Dështon sërish tenderi për zonën e lirë ekonomike të Spitallës
Tenderi ndërkombëtar për të dhënë me koncesion për 99 vite zonën e lirë tekonologjike të Spitallës ka dështuar për herë të dytë, por kësaj here pa shumë bujë. Në bazë të dokumentacionit, ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, ka hapur ofertat në datën 23 dhjetor të vitit që shkoi, por asnjë kompani nuk ka paraqitur interes. Burimet pranë kësaj ministrie thonë se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave është mbledhur në ambientet e ministrisë në orën 10.00 të kësaj date, dhe pasi ka pritur disa orë, është shpërndarë. Drejtues të ministrisë e pranojnë mungesën e interesimit nga ana e firmave private për zonën e lirë ekonomike prej 101 hektarësh në Durrës, ndërsa thonë se ende nuk është marrë vendim a do të shpallet sërish një tender ndërkombëtar, raporton Tv Klan.
Në bazë të një pakete ligjore të hartuar nga kjo ministri, synimi ishte që në Shqipëri të funskiononin 3 zona të lira ekonomike: në Durrës, Koplik dhe Vlorë të cilat do të zhvillonin industri të lehtë të fokusuar në mjetet tekonologjike, duke përfituar përgjysmim të tatim-fitmit, lehtësi në kontributet shoqërore të punonjësve dhe procedura të thjeshtuara për zhvillimin e saj. Qeveria priste që ekonomia të përfitonte afro 1 miliard dollarë investime nga kjo zonë.
Një vit më parë një kompani kineze dhe një italiane u s’kualifikuan, pasi kishin mangësi në dokumentacionin e dorëzuar. Kinezët ofruan një investim prej 1.5 miliardë dollarësh për 9 vite dhe synonin të hapnin 90 mijë vende të reja pune.
Add new comment