Kamzhik i ri për krimin elektoral
Marrëveshja Rama-Basha prodhoi edhe një Kod të Ri Penal për zgjedhjet, ku krimi elektoral dënohet me burg. Ndryshimet miratuan me konsensus dhe brenda 1 ore
Shkelja e fshehtësisë së votimit
Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e zgjedhësit, nëpërmjet fotografimit të fletës së votimit, ose filmimit të saj, shfaqjes tek persona të tjerë ose dokumentimit me çdo mjet dhe formë të mënyrës sesi ka votuar, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet burgim.
Nxitja me ose pa shpërblim, ose detyrimi i zgjedhësit për të shkelur rregullat që garantojnë fshehtësinë e votimit sipas paragrafit të parë të këtij neni përbën vepër penale dhe dënohet nga një vit deri në katër vjet.
Korrupsioni aktiv në zgjedhje
Ofrimi ose dhënia e të hollave, të mirave materiale, premtimi për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.
Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore
Pjesëmarrja e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore në shërbimin civil ose në një funksion jopolitik në administratën shtetërore, në kundërshtim me ligjin, në aktivitetet ose fushatën zgjedhore, të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Detyrimi ose organizimi për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Detyrimi ose kërkesa drejtuar shtetasve, nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, që kundër vullnetit të tyre ose nën kërcënimin e përdorimit të masave administrative ose disiplinore, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor, për të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, për të mbështetur ose jo një parti politike ose një kandidat në zgjedhje, ose për të votuar në një mënyrë caktuar, pëbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.
Përdorimi nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, i të mirave publike, funksionit ose veprimtarisë shtetërore, ose i burimeve financiare ose njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, në kundërshtim me ligjin dhe qëllimin e detyrës, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.”
Korrupsioni pasiv në zgjedhje
Kërkimi ose pranimi nga zgjedhësi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve për vende pune ose favorizimeve të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për vete ose të tjerët, me qëllim për të dhënë firmën për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme në mbështetjen e një kandidati ose partie politike, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë.
Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit
Dhënia e dokumentit të identifikimit me qëllimm përdorimin e tij në mënyrë të paligjshme për zgjedhje, garantimin e mospjesëmarrjes në votime, për të ndikuar në mënyrën e votimit, ose për çdo qëllim tjetër të paligjshëm që lidhet me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.
Marrja e dokumentit të identifikimit të shtetasve të tjerë, me qëllim përdorimin e tij në mënyrë të paligjshme për zgjedhje, moslejimin për të votuar, për të ndikuar në mënyrën e votimit, ose për çdo qëllim tjetër të paligjshëm që lidhet me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”.
Shpërdorimi i autoritetit policor
Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.”
Add new comment