Mossad raportoi për akte terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael, pjesë e grupit 4 të arrestuarit në Shkodër

Postuar në 08 Nëntor, 2016 13:41

Shërbimi sekret izraelit, Mossad ka raportuar për akte të mundshme terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael. Ky ka qenë thelbi i dosjes që çoi në arrestimin e shtetasve Ergys Fasllia, Bekim Protopapa, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani të premten e kaluar në Shkodër. Mësohet se ky shërbim kishte vënë në dijeni me anë të informacionit shkresor Shërbimin Sekret Shqiptar në lidhje me “disa përpjekje që individë të caktuar po bënin për sigurimin e lëndëve plasëse, që do të tentohej të futeshin në stadiumin e qytetit të Shkodrës”.

Informacioni i ardhur nga jashtë mësohet se ka të dhëna konkrete për llojin e lëndës që do të tentohej të përdorej për prishjen e rendit gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, por hetuesit nuk pranojnë të japin hollësi. Informacioni i përcjellë është kryqëzuar edhe me informacione të Federatës Shqiptare të Futbollit, në lidhje me emrat e personave që kanë blerë bileta për të qenë prezentë në “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes të së shtunës. Sipas burimeve të organit të akuzës, vëzhgimi disaditor në Shkodër konfirmoi informacionin e ardhur nga jashtë duke sjellë kështu edhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

Ata ishin të skeduar edhe më parë për aktivitetin e tyre, pasi ishin filmuar teksa merrnin pjesë në procesin gjyqësor ndaj grupit të 9 xhihadistëve të akuzuar për rekrutimet në Siri. Po sipas akuzës, Ergys Fasllia dhe Bekim Protopapa kanë qenë frekuentues të xhamisë ilegale të Unazës së Re në Tiranë dhe aktivë në thirrjet fetare të bëra brenda Gjykatës së Krimeve të Rënda gjatë procesit ndaj imamëve të vetëshpallur, Genci Balla dhe Byjar Hysa, të akuzuar se me shtatë pasues kanë rekrutuar më se 70 shtetas shqiptarë që kanë shkuar në Siri për pjesëmarrje në luftime të armatosura raporton Panorama.

Pas këtyre zhvillimeve Federata Shqiptare i kërkoi FIFA-s të lëvizte vendndodhjen e ndeshjes kundër Izraelit për shkak të kushteve të sigurisë. FIFA vendosi që ndeshja të zhvendosej në Elbasan, pranë Tiranës. Federata e Izraelit e aprovoi këtë ndryshim”, shkruhet në njoftimin e Federatës Izraelite.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.