Solidarët e partisë dhe lufta ndaj thelbit të Protestës
Akti i djeshëm i një studenteje që hodhi bojë mbi ministren Lindita Nikolla është komentuar gjerësisht. Disa media i morën krahun ministres, e duke parë se askush përveç Berishës nuk e mbrojti studenten, nisën të dalin nga ferra e heshtjes edhe solidratë e zakonshëm. Ministra që flasin për dhunën, e cila konsiston në lagie në publik, ndonjë kryetar komisioni parlamentar që plotëson korin me oktava të larta, statuse e të tjera si këto në mbrojtje të Linditës. Mirëpo mund të pyesim: Mbrojtje nga çfarë? Nga cila dhunë?
Edhe akti i studentes ka moralin e vet, në mos nuk ka etikë. Sepse po reagohet ndaj një ministreje që krijoi problem me maturantët dhe diti të mbrohej vetëm me një mënyrë: Duke përsëritur "sistemi po funksionon"!.
Le të vëmë në balancë dy aktet: një vendim që synon të rregullojë një sistem dhe krijon dyshime të mëdha për favorizime dhe nga ana tjetër një pjesë e të rinjve që janë të paqartë dhe u cenohet e ardhmja. Ku qëndron radikalizmi këtu? Në cilin krah? Pasi vetë kryeministri ka folur për Reforma Radikale.
Një protestë si kjo është minimale dhe fakti që sot po reagohet na provon se klasa politike ndjen pakënaqësinë. Ndjen se diçka po vlon mes pretendimit të saj për legjitimitet dhe asaj që rrëshqet poshtë. Ky nuk është faji i njerëzve, por i atyre që marrin vendime. Është për të ardhur keq që asnjë prej pushteturëve nuk diti të ftojë studentët për të folur, nuk kërkoi të hapej debat, por thjesht u rreshtuan me ministren.
Kur flitet për dhunën dhe asosacionin e saj me protestën, ka një problem. Në parim protesta është refuzim dhe si e tillë ajo formalisht i kundërvihet edhe karakterit imponues që ka një vendim i institucioneve publike. Dhe vendimet e këtyre të fundit implikojnë aparatin represiv. Ndaj në vetvete protesta na thotë se kemi përballje. Në një vend ku Fjala ka rëndësi, protesta paqësore, apo pa akte që shkojnë përtej parrullave, do të ketë patjetër kuptim. A hyn Shqipëria te këto vende? A hyjmë ne tek këto vende, kur kryeministri çdo kritikë e cilëson infeksion nga kazanët e SHQUP-it? Nuk e teprojmë të themi që JO, nuk hyjmë.
Por le të kthehemi pas në kohë e t’u kujtojmë këtyre solidarëve që sot qullin ndërgjegjen me lotë trishtimi sesi protestonin ata vetë deri më dje. Natyrisht që do të shohim diçka krejt tjetër nga ajo për të cilën thërrasin sot.
Le të marrim edhe një shembull tjetër sesi nocioni i protestës nis e degradon kur ajo i largohet kuptimit të vërtetë të saj: PËRBALLJES.
Shikoni në këtë video, sesi reagojnë ndaj fitores së Donald Trump në kolegjet amerikane.
Dikush thërret “Erdhi Trump” dhe mandej të tjerët ja marrin vrapit. Një dramë që konsumohet në formën e komedisë. Këta që sot rendin me vrap se “Erdhi Trump” e që presupozohet se janë me Clinton, do të duhet të dëgjonin fjalën e saj pas humbjes: QËNDRONI! VENDI KA NEVOJË PËR JU! Këto tha Hillary Clinton, e cila pati si moment shkëlqimi në garën e vet pikërisht PËRBALLJEN me humbjen.
Po të jetë për show e për monologje për të drejtat, si Donald Trump, ashtu edhe këta solidarët e këtushëm, e kanë të fituar davanë. Ndaj një shishe me pak lëng për Linditën, ndoshta nuk është forma më e goditur, por me siguri që nuk meriton këtë vajtim popullor në një vend ku DHUNA, ajo e vërteta funksionon falas 24 orë në ditë, që nga zyrtari më i ulët e deri te kryeministri dhe mediat.
Add new comment