta përsërit shpesh se partia që i ka lënë në administrim Petrit Vasilit do të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 25 Qershorit. E përsëriti jo pa qëllim edhe në intervistën që dha në “Opinion” mbrëmjen e së enjtes, këtë radhë jo me qetësinë dhe dashurinë që ka promovuar si kryetar i LSI-së, por me tone kërcënuese dhe diskret deri në detaje për raportet që ka patur me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.

Dukshëm i shqetësuar për marrëveshjen mes kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, të cilën madje e quajti të errët, Ilir Meta përdori gjuhën e të fortit me garancitë që sipas tij i jep rritja që ka partia e tij ne elektorat.

Ai foli për LSI-në forcë e parë kur gjasat janë që për herë të parë pas 8 vitesh në pushtet partia e tij të dalë në opozitë dhe nuk të mos ketë mundësinë të jetë pjese e tenderave të qeverisë.

Mesa duket Petrit Vasili nuk po tregon se mund të mbajë të lidhur pas LSI-së një elektorat që është mësuar me benifitet e pushtetit dhe optimizmi i Metës i shoqëruar me tonet e larta mund të jenë një motiv për të frenuar një rrjedhje të elektoratit të tij drejt PS-së apo PD-së, pra drejt forcave që do të ndajnë paratë dhe vendet e punës nesër. Ashtu si dy partitë e mëdha, LSI eshte nje ndermarrje punësimi dhe përfitimi per ata që militojnë.

Nga studioja e "Opinion" Ilir Meta sulmoi edhe sondazhet që e nxjerrin forcë të tretë duke thënë se ato janë të sajuara nga dy kundërshtarët e tij. Gracka e Presidencës ku Meta thotë se u detyrua ta pranonte për hir të stabilitetit e ekspozon edhe më shumë paqartësinë e ish-kryetarit të LSI-së në raport me zhvillimet që ndodhën pa firmën e LSI-së.

Një herë thotë se u detyrua të pranonte presidencën për të shmangur një skenar krize të ngjashëm mevvitin '97 dhe nga ana tjetër deklaron se kriza e nxitur nga Partia Demokratike ishte artificiale.

Paqartësia vjen nga fakti se LSI dhe Ilir Meta humbi në lojën politike dhe në këtë kontekst marrin kuptim edhe akuzat që ai ka ngritur për rrezikimin e demokracisë dhe zgjedhjeve, por edhe për mosfunksionimin e koalicionit me Partinë Socialiste dy vitet e fundit.

Do ishte naive të besohej se Ilir Meta është i shqetësuar për demokracinë kur ai ishte gati të futej në zgjedhje pa opozitën. Që LSI dhe ai vetë ishin në një lojë të dyfishtë shantazhi dhe dirigjimi me të dyja palët e zbuloi vetë kur tha se ishte takuar me Lulzim Bashën gjatë qëndrimit të opozitës në çadër.

“Unë jam takuar me zotin Basha gjatë kohës së çadrës dhe i kam thënë Bashës këto gjëra. Për çështjen e drogës dhe dekriminalizimit ke të drejtë dhe ne ju mbështesim se janë një problem i madh për vendin. Për punën e zotit Rama mos prit të dali LSI-ja në çadër sepse kjo nuk zgjidh gjë dhe po doli LSI në çadër nuk ka më vend për ty. Mos prit nga unë të vete në parlament të votoj kundër Ramës sepse kam një marrëveshje, por t’i ke të drejtë të kërkosh garanci dhe jo ta teprosh”.

Po ashtu Meta zbuloi se ka negociuar me Lulzim Bashën për të rrëzuar Edi Ramën përmes një formule zgjedhore që do t’i lejonte LSI-së një koalicion me PDIU-në për të kushtëzuar më pas qeverinë pas zgjedhjeve,

“I kam thënë edhe një gjë tjetër që ndikoi dhe në marrëveshjen e asaj nate për të evituar koalicionet. Unë e kuptoj që ti je i shqetësuar për humbjen nga një koalicion i madh. I kam thënë hajde të bëjmë një ndryshim në kod që LSI të dalë me PDIU-në në koalicion dhe PS me parti të tjera në që të jetë një garë më demokratike”.

Bilanci i zhvillimeve politike të muajve të fundit e lë LSI-në me pasiguri të mëdha për të ardhmen dhe kësisoj edhe ish-liderin e saj me fytyrën e një humbësi që do të ngushëllohet vetëm me zyrën e Presidentit të Republikës, shumë pak për kërkesat e LSI. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.