Çfarë po negocion Basha me ambasadorët?
Këtë të enjte kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua për herë të tretë me disa nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, ku ra në sy mungesa e ambasadores Vllahutin. Pas takimit ai tha se informoi ambasadorët në mënyrë të drejtëpërdrejtë “për gjëndjen aktuale të vendit, rrugët e zgjidhjes që opozita ka propozuar dhe domosdoshmërinë e zgjidhjeve të shtruara nga qytetarët shqiptarë dhe optimizmin tonë total se kauza e zgjedhjeve të lira është shumë pranë fitores”.
Ky sqarim i kreut të opozitës nuk qartëson asgjë lidhur me atë çfarë po i kërkohet nga ambasadorët qoftë edhe në nivel informimi dhe çfarë qëndrimesh po mban Basha ndaj propozimeve që mund të ketë patur nga diplomatët europianë.
Nëse ambasadorët do ta ishin në pozitat e disa kureshtarëve që ashtu si publiku në masë shikon përmes televizorit atë që ndodh në çadër, atëherë një takim do t’u kishte mjaftuar për t’u njohur më konkretisht me situatën. Por takimi për herë të tretë brenda pak ditësh lë të kuptohet se kryetari i Partisë Demokratike është në një proces negociimi me ambasadorët për gjetjen e një zgjidhjeje.
Këtë e përforcon edhe më shumë fakti se në takimet e Bashës me ambasadorët janë të pranishëm edhe krerët e partive aleate. Pra negociatat po bëhen në bllok nga opozita, krerët e së cilën nuk japin detaje, por gjithsesi mesazhet në distancë për kryeministrin Rama, Basha ua jep jo vetëm ambasadorëve por duket se i artikulon edhe nga çadra e protestës.
Në takimin që pati pasdite nga çadra ai la të kuptohet se mazhoranca po përgatit ndryshime në qeveri që ndoshta prekin edhe kryeministrin, për të përafruar një kabinet teknik, çka do të ishte afër kërkesës së opozitës. “Sot jemi ktu sepse Rama ka vendosur te kapë zgjedhjet e ardhshme por dhe ne kemi vendosur të qëndrojmë deri në vendosjen e një kabineti teknik me mbështetje të gjerë politike. Jo me një kryeministër teknik që cakton ai, se ka filluar të thërrasë njerëz e të emërojë qeveri kukull. Harroje se do pranojmë. Qeveria teknike do të funksionojë vetëm kur të ketë vulën e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të kësaj lëvizje popullore.” -deklaroi Basha. Ndoshta kjo është një përgjigje për propozimet që Bashës mund t’i jenë bërë në drekat me ambasadorët, të cilat kanë qenë pa praninë e ambasadorëve Lu e Vllahutin të kontestuar nga opozita si të njëanshëm.
Add new comment