Shqipëria në kazanin e mediave të huaja

Postuar në 16 Janar, 2017 12:18

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, i ka kërkuar gazetës italiane “La Repubblica” që të përgënjeshtrojë lajmin e saj për praninë e ISIS në vendin tonë. 

"Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që ndodh, duke cënuar imazhin e Shqipërisë në sytë e lexuesit tuaj, por shpresoj shumë të jetë e fundit…Nga Republika e Shqipërisë, gjatë dy viteve 2015 dhe 2016 nuk ka pasur asnjë shtetas shqiptar që të jetë larguar për në vendet e konflikteve fetare në Siri apo gjetkë, në cilësinë e “foreign fighter”.

"Pra Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që ka arritur të çojë në zero numrin e shtetasve që largohen si “luftëtarë të huaj”, saktëson ministri, teksa nënvizon se do kishte qenë profesionale dhe raportim i të vërtetës nëse përpara publikimit gazetarët të kontaktonin autoritetet zyrtare shtetërore të Shqipërisë. 

Ministri ndodhet para një situate paradoksale: dy vitet e fundit mediat e njohura ndërkombëtare kanë mbushur faqet e tyre me shkrime negative për Shqipërinë, ku përherë rreziku i terrorizmit ka qenë temë e preferuar dhe asnjëherë e dokumentuar(http://www.respublica.al/2016/01/17/negativi-i-shqip%C3%ABris%C3%AB-n%C3...). Nga ana tjetër qeveria shqiptare që ndodhet nën këtë sulm vërtet të pamerituar shpenzon para që të rregullojë imazhin po në këto media. Të kujtojmë këtu atë 300 mijë dollarëshin për revistën “The Economist” që shkoi për përmirësim imazhi i cili imazh nuk shërbeu për asgjë pasi Shqipëria është aty ku ishte. 

Ky rast shërben për të zbuluar edhe kompleksin e inferioritetit që tradhëtohet lehtësisht, por edhe nevojën e qeveritarëve për të mbrojtur politika të caktuara pas shkrimeve që shfaqen në media të huaja. P.sh për planin e ri urbanisitik të Tiranës ka shumë debate së fundmi dhe kjo mund të kuptohet kur aty ka dorë edhe një njeri si Erjon Veliaj. Por kryeministri shqiptar nuk mungon që të “argumentojë” vlerën e planit përmes faksimileve të shkrimeve të gazetës “Corriere della Sera” dhe t’i varë ato si puna e rrobave të lagura në murin e Facebook-ut. 

Ishte kjo gazetë që para disa kohësh u “padit” nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli për mashtrim. Kodheli kërkoi përgënjeshtrim, por ai nuk erdhi. U publikua vetëm kërkesa e Kodhelit për të përgënjeshtruar. Për më tepër që në rastin e planit të Tiranës ka një hollësi: ai ka për autor Stefano Boerin që shfaqet jo rrallë me shkrime në gazetën në fjalë. 

E ndërkohë që qeveritarët e shohin me përçmim median shqip dhe kanë bërë të vetën epitetin “media kazani” duket se ndihen rehat kur media e huaj i hedh ata në kazan bashkë me Shqipërinë që duket se e përçmojnë jo pak përderisa e shohin ngahera si vend për të cilin mund të shkruash çdo gjë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.