Deputeti socialist kërkon dorëheqjen e Ilir Beqajt
Në Shqipëri çudia më e madhe tre ditë zgjat dhe kjo më së shumti ka gjetur vend edhe në politikë. Samiti i diasporës dhe shpërthimet nacionaliste të kryeministrit, shoqëruar me salcën ndaj ministres së arsimit, Lindita Nikolla bënë që të harrohej shpejt skandali me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili doli në një regjistrim telefonik duke shkarkuar një drejtor të Kujdesit Shëndetësor vetëm e vetëm se nuk kishte marrë pjesë në një mbledhje të Partisë Socialiste në Tropojë. Edhe pse ministri u mundua të shpjegojë se shkarkimi ka qenë për arsye jopolitike duke dhënë një tjetër version për ngjarjen, pjesa tjetër e regjistrimit vërtetoi pretendimin e drejtorit të shkarkuar. Megjithatë Beqajt nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, pavarësisht se u kap në flagrancë duke e trajtuar ministrinë si pronë të partisë. I vetmi deputet i së majtës që ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë është deputeti i Kavajës, Pandeli Cara i cili shkruan se një politikan i përgjegjshëm, pas asaj telefonate të transmetuar në emisionin “Stop” duhet të jepte dorëheqjen menjëherë.
Postimi i Parid Carës:
"Një video e transmetuar pak ditë më parë ku ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është përgjuar teksa shkarkon me telefon një drejtor, ka ngjallur me shumë të drejtë reagim negativ në opinionin publik.
Ministri, në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, e konsideron pozicionin që i ka besuar kryeministri, si pronë të cilën mund ta përdorë si të dojë dhe jo si një post që mund të drejtohet vetëm brenda kornizës së parashikuar nga ligji.
Një politikan i përgjegjshëm, pas asaj telefonate të transmetuar në emisionin “Stop” duhet të jepte dorëheqjen menjëherë. Kjo qeveri dhe kjo maxhorancë nuk mund të mbajnë kosto që nuk lidhen drejtpërdrejtë me punën e saj, por me tekat dhe arrogancën e një ministri.
Ilir Beqja duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet, pasi çdo ditë më shumë ai në pozicionin e ministrit është kosto e panevojshme për Qeverinë në sytë e opinionit publik".
Add new comment