Nuk punon (televizisht) vetëm Erion Veliaj
Që Erion Veliaj e gdhin dhe e ngrys në punë, siç thotë ai vetë në televizor kjo nuk është më ndonjë risi. Përmes spotlajmeve të montuara në zyrat e Bashkisë ka filluar të japë edhe porosi të tipit, merrni bukën me vete, mbështilleni me gazetë ose hidhni mbeturinat në kosha.
Për hir të ndonjë pune që mund të kryhet vërtet siç është bërë edhe në të shkuarën, diku më pak apo diku më shumë, firot propagandistike është mirë të mos mern seriozisht deri në pikën kur vetë kryetari i bashkisë të bëhet për të mos u marrë seriozisht.
Veliaj i ka dhënë vetes tiparet e një personazhi pozitiv të realizmit socialist, sepse mishëron të mirën kolektive, shembullin e përkushtimit, humanizmit, altruizmit, thjeshtësisë dhe modestise së njeriut që siç thoshte partia është i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime.
Kjo e fundit meriton të vihet në peshore, sa lidhet me punën e bashkisë dhe sa me përfitimet dhe interesat jashtë saj. Ka shumë gjasë që ky lloj mediatizimi i punës së përditshme që ka një kryebashkiak, unik në llojin e vet për meritat që kërkon të marrë se hap një kanal apo pastron një pusetë të ketë shtrirë efektin e vet në audiencën televizive.
Këtu duhet thënë se nuk është vetëm faji i supës që serviret, por edhe i atyre që e hanë. Por Erion Veliaj nuk është i vetmi personazh që tërheq vëmendjen. Ky më shumë për shkak të aksesit që ka siguruar në media për të reklamar veten.
Në terren është edhe Xhelal Mziu që ndoshta po të kishte një prerje më brenda vijës së verdhë dhe një karakter më fallco do rivalizonte në protagonizëm Erion Veliajn. Sepse nga sa njofton bashkia e Kamzës edhe ai është në një kurs intensiv punësh dhe investimesh që nuk ndryshojnë nga ato të kryebashkiakut të Tiranës, rrugë, ndriçim, sistem, asfaltim, rehabilitim.
Ngrihet pyetja pse nuk ka tërhequr vëmendjen transformimi i Kamzës? Dpferenca është se punëve të njoftuara të Xhelal Mziut u mungon morali shoqëror që shoqëron fillimin, inspektimin dhe inagurimin e tyre. Për të mos injoruar edhe mbështetjen që qeveria ka dhënë për "pionierin" e saj të nderit dhe diskriminimin ndaj Kamzës, nëse është kështu siç pretendon Xhelal Mziu në këtë fjalim para banorëve të Babrrusë.
“Siç e shihni, jemi në inaugurimin e rivitalizimit të qendrës së Babrroit. Mbaj mend si dy vite më parë, në komunikimin që kam pasur me banorët e këtyre pallateve, ishin mosbesues për rivitalizimin si dhe për ujin, rrugën, për ndriçimin, gjelbërimin, por në këto dy vite Bashkia e Kamzës nuk ka qenë në kushte komode si të gjitha bashkitë e tjera, sepse mbështetja e qeverisë ka munguar. Plot 135 projekte kemi paraqitur për t’u financuar nga qeveria qendrore dhe, në fakt, asnjë projekt nuk është financuar. Kemi dërguar edhe këtë investim që po bëhet, kemi dërguar edhe rrugën kryesore. Të mos harrojmë që ky investim që po inaugurojmë kushton jo pak, por 1 miliardë e 400 milionë ose më tepër sesa 1 milion euro, që do të bëhet me taksat që paguajnë familjarët dhe me taksat që paguajnë bizneset. Është edhe rruga kryesore “Demokracia” që ka një gjatësi prej 7 km dhe që i kushton jo pak bashkise, por 2 miliardë e 600 milionë lekë ose e thënë ndryshe 2 milionë euro.
Janë edhe 20 e sa projekte të tjera rrugësh dhe më shumë sesa 20 projekte të tjera kanalizimesh, të cilat kanë filluar që para 6 muajsh dhe janë në investim e sipër dhe në prokurim e sipër dhe që të gjitha këto kushtojnë jo pak, por kushtojnë më shumë sesa 7 miliardë lekë, të cilat kanë ardhur pjesërisht nga taksat e familjarëve dhe të bizneseve në zonën e Paskuqanit, por kryesisht nga ato të Kamzës"-tha ndër të tjera në fjalën e tij kryebashkiaku Mziu.
Çfarë ndoshta e bën më të pavlerësuar nga Veliaj është marketingu, për të tjerat duhet edhe një audit transparence që ndoshta të dilet në një vlerësim përfundimtar.
Add new comment