Nishani i kërkon ndjesë Kishës Katolike: I dhatë kombit shqiptar lirinë dhe demokracinë
Presidenti Nishani dekoroi me Urdhërin Flamurit 38 martirët e Kishës Katolike të lumturuar nga Papa Françesku. Në fjalën që shoqëroi ceremoninë e dekorimit Nishani i kërkoi ndjesë Kishës Katolike në emër të shtetit shqiptar për krimet e kryera ndaj klerikëve të saj, por edhe familjeve të viktimave të regjimit komunist.
"Në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me shumë përunjësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka zgjedhur, familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat, t’i kërkoj falje edhe Kishës Katolike shqiptare, që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër të shtetit dhe të ashquajturës ‘luftë klasash!’ Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!”- theksoi Nishani.
Presidenti vlerësoi sakrificën antikomuniste të klerikëve të Kishës Katolike si kontribut për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve. "Ata qysh në vitet ’30-të paralajmëruan rrezikun që do të sillte bolshevizmi në Shqipëri. Po, të parët u përballen me hakmarrjen e tij duke krijuar modelin e qëndresës, të përballjes dhe të triumfit të njeriut të lirë ndaj tiranisë ideologjike që i kishte shpallur luftë Zotit dhe bijve të tij. Shkuan të vetëdijshëm drejt martirizimit, drejt qiellit. Me gjakun e tyre u shkrua himni i lirisë dhe demokracisë shqiptare"- u shpreh Nishani duke i propozuar Ministrisë së Drejtësisë hartimin e një ligji për ngritjen e një Gjykate Speciale për të shpallur pafajësinë e martirëveve të Kishës dhe viktimave të komunizmit.
Add new comment