Kush përgjigjet për vrasjet e shtetit? (Video)

Postuar në 18 Dhjetor, 2016 17:09

18 vjeçari, Kristi Panajoti ishte viktima e fundit e një aksidenti që ndodhi në rrugët pa sinjalistikë të Shqipërisë, e aq më tepët në një segment në ndërtim e sipër siç është aksi i Lungomares në Vlorë. Babai i tij e ka quajtur vrasje shtetërore dhe ka kërkuar drejtësi.

Por kur bëhet fjalë për të nxjerrë përgjegjësitë e strukturave shtetërore kjo e fundit bën një sy qorr dhe një vesh shurdh. Shefi i hetimeve në Policinë e Qarkullimit në Vlorë, Myslym Ismailaj, u la i lirë ndonëse prokuroria kishte kërkuar arrest me burg. Gjykata e Vlorës e ndryshoi masën e sigurisë për shefin që  kishte kërcënuar shokun e viktimës, Petraq Bejajn të ndryshonte dëshminë për aksidentin tragjik në zonën e Ujit të Ftohtë për të favorizuar sipas Prokurorisë firmën e ndërtimit.

Protestës në Vlorë iu bashkua edhe një i ri nga kryeqyteti që është aksidentuar pak kohë më parë në autostradën Tiranë-Durrës dhe që sot nuk mund të ecë. Edhe në rastin e tij drejtësia shmangu nga përgjegjësia entet shtetërore dhe format e kontraktuara prej tyre për ndërtimin e rrugëve dhe vendosjen  e sinjalistikës.

Të njëjtin epilog pati edhe aksidenti tragjik në maj të këtij viti në Gosë të Kavajës, ku nga ndërperja e barrierës anësore të autostradës gjetën vdekjen 2 fëmijë të mitur. Autoriteti Rrugor Shqiptar ishte urdhëruar nga Gjykata të mbyllte vendkalimin, por ky vendim i Gjykatës nuk ishte zbatuar duke sjellë për pasojë edhe vdekjen tragjike të dy fëmijëve, të cilët udhëtonin me nënën e tyre për të takuar babain në burgun e Rrogozhinës. Ky i fundit i burgosur për mospagesën në kohë të energjisë elektrike

Shteti ka dalë i larë thuajse në të gjitha aksidentet, duke shfrytëzuar në ndonjë rast varfërinë e njërëzve apo pafuqinë e tyre për t’u përballur me klientelizmin e strukturave shtetërore dhe favorizimin që i bëjnë gjykatat. Ky problem bëhet edhe më serioz kur gjobat ndaj përdoruesve të makinave janë shtuar dhe kur qeveria thotë se do të shtrëngojë legjislacionin penal për aksidentet, të cilat do t’i kalsifikojë si vrasje rrugore.

Por shteti çfarë përgjegjësie mban për vrasjet që kryen vetë, siç janë rasti i Vlorës dhe i Kavajës?

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.